Ballina Politika ‘Dueli’ mes policisë dhe opozitës në Kuvend, Meta ngre tonet: Dhuna ndaj...

‘Dueli’ mes policisë dhe opozitës në Kuvend, Meta ngre tonet: Dhuna ndaj deputetëve, akt i rëndë kriminal e antiligjor

4
0

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar për përplasjet në parlament, duke theksuar se dhuna ndaj deputetëve të opozitës është një akt i rëndë kriminal dhe antiligjor. Ai akuzoi Ramën se ka kthyer vendin në narko-shtet, duke theksuar se në Shqipëri “shteti ligjor ka rënë.”

Në një deklaratë të tij, Meta tha: “Kërcënimi me armë zjarri, kanosja me jetë dhe dhuna brenda ambienteve të Kuvendit dje, ndaj deputetëve të opozitës nga NarkoPolicia dhe NarkoGarda e Edi Ramës është një akt shumë i rëndë kriminal dhe antiligjor, që provon para të gjithë shqiptarëve jo vetëm inkriminimin e këtyre strukturave, por edhe rënien totale dhe banale të shtetit ligjor.”

Ai e përshkroi këtë ngjarje si “një tjetër dëshmi publike e fytyrës kriminale të Narkoshtetit,” i cili “jo vetëm burgos dhe përndjek politikisht opozitën, por edhe i kërcënon me jetë të zgjedhurit e popullit.”

Meta theksoi se deputetët kanë imunitet dhe se “Deputeti ka imunitet dhe atij nuk i afrohet dot as Prokurori pa lejen e Gjykatës për ta arrestuar,” duke akuzuar strukturat e NarkoPolicisë për “dhunim dhe kanosje ndaj deputetëve me armë.”

Duke u ndalur te situata aktuale, ai vuri në dukje se “përballë kësaj junte që i drejton armën deputetëve të opozitës në Kuvend, e cila përndjek dhe burgos politikisht Opozitën, e vetmja alternativë mbetet përballja dhëmb për dhëmb deri në përmbysje të këtij Regjimi!”

Meta shtoi se situata në Parlament është përkeqësuar për shkak të rritjes së fuqisë së denoncimit të Opozitës ndaj “korrupsionit skizofrenik të Edi Ramës” dhe se pasojat e këtij korrupsioni, sipas tij, i ndjen çdo familje shqiptare që “nuk është e lidhur me Pushtetin dhe korrupsionin e tij.”