Ballina Opinion Hipokrizia e PS-së me konkurset në administratë, tregon se sa larg BE-së...

Hipokrizia e PS-së me konkurset në administratë, tregon se sa larg BE-së jemi

18
0

Nga Namir Lapardhaja

Për të kuptuar se sa larg Europës kemi qenë, vijojmë të jemi dhe do të jemi edhe në të ardhmen, mjafton të shohësh talljen që pushteti i PS-së dhe i Edi Ramës bën me rekrutimet në administratën shtetërore. Nuk e kam fjalën këtu vetëm për konkursin e fundit të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili, sipas të njëjtit model, ka shpallur konkurs për drejtorët e qarqeve, ashtu sikurse Ministri i Brendshëm ka shpallur konkurse për drejtoritë e varësisë së këtij dikasteri, por e kam për një hipokrizi që e ka ndjekur historikisht PS-në dhe të majtën sa herë që kanë qeverisur.

Atë që mund ta bënin lehtësisht dhe të mos u kërkonte askush llogari që kur erdhën në pushtet në 2013, zgjodhën ta bëjnë në mënyrë hipokrite, duke shpallur konkurse fiktivë, të cilat i fitonin në të gjitha rastet vetëm drejtuesit e lartë të Partisë Socialiste. Përveçse hipokrite, një mënyrë e tillë, bënte ‘pis’ edhe konkursin si koncept, i cili, në vend që t’u jepte shpresë më të zotëve dhe më të mirëve, ‘inkurajonte’ pikërisht ata për të cilët konkursi në vetvete është bërë për të mos i lejuar të ngjiten në poste ku partia mund t’i katapultojë sipas thënies ‘merr nga dhitë e bëj zabitë’.

Si për të mos mjaftuar kjo tallje 12-vjeçare me administratën shtetërore, e cila është më e politizuar dhe më e korruptuar se kurrë më parë, për shkak të qëndrimit gjatë në pushtet, pa asnjë trysni dhe pa kurrfarë ngacmimi nga organet kompetente, vijmë te konkurset e sotme, ku ministrat e emëruar rishtazi kuptojnë se duhet të shpallin konkurse për drejtoritë e varësisë, duke dashur të heqin disa dhe duke i zëvendësuar me besnikët e tyre.

Një gjë të tillë mund ta bënin siç kanë bërë paraardhësit e tyre, duke qenë të ‘ndershëm’ dhe të drejtpërdrejtë në përzgjedhjet e atyre me të cilët duan të punojnë dhe të bashkëpunojnë, mirëpo, ashtu sikurse i ka hije këtij pushteti dhe filozofisë majtiste, sërish kthehen tek hipokrizia e kahershme për të ndotur sërish konceptin e konkurseve dhe për t’u treguar njerëzve se më të zotët për ato vende janë vetëm ata që janë më të lidhur me pushtetin, me Partinë Socialiste dhe veçanërisht me ministrin e linjës, njëkohësisht duke treguar se e gjithë euforia për çeljen e kapitullit të negociatave me BE-në është një mashtrim prej së cilit nuk mund të çlirohemi dot për sa kohë që administrata do jetë thellësisht e politizuar dhe ngushtësisht e lidhur me pushtetin.