Ballina Kulturë Metafora poetike e zjarrit të mallit, në poezinë e një poeteshe në...

Metafora poetike e zjarrit të mallit, në poezinë e një poeteshe në mërgim

71
0

(Rreth vëllimit poetik Shpirt i etur në mërgim i Trandafile Molla (Bajo)

Nga Agim Bajrami

Trandafile Molla Baja vjen herë pas here në qytetin e lindjes, jo vetëm për të promovuar librat e saj, por edhe për t’u parë sy me sy me të dhe bashkëqytetarët e saj. Eshtë një rit, nga i cili poetesha nuk dëshiron të heqë dorë, që nuk ka lidhje me besimin, por me thirrjet e forta të mallit dhe lidhjet e pashpjegueshme mistike, që krijojne mes tyre qytetet dhe njerëzit e tij.
Unë nuk e konsideroj rastësi, që shumë krijues të njohur, emocionet e takimit me vendlindjen, i kthejne në festa dhe i kanë si kryemotive të poezive teë tyre. Nuk habitem pse edhe Trandafilja shumicën e titujve të librave të saj, i ka emërtuar me emra malli dhe shumicen e vargjeve dhe poezive të saj, i ka populluar me emra vendesh dhe toponimesh të lashta durrsake, me emra njerëzish të dashur, të gjallë apo të vdekur, që kanë mbushur dhe vazhdojnë të mbushin akoma jetën e saj të sotme, me mbresa, ngjarje dhe kujtime të pafund
Duke e konsideruar veten si pjesë organike të tyre.
Trandafile Molla Baja s’bën gjë tjetër vetëm se i transformon këto emra në imazhe dhe vlera artistike të mirëfillta, i nxjerr ato nga këndet e kujtesës, ku kanë qenë të harruara kaq kohë, për ti pasuruar ata me detaje dhe dritë bashkëkohësije Rruga e gjatë për tu kthyer drejt tyre, autores i mjafton jo aq, për të rifreskuar kujtesën, por për të përgatitur veten, të përmbaje emocionet, në çastin e kontaktit të parë . Ka shumë faktorë që ngjizin tek një individ pasionin, për të shkruar dhe për t’iu besuar poezive, dhimbjet, dashuritë, trazirat shpirtërore etj, por tek Trandafilja, faktori më bazik ka qenë dhe mbetet malli dhe zëri i munguar, i atdheut në distancë
Poetesha deshi një mbështetje tek vargu poetik, dhe ai nuk ja kurseu përkrahjen e tij.
Unë e kam ende në sy profilin e saj përballë figurave të ndritura dhe të derdhura në bronx, të heronjve të Kosovës në Prekaz dhe Prishtinë, e kam ende të regjistruar në memorje timbrin e zërit te saj, kur recitonte poezine e frymëzuar, kushtuar Pjetër Budit të madh në oborrin e një shkolle në Burrel, nga interpretimi i së cilës, u emocionova jo vetëm unë, por edhe kolegët e tjerë përreth meje. Eshtë e kuptueshme dhe s’mund të ndodhte ndryshe me nje bijë durrsake, rritur nën hijen e rendë të mbretërve të lashtë ilir, të këtij qyteti dhe nën madhështinë e njerit prej amfiteatërve më të medhenj të antikitetit në bote atij të Durrësit, ku historia dhe lavdia janë ndërthurur e bërë nji. Duke lexuar librat e shumtë të saj, e kupton më së miri, se brenda saj qëndron përherë ndezur një zjarr i madh atdhetarie, që pret vetëm rastin me të parë për tu ndezur Dhe për ta bërë këtë asaj i mjafton vetem një vështrim nje zë, apo një prekje e thjeshtë:

Atdhe dëgjoje zërin si shtrëngatë
Përtej detit vjen me dallgë shumë
Ne poetet jemi bërë një varg i gjatë
Mes vargjesh shpalosur me valë e me shkumë

Eshtë një poezi, që organizohet mbi një metaforë malli dhe dashurie, dhe që merr një shtrirje gjithnjë e më te gjere strofë mbas strofe. Edhe në këtë krijim kemi një shkrirje të natyrshme të heroit lirik me atdheun, por elementet poetik që përdor autorja, për ta realizuar këtë proçes, nisin nga vetja Uniteti ndjesor individual me atë të kombit e pasurojne poezinë dhe ja zmadhojne përmasat.
Poezia është krijim ritmik i bukurisë thoshte dikur Van Gogh për këtë art të magjishëm të fjalës, por perifrazimi i saj me sinoniminë e lirisë , mua më duket më i qëlluari Sepse është kjo liri , që i sugjeron gjithkujt në përgjithësi dhe autores në veçanti tema dhe subjekte të ndryshme ,që e mbush me dinamikë dhe lëvizje dhe i lejon asaj të takohet me vendet dhe heronjtë e saj te preferuar , të ndajë me ta koncepte dhe qëndrime si dhe të nxisë brenda saj krenarinë e të qenurit shqiptare dhe bashkëkohëse me lirinë :
Më ka mbetur peng në zemër
Që asnjeherë s’erdha më parë
Edhe shpesh të shoh në ëndërr
Mbete qytet mitesh o Skrapar,
thotë një nga poezië e saj entuziaste të udhëtimit, për ti vazhduar seritë e kengëve të saj me këtë temë me një vend tjetër të adhuruar për të, atë për Pezën heroike të Babë Myslimit
Kalojnë vitet, kullojnë plagë
Zgjohen trimat në stuhi
Mbete odise e gjallë
Zonjë e bukur në histori

Edhe për viset dhe qytetet e tjerë shqipëtare, këtej dhe andej kufirit, autorja përjeton të njëjtat ndjenja dhe emocione përdor të njëjtën pasuri leksikore dhe të njëjtin zjarr dashuror:
“Ah moj Kosovë, në shekuj e mijra vjet
Përpjekur për lirinë e tokën tënde
Rraskapitur dhe gjakosur, ke ecur në jetë
E pamposhur gjithmonë vigjilente në mendje
Duke depërtuar në thelbin e pohimeve të këtyre poezive, vemë re se fjala kyçe e autores ka qene dhe mbetet atdheu, toka mbi të cilen lindi dhe mësoi fjalët e para, vendi ku farkëtoi krenarinë dhe identitetin e saj shqipëtar
Dikush mund të thartojë buzët dhe ta akuzojë autoren për tepri rreth trajtimit të kësaj teme. Por ata që kane jetuar për një kohe të gjatë larg ajrit dhe frymës së tij, dhe i gëzohen biletave të kthimit si një fëmije, do ti japin të drejtë autores, për këtë gjë. Tërheqja e atdheut ndaj bijve të tij më të mirë, aq më tepër për një poete, ngjason me tërheqjen gravitacionale të tokës ndaj sendeve te hedhura në ajër, ndaj të cilëve ajo ushtron një forcë të pazakontë
Ndaj ashtu siç e pohon edhe ajo vetë, që në titull të librit, poezitë e saj s’janë gjë tjetër përveçse krijesa malli dhe fryte të një shpirti të etur në mërgim:
Moj e bukura zonjë e rëndë
Ballelartë plot hir je vesh
Në mes shoqesh ke zenë vend
Shqipëri moj mbretëreshë
Gjuha e pastër shqipe, e ndërthurur me një mori figurash stilistike, krahasime e metafora dhe similituda, përbëjnë një arsenal të pasur dhe e ndihmojnë vargun e saj të ketë më shumë aftësi komunikimi dhe më shumë energji.
Edhe pse libri është ndarë në katër cikle më vete libri ka një logjikë vazhdimësie. Nëse në kapitullin e parë teme qendrore është e shkuara dhe e sotmja e shqetësuar, e atdheut, nga luftrat e pafundme dhe keqqeverisjet, uniteti frymor vazhdon të bartet me të njëjtin itensitet edhe në kapitullin e dytë dhe të fundit të librit, por në trajta dhe ngjyra më të vitalizuara
Sikur të kisha një fuqi të madhe
Kësaj bote të lodhur ti falja mirësinë
Njerëzia të mos kishte kurrë halle
Tokën ta mbuloja me paqe e dashuri
Mjafton vetëm ky katërvargësh të kuptojmë ndjenjat e shqetësuara dhe qëndrimin e autores përballë situatave të caktuara në të cilat ndodhet vendi dhe bashkëkohësit e saj, qëndrimet dhe energjinë e saj qytetare. Eshtë e qartë se qëndrime të tilla nuk motivohen vetëm prej natyrës së saj të ndjeshme, po prej koncepteve të kultivuara të saj prej bindjes, se atdhe nuk mund të konsiderohet vetëm ajo sipërfaqe toke, ku ka lindur stergjyshi, gjyshi, ati dhe i biri, por tëresia e atij vendi që na e ngre zemrën peshë, sa herë gjendemi pranë tij
Në ciklin” Malli shpirtin ma pushton ” që për mendimin tim është edhe cikli më i arrirë artistikisht i këtij libri, autorja ka arritur të shpërfaqë shumëçka nga ndjenjat dhe emocionet e saj me të spikatura individuale. Është një cikël, ku protogonizmi i saj shpirtëror shoqërohet nga gjendje të ndera dhe një strukturë shkrimore më e përpunuar. Elementet artistike të gjetur si simboli, krahasimi e anafora etj , e kanë pasuruar gjuhën e saj poetike, dhe e kanë bërë më të zhdërvjellët Një dukuri të tillë e ka vërejtur edhe studiuesi i njohur, prof Zija Vukaj i cili në studimin e tij shprehet se : Autorja ka marrëdhënie të mira me gjuhën dhe gjithë sistemin stilematik të saj Figuracioni i vjen natyrshëm dhe kompozimet e saj letrare , i përkasin një ëmetroprozodie përgjithësisht të rregullt ,me prani rimash dhe asonanancash Si shumica e autorëve me receptore të ndjeshëm edhe kjo autore pjesën më të madhe të motiveve të saj , i merr nga lëvizjet e shpeshta të saj ,nëpër arealin shqipëtar, nga thirrjet e zëshme ose të pazëshme të tij, si dhe nga shfletimet e herëpashershme tê historisë sonë tê lavdishme
Pozitiviteti dhe dashuria me të cilën i kundron ajo portretet fisnikë të heronjve dhe njerëzve të thjeshtë, që ndesh çdo ditë është një nga ato vecanti që e bëjnë një autore të bjerë në sy pozitivisht. Vargu i kësaj autoreje ndihet ngushtë në guackën e ngushte të individualistit, dhe këndit te ngushte vetanak, ndaj ngutet të vishet sa më parë problematika dhe ngjarje globalizmi, duke marrë kësisoj një karakter dhe tingull më universal. Duke jetuar për një kohë të gjatë, në kontakt me kulturën dhe letërsinë zhvilluar të një kombi të fuqishëm, autorja ka ditur të përfitojë sa më shumë duke marrë prej saj elementët më të nevojshëm. Të brishtë në momente të caktuar dobësish, por të fortë dhe kumbues kur shpirti zien ky do të ishte me pak fjalë profili i vargut të kësaj poeteshe. Prandaj ngado ta rrotullosh vargun e saj, do të ndjesh se në të fryjne erëra të forta, ravijëzohen dhe lëvizin fate njerëzish, të njohur ose të panjohur, tipa që bartin tipare dhe përvoja të ndryshme jetësore.
Në ciklin me lirika ” Malli zemrën ma pushton” autorja me bujari ka bërë vend për të gjithë, si për zonjën Shkodër, sofër bujarie, me Taraboshin në brinjë për, kolosin e fjalës dhe të skenës Mirush Kabashi, për flamurin para të cilit një ditë u betua, për këmbët që mbetën udhëve pa gjurmë, për vjeshtën kuksiane, ku Drinat bardhë e zi, bashkë puthin buzë, për Durrësin e dashur e të shenjtë etj. Eshtë një galeri e tërë figurash dhe imazhesh vizatuar me penele të hollë dhe linja të zhdërvjellta.
Duke i’u bashkangjitur atyre edhe poezi të tjera si
“Zeri i mergimtarit me therret, Ju kam te shenjta, “Larg teje s’me vjen vera “, Letra e babait” “, Ne zemer të ruaj “, vëmë re se bota e brendshme e autores vjen para nesh me nje shumellojshmeri gjendjesh, dhe raportesh në barazvlerë të plotë me kohën dhe mjediset, ku ngjizen dhe zhvillohen ato. Drita e ngrohtë që vesh portretet dhe madhështia human, që rrezatojnë i bëjnë ata, të natyrshëm dhe të bukur shpirterisht Prirja e autores për ti paraqitur ata sa më të thjeshtë dhe njerëzorë, jo vetëm i bën më konkretë por arrin ti veshë ata edhe me një aureole shenjtërije. Në këto raste edhe vargu i saj sikur bëhet më i qashtër dhe më transparent. Autorja priret nga e folura e hapur, nuk hyn nëpër hullira stilistike të ndërlikuara dhe shtigje, që nuk të çojnë askund, duke ta vështirësuar leximin. Spontaniteti i vargut dhe veshja e tij me ngjyrat ndjesore të saj, e bëjnë atë më të asimilueshëm dhe më konkret:
Por sa shumë vitet kanë ndryshuar
Dhe nuk jemi kurrë si më parë
Unë shkoj e vij te ty, sa herë dua
Në gjirin tënd futem si e marrë

Dhe ti më thua: Mirse vjen mori bletë
Mirëse vjen ti shend e verë fluturim
Kur do ta shuaj këtë mall të nxehtë
Ku hap krahët dhe më pret qyteti im

Të njejtën situatë emocionale përjeton edhe në poezinë tjetër të arrirë “Baba ne të dy kemi një emër”
Baba ne te dy kemi nje emer
Një amanet nga ty e mbaj
Një shpirt kemi dhe nje zemer
Çdo ditë të kujtoj, çdo minutë për ty qaj

Në këte poezi, pjesa me e madhe e bisedës zhvillohet në një atmosferë të trishtë, dhe nën shoqërimin e simbolikës së lotit, të vajit të bijës për babanë e vdekur. Në këtë moment lexuesit, nuk i lejohet të ndërhyje, por vetëm të përballojë emocionet e krijimit
I gjithë ky cikël pêrshkohet nga një frymë e fortë nostalgjike dhe një lirizëm i theksuar, ku spontaniteti i rrëfimit, dhe prania e dukshme e detajit artistik, i’u japin atyre peshë dhe emocion
Trandafile Molla (Baja) me punën dhe pasionin e saj shembullor, me këtë libër ja ka dalë të sendërtojë një pjesë të dimensionit të vetvetes, duke arritur atë, të cilën dëshiron të arrijë çdo krijues me proçesin e vështirë shkrimor, të tij, të identifikohet me poezinë Orhan Pamuk thotë: – ” Të mbash një libër në çantën tënde në kohëra trishtimi, do të thotë se ke zotëruar një botë tjetër”!
Unë besoj se ky libër, është një pjesë e këtij zotërimi, por edhe një shenjë e qartë e rritjes artistike dhe një hap më tej drejt krijimit të individualitetit artistik të kësaj autoreje te talentuar.