Ballina Lifestyle Nga dëshmitë, te masat e sigurisë, ç’ndodhi sot me motrat Berisha?

Nga dëshmitë, te masat e sigurisë, ç’ndodhi sot me motrat Berisha?

7
0

Ditën e sotme është mbajtur seanca gjyqësore për motrat Berishaj, Antonela dhe Mariela, të cilat dhunuan blogeren Klea Prenga në muajin gusht të këtij viti. Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë ‘Arrest shtëpie’ për Marielën dhe ‘Detyrim paraqitje’ për Antonelën.

Seanca gjyqësore ishte parashikuar të mbahej një ditë më parë, por për shkak të mungesës së Marielës u zhvendos për sot.

Antonela Berisha, që së bashku me motrën, Mariela Berishën, dhunuan dy muaj më parë blogeren Klea Prenga, kërkoi falje në gjykatë. Sipas saj, në restorant kishin shkuar për të darkuar, por për shkak të sjelljes së Kleas, në gjaknxehtësi e sipër, Mariela mori gotën dhe e qëlloi. Në gjykatë, Antonela kërkoi falje dhe u shpreh e gatshme të ndihmojë të renë e dhunuar, ndërsa shtoi se motra e saj nuk është në gjendje të mirë psikologjike.

“Më vjen shumë keq për çfarë ka ndodhur. Nuk ka qënë aspak qëllim i yni që të ndodhte një ngjarje dhe aq më tepër një pasojë e tillë. Kemi shkuar në restorant, të dyja me motrën për të darkuar. Në një moment ajo është ngritur rrëmbyeshëm nga tavolina, e provokuar nga sjellja e viktimës. Në gjaknxehtësi e sipër, aty në moment, ka rrëmbyer një gotë dhe e ka qëlluar viktimën. Kam ndërhyrë mes tyre vetëm për t’i ndarë, dhe mbi të gjitha për të mbrojtur motrën time. Ka një vit që nuk ndihet aspak mirë. E provokuar në mënyra të ndryshme. Më vjen shumë keq dhe nuk e shikoj dot motrën time në këtë gjëndje. Kërkoj ndjesë, dhe jam e gatshme të bëj gjithçka për të normalizuar marrëdhëniet dhe për ta ndihmuar viktimën të rehabilitohet fizikisht, për sa na takon. Kërkoj ndjesë publike përpara Gjykatës”.

Mariela Berisha është shprehur e penduar në gjykatë për dhunën që ushtroi dy muaj më parë ndaj Klea Prengës. Në dëshminë e saj, e reja tregoi se prej një viti ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike dhe kërkoi zbutjen e masës së sigurisë, duke përdorur si argument faktin se duhet të kujdeset për fëmijën e saj 2-vjeçar.

“Kërkoj falje për çfarë kam bërë. Nuk e kam dëshiruar, dhe nuk e kam kërkuar apo planifikuar një situatë të tillë dhe aq më pak një pasojë të tillë. Kam mbi një vit që po kaloj një moment dhe një situatë të vështirë psikologjike. Jam në një bashkëjetesë, dhe kam një fëmijë 2 vjeç, i cili ka nevojë për mua dhe për praninë dhe kujdesin tim. Kërkoj mëshirë”, tha blogerja.

Klea Prenga u dhunua barbarisht nga motrat Berishaj teksa ishte duke darkuar në një restorant në kryeqytet. Sipas modeles ngjarja ka ndodhur të martën e 6 gushtit 2024 dhe teksa ishte duke ngrënë motrat e kanë goditur me sende të forta duke i shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në fytyrë.

Shkak i dhunës barbare që motrat Antonela dhe Mariela Berishaj ushtruan mbi Prengën mendohet se është bërë dyshimi i Marielës se Klea kishte lidhje me bashkëshortin e saj prej të paktën një viti.