Deputetët e opozitës kanë paralajmëruar një protestë para Parlamentit Europian në Strasburg më 23 tetor. Deputetja e PD Jorida Tabaku zbuloi skenarët e protestës, duke u shpehur se do të bëhet për të informuar ndërkombëtarët lidhur me situatën në Kuvend dhe kauzat që ka opozita.
“Grupi Parlamentar i PD është duke ngritur shqetësimet që po ngre edhe këtu në Tiranë edhe me partnerët ndërkombëtarë dhe është një fushatë ndërgjegjëimi që do të vijojë edhe më kolegë të Parlamentit Europian. Do të jetë informim për atë që po ndodh në Parlamentin e Shqipërisë dhe cilat janë kauzat kryesore që ka opozita”, tha Tabaku në ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv.
E pyetur nëse opozita do të vijojë me të njëjtin skenar me dhunë dhe djegie në seancat e Kuvendit, Tabaku u shpreh se grupi parlamentar i PD do të mblidhet për të diskutuar se si do të vijohet.
“Ajo që ndodhi dje në Kuvend është një shprehje revolte e grupit parlamentar dhe partisë në kuadër të ngritjes së ndërgjegjësimit dhe në kuadrin e protestave që kanë ndodhur, jo vetëm për situatën poltike, por edhe për situatën e zbatimit të vendimit të gjykatave, por edhe pas sulmeve politike që kanë ardhur në drejtim të opozitës.
Për aksionin në vijim sigurisht që grupi parlamentar do të mblidhet për ta marr një vendim për në vijim, nuk ka një marrëdhënie normale me Parlamentin, nuk ka një bojkot, por situate është e tensionuar dhe po diskutohet dhe do të vendoset rast pas rasti edhe sipas çështjeve që janë për tu diskutuar në agjendën parlamentare”, tha Tabaku.