Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të donin që Kosova të bëhet pjesë e programit të NATO-s, Partneritetit për Paqe, program ky i NATO-s, i cili synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë dhe shërben si rrugë për ato vende që synojnë që një ditë të bëhen pjesë e NATO-s.
Por për të arritur këtë, Smith ka thënë se Kosova fillimisht duhet të shënojë përparim në dialogun me Serbinë.
“Ne, gjithsesi, e vlerësojmë programin e Partneritetit për Paqe. Jemi të kënaqur që kemi parë interes të madh nga Kosova për t’iu bashkuar Partneritetit për Paqe. Por mendoj se miqtë tanë në Kosovë i kanë dëgjuar thirrjet tona të zëshme dhe të qarta. Ne duam që ata të vazhdojnë të investojnë në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian“, tha Smith.