Ballina Bota Elon Musk i vendosur për të kthyer Trump në pushtet, 1 milion...

Elon Musk i vendosur për të kthyer Trump në pushtet, 1 milion dollarë çdo ditë për të shtuar votuesit republikanë

6
0

Elon Musk, njeriu më i pasur i botës, ka premtuar se komiteti politik që ka themeluar për mbështetje ndaj Trump do të dhurojë 1 milionë dollarë çdo ditë, deri në ditën e zgjedhjeve për këto që nënshkruan një peticion online për të shtuar sa më shumë votues republikan të regjistruar në shtetet kryesore të betejës në garën presidenciale.

Kreu ekzekutiv i Tesla nuk humbi kohë dhe dha çekun e parë me vlerë 1 milion dollarë ndaj një votuesi republikan në Pensilvani, një burri të quajtur John Dreher. Fituesit e 1 milionë dollarëve do të zgjidhen nëpërmjet shorteu ditor tek votuesit e rregjistruar në peticion.

Në këtë peticion, votuesit qofshin ato demokratë apo republikanë nënshkruajnë duke dhënë të dhënat e tyre ku përfshihet emri, mbiemri, numri i telefonit si dhe detaje të tjera.

Deri në ditën e zgjedhjeve, njeriu më i pasur i botës pritet të financojë me 17 milionë dollarë këtë event që synon të nxisë votuesit për të kthyer republikanin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Vetëm përgjatë tre muajve të fundit Elon Musk ka dhuruar 75 milionë dollarë në mbështetje të fushatës së Donald Trump sipas asaj që zbuluan autoritetet federale disa ditë më parë.

Që prej vitit 2002 kur mori nënshtetësinë Amerikane, Elon Musk kishte shprehur publikisht se ai ishte një votues Demokrat por këtë vit ai deklaroi se nuk mund t’i besojë një Presidenti si Joe Biden dhe zgjodhi të mbështeste publikisht republikanin Donald Trump pas atentatit që u bë ndaj tij në muajin korrik. Musk ka konfirmuar mbështetjen e tij ndaj Trump edhe me daljen e përbashkët që ata bënë së bashku në Buttler Pensilvani në fillim të këtij muaji.

Donacionet e Musk për republikanët e bëjnë pjesë atë në klubin e donatorëve më të mëdhenj për rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke përfshirë këtu bankierin Timothy Mellon dhe miliarderen e kazinove Miriam Adelson.