Ballina Dossier Masakrat tronditëse të ushtarëve serbë ndaj shqiptarëve/ Revolucionari rus: E para gjë...

Masakrat tronditëse të ushtarëve serbë ndaj shqiptarëve/ Revolucionari rus: E para gjë që do të shihej në mëngjes ishte…!

43
0

Leon Trotsky, revolucionari rus dhe një figurë kryesore e Revolucionit të Tetorit, i dyti vetëm pas Leninit, ka rrëfyer masakrat tronditëse të ushtarëve serbë ndaj shqiptarëve, që në vitin 1912, në gazetën e famshme ukrainase ‘Kievskaya Misl’. Ai do të ishte më vonë themelues dhe komandant i Ushtrisë së Kuqe dhe Komisar Popullor për Luftën, por, nën Stalinin, u përjashtua nga Partia Komuniste dhe u dëbua nga Bashkimi Sovjetik, në vitin 1928. Trotsky u vra përfundimisht në Meksikë në vitin 1940, nga një agjent sekret i Stalinit, i quajtur Ramon Mercader, i cili e qëlloi me kazëm (alpinisti) në kokë dhe Trotsky vdiq pas disa orësh në spital. Idetë e tij formuan bazën e trockizmit, një shkollë kryesore e mendimit marksist.

Shumë kohë përpara revolucionit rus, në shtator 1912, Trotsky u dërgua në Ballkan nga gazeta e Kievit “Kievskaya Misl” si korrespondent lufte për të mbuluar Luftërat Ballkanike në Serbi, Bullgari dhe Rumani. Më poshtë është një nga artikujt që Trotsky ia ktheu gazetës së tij, një raport mbi mizoritë e kryera kundër shqiptarëve të Maqedonisë dhe Kosovës, në vazhdën e pushtimit serb të tetorit 1912.

‘Pas perdes së luftërave ballkanike’

Rrëfimet tronditëse të Leon Trockit për dhunën dhe gjenocidin sllav kundër shqiptarëve në vitet 1912-1913, për gazetën ‘Kievskaya Misl’.

Kam pasur rastin, për fat apo fatkeqësi ta vizitoj Shkupin, disa ditë pas Betejës së Kumanovës. Qysh në fillim, isha i irrituar nga autoritetet e Beogradit, lidhur me lejen për qarkullim. Nga pengesat që m’i ka bërë Ministria e Luftës, kam filluar të mendoj se njerëzit, të cilët e udhëhiqnin luftën, nuk e kishin ndërgjegjen e pastër dhe që atje poshtë, ata po kryenin veprime krejt ndryshe, nga sa paraqitej në shtypin zyrtar. Kjo përshtypje ose parandjenjë më është përforcuar me rastin e takimit me një oficer, i cili kishte qëndruar në Shkup, me ushtarët të Shtabit të Përgjithshëm.

Ky oficer, të cilin e kam njohur për një kohë të gjatë, ishte njeri i ndershëm. Mirëpo, sapo ai e mori vesh se unë po shkoja për në Shkup, meqë realisht edhe e kisha marrë lejen për të shkuar atje, ai me një qëndrim të hapur armiqësor, më tha se nuk duhet të shkoja atje dhe nuk e kuptonte se çka po bënte Beogradi, sipas tij, kur i lejonte “të huajt”, të shkonin në Shkup. Në Vranjë, në kufirin me Serbinë, kur e kuptoi se nuk do ta ndërroja vendimin, oficeri serb e ndërroi zërin dhe filloi të më përgatitë, për pamjet që do të shikoja kur të arrija në Shkup. “Këto janë gjëra të pakëndshme, por fatkeqësisht janë të paevitueshme”, më tha ai.

Krejt kjo, më duhet të pranoj, se më bënte edhe më shumë të dyshoja. Kjo do të thotë se veprat e liga, për të cilat ishte dëgjuar deri në Beograd, nuk ishin të rastësishme, nuk ishin raste të veçanta e të izoluara, përderisa një oficer i trajtonte si “nevoja të shtetit”. Dikush duhej të kishte të dhëna për këto. Kush? Ushtria? Apo Qeveria? Përgjigjen në këto pyetje, e mësova sapo arrita në Shkup. Trishtimi filloi porsa e kaluam kufirin. Në orën 5 pasdite, i jemi afruar Kumanovës. Dielli po perëndonte dhe terri tashmë ishte lëshuar. Sa më shumë errësohej, aq më tepër shiheshin flakët e zjarrit që shkonin përpjetë. Po digjej gjithçka përreth nesh. Të gjitha fshatrat shqiptare, të afërta dhe të largëta, ishin kthyer në shtëllunga zjarri, deri te hekurudha.

Ishte ky një shembull i veçantë i një lufte të tmerrshme shkatërruese, që kam parë në zonat e luftimeve. Për një çast pasuria e atyre njerëzve, e trashëguar nga gjyshërit e stërgjyshërit dhe e fituar me mund, po kthehej në flakë. Kjo monotoni zjarri, na ka përcjellë gjatë tërë rrugës, deri në Shkup. Zbrita nga vagoni me të cilin pata udhëtuar. Tërë qyteti ishte i heshtur, në rrugë nuk shihje njeri të gjallë, Vetëm para stacionit të trenit, ishte një grup ushtarësh, nga ku përhapeshin zëra të dehurish.

Secili shkonte në rrugën e vet, ndërsa unë mbeta i vetmuar në stacion. Shkova te grupi i ushtarëve. Katër ushtarë mbanin bajonetat, në gjendje gatishmërie. Në mesin e grupit të ushtarëve, qëndronin dy të rinj shqiptarë, me plisa të bardhë. Një ushtar, çetnik i dehur, mbante në dorë thikën, ndërsa në dorën tjetër, shishen e rakisë. Çetniku i urdhëroi shqiptarët të shtriheshin për tokë. Ata, gjysmë të vdekur nga frika, u ulën në gjunjë. Pas urdhrit tjetër, ata ngihen. Këtë ai e përsërit disa herë….!

Pastaj çetniku, duke sharë dhe duke i kërcënuar, u drejtoi majën e thikës edhe viktimave të tjera. I detyron të pinë raki, pastaj… i puth. I dehur nga forca, rakia dhe gjaku, ai argëtohej, duke luajtur me ta, ashtu si macja e egër me minjtë. Të njëjtat veprime, e njëjta psikologji. Të tre ushtarët e tjerë të dehur, qëndronin duke ruajtur se mos shqiptarët po iknin, ose do të kundërshtonin, derisa çetniku të argëtohej.

“Këta janë arnautë”, më thotë një ushtar, “tash do t’i ther”. Prej frikës, u largova nga grupi. Nuk kishte kuptim të mundohesha të mbrojtur shqiptarët. Ata mund të shpëtonin nga këta ushtarë, vetëm me një forcë të armatosur. Krejt kjo skenë po luhej në stacionin e trenit, kur sapo erdhi treni tjetër, ika për të mos dëgjuar britmat e tmerrshme dhe thirrjet e shqiptarëve për ndihmë…!

Në rrugët e qyteti dhe në vet qytetin ishte aq qetësi, sa dukej sikur ishte shkret. Të gjitha dyert, ishin mbyllur qysh nga ora gjashtë pas dite. Me të rënë nata, çetnikët fillojnë punët e tyre. Futen dhunshëm nëpër shtëpitë e shqiptarëve dhe turqve, duke kryer veprat e tyre të vrasjes dhe plaçkitjes. Shkupi kishte 60 mijë banorë, nga të cilët gjysma ishin shqiptarë e turq. Disa nga ata sigurisht që kishin ikur, por shumica kishte mbetur. Dhe tash, gjatë natës kundër tyre kryhen krime. Dy ditë pas arritjes sime në Shkup, e para gjë që do të shihej në mëngjes, ishte grumbulli e kufomave të shqiptarëve me koka të thyera, nën Urën e Vardarit, mu në qendër të qytetit.

Disa thoshin se ishin shqiptarë, të cilët ishin mbytur nga çetnikët, të tjerët thoshin se ata i kishte sjellë uji i lumit. Vetëm një gjë dihej: ata njerëz nuk ishin vrarë në luftime….! Shkupi ishte kthyer në një kamp të rëndomtë ushtarak. Popullata, sidomos shqiptarët dhe myslimanët, fshiheshin nëpër rrugë për të mos u parë nga ushtarët serbë. Në mesin e masës së ushtarëve, dallohen edhe fshatarë serbë, të cilët kanë ardhur këtu nga vende të ndryshme të Serbisë.

Duke rrëfyer se kanë ardhur për të gjetur bijtë dhe vëllezërit e tyre, ata kalojnë nëpër Kosovë, duke plaçkitur. Kam biseduar me tre prej atyre “torbarëve”. Më i riu prej tyre, një burrë i shkurtër, i sojit të “trimave”, lavdërohet sesi me pushkën e tij, ka vrarë dy shqiptarë, por dy të tjerë, i kishin ikur. Bashkudhëtarët e tij, fshatarë të moshuar, e vërtetonin rrëfimin e tij. “Një gjë nuk është e mirë”, ankohen ata. “Nuk kemi para me vete. Këtu mund të marrësh sa të duash qe dhe kuaj. Paga e ushtarit është dy dinarë (75 kopejkë).

Ushtari shkon në fshatin e parë të shqiptarëve dhe e merr kalin e parë që gjen. Përmes ushtarëve, mund të marrësh një pendë qe, për 20 dinarë. Serbët nga rrethina e Vrajës, në mënyrë masive janë nisur drejt fshatrave shqiptare, me qëllim për të rrëmbyer gjithçka që gjejnë. Gratë serbe kanë ngarkuar në shpinë edhe dyer e dritare, që kanë marrë nëpër fshatrat shqiptare. Ndërkohë erdhën dy ushtarë. Ata bëjnë pjesë në çetat, të cilat çarmatosin shqiptarët. Një ushtar pyet, ku mund ta këmbejë një lirë. Kërkova të ma tregojë lirën, meqë nuk kisha parë monedhë turke.

Ushtari fillimisht shikon anash, pastaj e nxjerr floririn nga qesja, duke rrëfyer se ka edhe të tjera, por nuk dëshiron të rrëfejë sasinë. Një lirë turke këmbehet me 23 franga. Erdhën edhe ushtarë të tjerë. Po dëgjoja bisedat e tyre. “Nuk e di sa shqiptarë kam vrarë”, thotë njëri, “por te asnjëri prej tyre nuk kam gjetur diçka të vlefshme për ta marrë. Dhe, kur ia kam hequr kokën një nuseje të re, te ajo kam gjetur 10 lira”. Për bëmat e tyre, ata flasin krejt lirshëm. Kjo është e zakonshme për ta. Njerëzit nuk e kuptojnë, se sa ndryshime të brendshme kanë sjellë vetëm disa ditë të luftës.

Mund të shihet se deri në ç’nivel, varet njeriu nga rrethanat. Në kushte të organizmit barbar të luftës, njerëzit shpejt brutalizohen dhe këtë ndoshta edhe nuk e kuptojnë. Një tog ushtarësh, po marshonte rrugës kryesore të Shkupit. Një i dehur, sipas të gjitha gjasave, një turk i marrë, filloi t’i mallkonte. Ushtarët ndaluan. E mbështetën turkun tek muri më i afërt dhe e pushkatuan në vend.

Togu vazhdoi tutje, ashtu sikur edhe popullata që ishte në rrugë. Atë mbrëmje në një pijetore, kam takuar një oficer, të cilin e njihja. Njësia e tij ka qenë e stacionuar në Ferizaj, në qendrën e shqiptarëve, “Serbia e vjetër”. Me njerëzit e tij, rreshteri ka tërhequr një top të madh të rrezikshëm, gjatë marshimit, nga Koçani deri në Shkup. Ky top do t’i dërgohet ushtrisë, e cila ka rrethuar Edrenenë.

-“Ç’ka po punon tani në Ferizaj mes shqiptarëve?”, e pyes.

“Po pjekim zogj dhe po vrasim arnautë. Jemi lodhur tashmë”, thotë, duke bërë grimasa dhe hapur gojën nga lodhja.

-“Ka shumë njerëz të pasur mes tyre. Afër Ferizajt kemi hyrë në një fshat të pasur, me shtëpi sikur kështjella. Pronari ishte një njeri i pasur, i cili kishte tre bij. Ishin katër meshkuj dhe shumë gra. Të gjithë i kemi nxjerrë nga shtëpia, i kemi radhitur gratë dhe para syve të tyre, u kemi prerë burrat. Gratë nuk kanë qarë nga frika. Na kanë lutur të futen në shtëpi dhe të marrin rrobat e tyre. I kemi lejuar. Ato pastaj na kanë dhënë nga një dhuratë. Pastaj i kemi kall zjarrin, tërë vendit…”!

-“Si mund të veproni në mënyrë kaq brutale”?!- e pyes i tmerruar nga rrëfimi i tij.

“Nuk e di as vetë – mësohet njeriu. Në një kohë tjetër, nuk do të kisha qenë në gjendje ta vrisja një plak, apo një fëmijë të pafajshëm. Në kohë lufte, sikundër e dini, komandanti iu urdhëron dhe ju duhet ta zbatoni urdhrin”.

-Shumë gjëra si këto, kanë ndodhur jo moti. Gjatë bartjes së atij topi deri në Shkup, gjatë rrugës takuam një qerre, në të cilën ishin shtrirë katër burra, të mbuluar deri në brez. Përnjëherë kam nuhatur erën e jodit. Diçka ishte e dyshimtë, po mendoja. E kam ndaluar qerren dhe i kam pyetur kush ishin dhe ku shkonin. Heshtnin, duke u arsyetuar se nuk dinin serbisht. Me ta ishte vetëm qerrexhiu, një magjyp, i cili na tregoi se katër të plagosurit, kishin marrë pjesë në luftime në Merdar. Ishin plagosur dhe tani po ktheheshin nëpër shtëpi. E kuptova çka ishin.

“Zbritni”, urdhërova.

Kuptuan çka po u them, por hezitonin.

“Çka të bësh? E kam vendosur bajonetën në pushkë dhe i kamë therur të katërtit….”!

E kam njohur atë njeri. Ka qenë kamerier në Kragujevc. Njeri pa ndonjë kualitet. Jo luftarak nga natyra, kamerier, ashtu sikur të gjithë kamerierët, në vendet e tjera. Një kohë ishte edhe në Sindikatën e Kamerierëve. Ishte madje edhe sekretar, por u largua…! Dhe shikoni tash, se në çka është kthyer!

-“Përse veproni si banditë, po vrisni dhe po plaçkitni, pa bërë asnjë dallim”! bërtita, duke ndier një neveri për njeriun me të cilin kisha biseduar. Eprori u gjend në një situatë të vështirë. Duket sikur diçka i kishte rënë ndërmend. Pastaj duke u munduar ta arsyetojë vetveten, i bindur dhe serioz, kumtoi një frazë, e cila hidhte edhe më shumë të zeza, sesa kisha parë dhe dëgjuar.

-“Jo. Kjo nuk është ashtu. Ne, ushtria e rregullt, i përfillim në mënyrë rigoroze rregullat, asnjëherë nuk vrasim njeri, më të ri se 12 vjeç. Për çetnikët, nuk të them asgjë me siguri. Ata janë krye më vete. Unë mund t’u siguroj për ushtarët”. Rreshteri nuk siguronte për çetnikët. Dhe me të vërtetë, ata nuk pranonin asnjë kufizim. Të rekrutuar nga mesi i të papunëve, të paaftëve, elementë të liq dhe të pa vlerë, nga turma më e ulët, argëtoheshin me egërsinë e tyre me krimet, plaçkitjet dhe dhunën.

Veprat dëshmonin shumë kundër tyre. Edhe ushtria e shteti, ndihej jo mirë nga banalitetet e tilla të përgjakshme, të çetave të degjeneruara. Ata u detyruan të ndërmarrin masa dhe ende pa mbaruar lufta, i çarmatosën dhe i kthyen nëpër shtëpitë e tyre.
Nuk isha në gjendje ta duroja edhe më tej atë atmosferë, nuk kisha stomak, për t’i duruar ato. Interesi politik dhe vetëdija morale, për të parë me sy, se si bëhen gjërat e tilla, u fundosën. Tashmë kisha vetëm një dëshirë: Të kthehesha sa më parë. Sërish u gjeta në vagon. Po shikoja fushat e gjëra rreth Shkupit. Çfarë bukurie, çfarë gjerësie!.

Njerëzit mund të jetonin mirë këtu. Çfarë dobie ka të flasë, kur ju vetë i dini këto ide, vetëm ato në atë vend më tingëllonin dhjetë herë më fortë. Pesëmbëdhjetë minuta nga nisja e trenit, hodha vështrimin jashtë dhe pashë në një largësi prej 200 jardë nga stacioni, një kufomë me plis në kokë, më fytyrë përdhe dhe duar të shtrira. Rreth 50 jardë kah hekurudha, po qëndronin dy rojtarë serbë, pjesë e forcave që po e ruanin hekurudhën. Me siguri se kjo ishte vepër e tyre. Tutje, tutje, vetëm të largohem sa më parë, nga ky vend.

Jo larg nga Kumanova, në një livadh, afër hekurudhës ushtarët po hapnin një gropë të madhe. I pyes për çka po hapej ajo gropë. Më thanë se gropa po hapet për mish të prishur, që ndodhej në dhjetë apo 15 kamionë, të cilën ishin stacionuar anash rrugës. Ushtarët nuk e kishin marrë mishin, që u kishte takuar. Krejt nevojat e tyre ushqimore, madje edhe më shumë, ata i merrnin nga shtëpitë e shqiptarëve: djathë, qumësht, mjaltë. “Në atë kohë kam ngrënë më shumë mjaltë, i cili u merrej shqiptarëve, sesa kisha ngrënë gjatë tërë jetës sime”, më thotë një ushtar, të cilin e njihja.

Për çdo ditë ushtarët serbë, thernin qe, dele, derra, pula, të cilat i hanin dhe i hidhnin mbetjet anash. “Neve nuk na duhet mishi. Sa e sa herë u kemi shkruar atyre në Beograd, të mos na dërgojnë mish, por ata e bëjnë këtë, sipas do rregullave”. Kështu qëndrojnë gjërat kur shikohen nga afër. Mishi po prishet, si mishi i njerëzve ashtu edhe i kafshëve, fshatrat janë bërë shkrumb e hi, njerëzit po dëbohen. “Njerëzit mbi 12 vjet”… të gjithë janë brutalizuar, duke humbur fytyrën e tyre njerëzore..

Lufta po del në sipërfaqe, si kryesorja dhe më e rëndësishmja, do t’i shihni krimet, nëse shpalosni pak perden, e cila rri varur, para veprave të “trimërisë” së ushtarëve…! Memorie.al