Pesë shtetas të Kosovës po mbahen në burgjet e Serbisë nën akuzat se gjoja kanë kryer krime lufte. Në një përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë thënë se të arrestuarit janë: Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, F.K., Tefik Mustafa dhe M.I.
MPJD ka thënë se F.K dhe M.I janë raste të cilat janë lajmëruar si të arrestuar nga zyrtarë serb, mirëpo zyrtarisht Kosova nuk ka marrë asnjë konfirmim për identitetin ose arrestimin e tyre.
Zëdhënësi i kësaj ministrie, Leotrim Sahiti ka dhënë detaje për Mehmetajn dhe Dakajn.
“Z. Hasan Dakaj i është shqiptuar dënimi me burg nga Gjykata e Lartë për gjoja Krime të Luftës e Beogradit në kohëzgjatje prej një (1) viti. Duke qenë se z. Dakaj është arrestuar më 5 janar 2024, ai pritet të lirohet më 4 janar 2025. z. Nezir Mehmetaj, përveç vizitave të rregullta në burg ku është duke u mbajtur (‘Burgu Qendror/Centralni Zatvor-CZ’, në Beograd), diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, i përcjellin rregullisht edhe seancat gjyqësore të cilat janë duke u zhvilluar tani dy vite e gjysmë kundër tij në Gjykatën e Lartë për Krime të Luftës së Beogradit.”
Sahiti thotë se ende nuk kanë pranuar përgjigje për të arrestuarin e fundit, M.I.
“Për momentin jemi duke pritur përgjigjen nga pala serbe lidhur me rastin e arrestimit më të fundit, të M.I,. respektivisht, konfirmimin e rastit, rrethanat e arrestimit, vendin e mbajtjes, si dhe identitetin e plotë të tij. Posa të na komunikohen këto të dhëna, atëherë, do ta bëjmë vizitën tek z. M.I.”
Kujtojmë se një tjetër i arrestuar ishte Sadik Duraku, që është shtetas edhe i Britanisë së Madhe. Ai ishte arrestuar më 17 prill të këtij viti në kufirin Kroaci- Serbi, mirëpo u lirua më 10 tetor.
Sahiti bën të ditur se ai është kthyer në Angli, tek familja e tij.
“Ndërkohë, z. Sadik Duraku, i arrestuar më 17 prill 2024, në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, është liruar më 10 tetor 2024 dhe tani është kthyer tek familja e tij, në Brajton, Angli.”
Më 1 korrik, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, publikoi një letër që ia ka dërguar homologes së saj në Serbi, Maja Popoviq, përmes së cilës ka kërkuar transferimin e qytetarëve të Kosovës që po mbahen në burgjet e Serbisë.
“Javën që lamë pas i kam kërkuar Ministres së Drejtësisë të Serbisë transferimin e qytetarëve tanë të cilët po mbahen në burgjet e Serbisë. Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa duhet kthyer në Kosovë per tu gjykuar drejtë dhe paanshëm nga institucionet e drejtësisë në Republikën e Kosovës”, tha ajo.
Çka thuhet në letrën e Haxhiut?
Në letrën që ministrja Haxhiu ia ka dërguar Popoviq thuhet se “Marrëveshja Bazike për Normalizimin e Marrëdhënieve, e lidhur ndërmjet palëve kontraktuese, Republikës së Kosovës dhe Serbisë bazohet në respektin ndaj integritetit territorial dhe parasheh zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet vendeve tona”.
Sipas saj këto nënkuptojnë edhe bashkëpunim të mirë në çështjet e drejtësisë nga e cila së fundmi përfitojnë qytetarët tanë.
“Nisur nga kjo, po ju drejtohem me kërkesë për transferimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës të cilët po mbahen në burgjet e Serbisë mbi pretendimet për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.”
Haxhiu ka thënë se “pretendimet e tilla dhe çdo veprim pasues ligjor lidhet ekskluzivisht me juridiksionin e vendit ku këto vepra të pretenduara kanë ndodhur”.
“Në këtë drejtim z. Nezir Mehmetaj, z. Hasan Dakaj, z. Sadik Duraku dhe z. Tefik Mustafa, duhet kthyer Republikës së Kosovës për tu gjykuar drejtë e në mënyrë të paanshme, nga autoriteti që është i pajisur me juridiksion të njohur nga e drejta ndërkombëtare publike.”
“Në mungesë të akteve juridike që formalizojnë bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në cështje penale ndërmjet dy vendeve tona, por kemi nisur nga obligimet e parapara në Marrëveshjen Bazike si dhe frymën e zhvillimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, ju drejtohem me kërkesën si më sipër.”
Haxhiu i ka shkruar Popoviq se “trajtimi i rasteve të nisura do të bëhet bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin nacional në fuqi që siguron garancitë më të larta të mbrojtjes së të drejtave të njeriut”.