Ballina Kulturë Ushtari i mirë Zhvejk në …Strasburg

Ushtari i mirë Zhvejk në …Strasburg

7
0

Sarkazëm nga Duim Madhi 

Burime të sigurta thonë se midis delegacionit 30 të deputetëve, deri para ca ditësh “të djathtë”, të parlamentit shqiptarë ka qenë edhe hija e Jozef Zhvejk, Ushtari i Mirë i Jarosllav Hashekut, ushtar i Kompanisë së Njëmbëdhjetë të Marshimit, besnik deri në vdekje i Perandorit sovran.
Ai në deklarimin e tij publik në mes të sheshit të madh, në pikë të diellit, tha se si hero i Luftës së Parë Botërore, ka ardhë që për hir të së vërtetës, për transparencë të plotë me popullin demokrat, po ju përcjell raportin e plotë që ndodhi me komisionin nga Vjena, me Kolonelin dhe me Kompaninë e Njëmbëdhjetë të Marshimit. Ai kërkoi që gazetarët ta botojnë të plotë, pa hequr asnjë presje nga origjinali që ruhet në KUTINË U. M. V-2374/135977 në Bibliotekën Perandorake të Vjenës, kuti e hapur me urdhrin e Perandorit Sovran.

***                       ****                                        ***

“… Ndërsa unë dergjesha në burg, në kazermë ngjisnin gjëra të çuditshme. Koloneli ynë ua ndaloi ushtarëve leximin e gazetave, duke përfshirë këtu edhe “Gazetën Zyrtare të Pragës”. Bile, në bufe, ishte ndaluar të mbështjellët me gazetë të suxhukëve dhe të djathërave. Por pikërisht që nga ajo ditë ushtarët zunë të lëçisnin gazetat dhe regjimenti ynë u bë i shquar.

I lexonin të gjitha gazetat dhe në çdo kompani thureshin vargje dhe këngë kundër kolonelit.

Dhe, sa herë në regjiment ndodhte ndonjë gjë, gjithnjë gjendej dikush që ta përshkruante ngjarjen në gazetë, duke e titulluar: “Torturat e ushtarëve”.

Por s’mjaftonte me kaq. Filluam tu shkruanin letra edhe deputetëve në Vjenë, që të na mbronin, dhe ata iu drejtuan qeverisë me pyetjen në se ajo kishte dijeni që koloneli ynë ishte një bishë e egër?

Një ministër dërgoi tek ne një Komision për të bërë hetime. Njëfarë Franta Hençlu nga Hluboka u dënua me dy vjet, sepse u kishte shkruar deputetëve të Vjenës për punën e një shpulle që kishte ngrënë gjatë stërvitjes nga koloneli.

Pastaj, pasi iku Komisioni, koloneli urdhëroi që të rreshtohej i tërë regjimenti. Zuri të fliste e tha se “ushtari ishte ushtar, se duhej të mbyllte gojën dhe të kryente detyrën, se, po të mos i pëlqente diçka, kjo ishte thyerje e disiplinës. E ju, o qelbësira, pandehët se ai komisioni do t’ju ndihmonte? – vazhdoi të fliste koloneli. Një mut ju ndihmoi. Dhe tani çdo kompani do të parakalojë para meje dhe do të më thotë me zë të lartë atë që thash unë”

Kështu parakaluan njëra pas tjetrës të gjitha kompanitë duke nderuar nga e djathta, andej nga qëndronte koloneli me dorën e vënë mbi rripin e revoles. Kalonin para tij duke thirrur: “Ne qelbësirat pandehëm se ai komisioni do të na ndihmonte, por ai na ndihmoi një mut”.

Zoti kolonel qeshte aq fort, sa mend po i pëlciste tëmthi.

Vazhdoi të qeshte derisa kaloi Kompania e Njëmbëdhjetë.

Ajo parakalon, e shtrin si duhet hapin, por, kur parakalon tamam para kolonelit, hesht, s’thotë asgjë, asnjë fjalë.

Koloneli u bë flakë i kuq nga inati dhe e ktheu Kompaninë e Njëmbëdhjetë, që ta përsëriste edhe një herë.

Ajo parakalon rishtas dhe hesht! Rreshtat kalojnë njëri pas tjetrit dhe secili e vështron me përçmim kolonelin, ia ngul sytë dhe s’kthen asnjë fjalë.

“Ruht” – qetësohu – urdhëron koloneli dhe fillon të ecë lart e poshtë nëpër oborr, godet çizmet me kamxhik, pështyn, pastaj papritmas qëndron dhe thërret:

“Abstreten” – shpërndahuni. Pastaj i hipën gërdallës së vet dhe ikën.

Ne pritëm se ç’do të ndodhte me Kompaninë e Njëmbëdhjetë, pritëm sa u lodhëm, por s’ndodhi asgjë.

Presim një ditë, dy, një javë të tërë, por përsëri asgjë. Koloneli s’u duk më në kazermë, dhe nga kjo gjë ushtarët, nënoficerët, bile edhe oficerët u gëzuan fort.

Pastaj na prunë një kolonel të ri.

Për atë të vjetrin u tha se ndodhej në sanatorium, sepse me dorën e vet i kishte shkruar një letër perandorit sovran, në të cilën i thoshte se Kompania e Njëmbëdhjetë kishte ngritur krye…

Shënim: Botohet sipas origjinalit që ndodhet në KUTINË U. M. V – 2374/ 135977 në Bibliotekën Perandorake të Vjenës e hapur me urdhër të Perandorit Sovran.”

                   ***                                     ***                           ***

Fjala e tij u dëgjua me vëmendje  dhe u duartrokit aq shumë sa thonë se njërit nga deputetët i morën flakë duart.
Njeri nga 30 zëdhënësit e tubimit solemn tha se një CDU-ist i lartë tha se këto gjëra nuk i dija…

 

DUIM MADHI