Ballina Aktualitet 42 gjyqtarë e prokurorë u kallëzuan penalisht për pasurinë, hetimi nisi vetëm...

42 gjyqtarë e prokurorë u kallëzuan penalisht për pasurinë, hetimi nisi vetëm për 3 raste

24
0

Për pjesën më të madhe të magjistratëve që kaluan përmes procesit të vetingut dhe nuk e kaluan atë, veç shkarkimit, duket se nuk do të ketë asnjë pasojë penale.

Nga viti 2019 deri më tani, ILDKPKI, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë së zyrtarëve, kallëzoi penalisht 42 prokurorë dhe gjyqtarë të shkarkuar nga vetingu në Prokurorinë e Tiranës.

Kjo e fundit konfirmon se nga këto kallëzime, janë regjistruar vetëm 3 procedime penale që lidhen me problemet në deklarimin e pasurisë së ish-zyrtarëve të drejtësisë, të kapur në mosdeklarim ose deklarim të rremë.

Vitet e kaluara nga momenti kur janë bërë deklaratat e rreme, ose mosdeklarimi pranë ILDKPKI-së, kanë çuar në parashkrimin e ndjekjes penale duke e bërë këtë një nga arsyet se pse Prokuroria e Tiranës ka vendosur të mosfillojë disa nga kallëzimet.

Procesi i vetingut është drejt mbylljes dhe pranë KPK janë vetëm 5 subjekte që presin të kalojnë filtrin e kontrollit të pasurisë, figurës dhe profesionalizimit deri në dhjetor.

Ndërkohë për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetueses, SPAK nisi një hetim për 10 prej tyre dhe deri më tani akuza për modeklarimin e pasurisë janë ngritur vetëm në 3 raste.