Ballina Kulturë Kontributi i Mit‘hat Frashërit për çështjen e Çamërisë

Kontributi i Mit‘hat Frashërit për çështjen e Çamërisë

4
0

Nga Lush Culaj

Në fillim të vitit 1923, me vendim të Këshillit të Mi­ni­strave ishte dërguar në Greqi, me një mision special, mi­ni­stri i Shqipërisë në Washington, Mithat Frashëri, që t’i hapte relacionet diplomatike ndërmjet dy vendeve. “Pre­feroj të shkoj në Greqi, – i thotë Mithat Frashëri ministrit të Jashtëm shqiptar, – meqenëse ka më shumë punë se sa të vete në Washington” dhe i kërkon një flamur shqiptar për ambasadën. Mithati përpiqej që edhe me simbolet e saj, ve­çanërisht me flamurin kombëtar, ta përfaqësonte sa më denjë­sisht Shqipërinë.

Ndërkaq, kryetari i sesionit të pakicave në Konfe­rencën e Lozanës i drejtohej Mehdi Frashërit, i deleguar i Shqipërisë pranë kësaj konference, më 20 janar 1923, duke e njoftuar se si përfaqësuesit turq ashtu edhe përfaqësuesit grekë kishin deklaruar qartë se pakicat shqiptare të Turqisë ose të Greqisë janë ligjërisht dhe faktikisht të përjashtuara nga këmbimi i popullsive. Ai shprehte mendimin se, meqe­nëse këto deklarata ishin shënuar në procesverbale, nuk e gjykonte të nevojshme që të shpreheshin me një dispozitë të posaçme në marrëveshjen lidhur me këmbimin e popull­si­ve. Gjithashtu, përfaqësuesi i Legatës shqiptare në Athi­në, Mithat Frashëri, i drejtohej ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme, më 23 qershor 1923, duke e njoftuar për materi­a­let e një gazete të Janinës dhe premtimet e prefektit të Janinës, sipas të cilave edhe shqiptarët do të këmbeheshin si turqit me grekët e Azisë. Qeveritë shqiptare në Tiranë dhe pë­rfaqësuesi diplomatik në Athinë Mithat Frashëri përpi­qe­shin me çdo kusht që të jenë në nivel të detyrës dhe të shër­bimit të shqiptarëve të ngelur në Greqi, megjithëse në rre­tha­nat e krijuara nuk varej shumëçka nga ata.

Qeveria e Fan Nolit si masë që mund t’i frenonte sa­do­pak këto veprime arbitrare kërkoi që së paku në çdo ope­racion hetimi, që do të ndërmerrej në ato vise, kriter të jetë gjuha e folur dhe detyrimisht të ishte i përfshirë edhe një delegat shqiptar. Në përgjigjen kësaj kërkese të Qeve­risë shqiptare, sekretari i Lidhjes së Kombeve Drummond, më 26.7.1924 kishte njoftuar Qeverinë shqiptare se çështja i ki­shte kaluar Këshillit të Lidhjes, i cili kishte kushtëzuar ko­mi­sionin dhe nënkomisionin e shkëmbimit që të merrnin parasysh “kriterin e gjuhës”, por edhe atë të ndërgjegjes ko­m­bëtare.

Megjithatë, përpjekjet e Qeverisë së Nolit për ta mbro­j­tur popullsinë çame nga rreziku që i kanosej bënë një efekt të caktuar. Vetë shtruarja e këtij problemi ngadalë­sonte realizimin e planeve shoviniste greke, por efekt më të madh bënte fakti se shteti shqiptar i kishte paralajmëruar të njëjtat masa edhe ndaj pakicës greke në Shqipëri.

Gjithnjë në vazhdën e përpjekjeve diplomatike për mbrojtjen e çështjes çame dhe të territoreve të tjera kom­bëtare që kishin mbetur brenda shtetit grek, Mithat Frashëri, bashkëngjitur me shkresën e vet të datës 4.XI.1924, ia dër­goi B. Blinishtit në Gjenevë edhe dy kopjet e letrave dër­gu­ar në Tiranë rreth bashkëfjalimeve me Koblanin; ia dërgoi gjithashtu edhe kopjen e letrës së marrë nga Çamëria mbi përndjekjet e çamëve nga pushtetarët grekë. Diplomati Fra­shëri shkruante se njoftimet mbi ndjekjen dhe grabitjen e ndërtesave i kishte marrë nga Haxhi Kollovi, njëri nga pje­së­tarët e “parisë nga fshati Luarat, i cili erdhi posaçërisht këtu, më vizitoi dhe më përshkroi regjistrin e terrorit…, më paraqiti me zë tronditës gjendjen e vajtueshme në Çamëri”. Gjithashtu ia bënte të ditur se përfaqësia çame i kishte drej­tuar një ankesë kryeministrit Mihalakopullus dhe se e kishte gati një tjetër për t’ia dërguar Lidhjes së Kombeve.

Megjithatë, përpjekjet qeveritare shqiptare ishin të vazhdueshme në favor të mbrojtjes të çamëve. Një aktivitet të veçantë kombëtar në këtë drejtim vazhdimisht e ka bërë edhe atdhetari Mithat Frashëri. Ai si përfaqësues i Shqi­përisë në Athinë, i drejtohej ministrit të Punëve të Jashtme në Tiranë, më 21 janar 1925, dhe e informonte se delegati shqi­ptar në Gjenevë kishte kërkuar që për çamët të merrej për bazë gjuha si kriter i origjinës, pa shikuar vullnetin e popullsisë, ndërsa këtë kërkesë e konteston dhe e kritikon delegati grek Politis. Në periudhën 4-25 qershor 1925 komi­sioni i lartpërmendur, i formuar nga Lidhja e Kom­be­ve, i vizitoi fshatrat dhe qytetet e Çamërisë për të grumbu­llu­a­r të dhëna të reja. Ishte rast i volitshëm për të konstatuar, për da­llim nga të dhënat e komisionit të parë, se pjesa dërr­muese e popullsisë shqiptare nuk dëshironte të përfshi­hej në shkëm­bim, duke i mbrojtur me dinjitet të lartë qën­dri­met kombë­tare nëpërmjet deklarimit: “Jemi shqiptarë dhe nuk duam të shkojmë në Turqi”. E mira e së mirës ishte që komisioni vetë u bind se sa më të thelluara të bëheshin hetimet, sa më të shpeshta të ishin kontaktet me popullsinë çame dhe krerët e saj, pa presion të qeveritarëve grekë, komisioni do të ishte më afër të vërtetës.

Më 18 gusht 1925 Mithat Frashëri nga Athina i drej­tohej Erik Kolbanit, drejtor i Seksionit të Pakicave pranë Lidhjes së Kombeve, me ç’rast, ndër të tjera, theksonte: “Pa­si ka mundësi që Sekretari i Lidhjes së Kombeve të me­rret me çështjen e shqiptarëve myslimanë në Greqi, më lejoni t’u përcjell kopjen e letrës time të datës 12 gusht që sapo ia kam nisur Kryetarit të Përfaqësuesve të Lidhjes së Kombeve për mbrojtjen e pakicave shqiptare në Greqi. Siç do ta shikoni nga leximi i kësaj letre, situata e këtyre shqip­tarëve në Greqi është plotësisht kritike, sepse nga njëra anë Greqia nuk ka pranuar të heqë masat poshtëruese që ajo zbaton ndaj tyre qysh prej tre vjetësh dhe nga ana tjetër zoti përfaqësues nuk kanë bërë ende asnjë përçapje për të arritur t’ua bëjnë jetën të durueshme këtyre fatkeqëve”.

Po mbi këtë gjendje alarmante Mithat Frashëri nga Athina i drejtohej ministrit të Punëve të Jashtme në Tiranë më 8 shtator 1925, duke theksuar: “Si mbas vendimit të komisionit për nënshtetësinë e shqiptarëve në Greqi ju in­f­o­r­­moj se elementin shqiptar në Greqi duhet ta ndajmë në dy pjesë: elementin ortodoks dhe elementin musliman. Orto­doksët Greqia i quan si grekër, me qenë se sipas mentalitetit të helenëve një ortodoks mund të jetë vetëm grek”.

Qeveria greke përpiqej në çdo mënyrë ta përfundonte me sukses misionin e vet të filluar. Pavarësisht se Turqia në shtator të vitit 1924 ishte deklaruar kundër vendosjes së çamëve në Turqi, presioni i madh nga Greqia e detyroi atë që, më 6 korrik 1925, t’i deklaronte Qeverisë greke se pra­no­nte t’i vendoste 5.000 çamë në Turqi. Ndërkohë skena politike greke kishte pësuar ndryshime, meqenëse në qer­shor, pas grusht shtetit, erdhi në pushtet gjenerali Pangallos, i cili tregoi gatishmëri për përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë. Madje, përfaqësuesi i Shqipërisë në Athinë, Mithat Frashëri, mori premtime nga Qeveria greke se pro­b­lemi i shkëmbimit të çamëve do të shqyrtohej, kurse Panga­llosi i deklaroi Frashërit se çamët do të përjashto­he­shin nga shkëmbimi. Mirëpo, Qeveria e Ahmet Zogut nuk u kënaq me këto deklarata, sidomos kur merrej parasysh fakti se pak ditë pas ardhjes në fuqi të Pangallosit, Qeveria greke e kishte nënshkruar marrëveshje me turqit për shpër­nguljen e 5.000 çamëve. M’u për këtë arsye në sesionin e 37 të Kë­shillit të Lidhjes përfaqësuesi i Shqipërisë, Mithat Frashëri, e denoncoi këtë marrëveshje dhe, ndër të tjera, the­ksoi se gjendja e shqiptarëve të Çamërisë nuk kishte kurr­farë ndry­shimi pozitiv.

Gjatë viteve 1923-1926, Mithat Frashëri si ambasador i Shqipërisë në Athinë, zhvilloi një veprimtari të dobishme diplomatike dhe kombëtare, gjë që e rriti mjaft prestigjin e Shqipërisë dhe shtetit shqiptar si dhe ndihmoi mjaft në afri­min dhe bashkëpunimin ndërmjet dy popujve e dy vendeve fqinje. Mithat Frashëri përpiqej për një fqinjësi të mirë e për një bashkëpunim të gjithanshëm me Greqinë e vendet e tje­ra fqinje. Kjo kërkesë për fqinjësi, miqësi dhe paqe në Ev­ro­pën Juglindore kërkohej që të zhvillohej mbi bazën e rec­i­pro­citetit, të respektimit të dinjitetit kombëtar dhe të mos­ndër­hyrjes në punët e brendshme të njëri-tjetrit. Diplo­mati Frashëri, i cili ndiqte nga afër zhvillimet politike në Gre­qi, iu drejtua Qeverisë greke që ta shpërndante sillogun e pali­gjshëm të Vorio-Epirit, i cili zhvillonte një veprimtari të thek­suar antishqiptare dhe tensiononte marrëdhëniet ndër­mjet dy vendeve.

Në një letër nga Athina, drejtuar K. Çekrezit më 1925, Mithat Frashëri çështjen e Kishës Autoqefale Shqip­tare e konsideronte si çështje kombëtare: “Ç’ punë kanë bajlozët e huaj në një çështje thjeshtë kombëtare shqiptare?- revolto­hej Mithat Frashëri për shkak të ndërhyrjes së Kishës Greke në punët e Kishës Autoqefale Shqiptare, dhe sikur e ndiente që kjo do të ndodhte edhe pas afro 70 vjetësh me bajlozin Janullatos”. Mithati kishte njohuri të thella për historinë dhe kulturën greke. Ai e fliste bukur greqishten, kishte kul­turë të gjerë, andaj u imponua në qarqet më të larta politike e intelektuale të Greqisë.

Gjithashtu, Mithat Frashëri kishte shkuar dy herë në Gjenevë, më 1923 dhe më 1925, ku kishte kontaktuar me z. Drummond dhe z. Rafael, për ta mbrojtur popullsinë çame nga gjenocidi dhe shpërngulja. Për këtë problem i kishte shkruar Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë mbi 160 letra e raporte si dhe kishte udhëtuar në Shqipëri, në shtator të vitit 1925, për ta shqyrtuar ketë çështje shumë serioze me Mini­strinë e Jashtme.

1.“Emërimi në Lidhjen e Kombeve të një zyrtari (për­fa­qësuesi) të zot e më vullnet të madh që t’i dijë mirë pu­nët e Shqipërisë.

2. Mbrojtja e shqiptarëve të Greqisë, nda­l­ja e tra­gje­di­së çame, duke kërkuar largimin e mino­ri­ta­rë­ve gre­kë (greko­fonëve), nëse grekët vazhdojnë të largojnë çamët nga trojet e tyre.

3. Emërimi i një drejtori të përgjith­shëm në Mini­s­tri­në e Jashtme për trajtimin e instalimit të refugjatëve ishin propozime dhe punë të Mithat Frashërit në dobi të çështjes kombëtare. Në saje të këtyre përpjekjeve të amba­sa­dorit tonë, i cili shpesh herë kryente edhe detyrën e mini­strit të Jashtëm, u arrit që të ndalohej shpërngulja e 5.000 çamëve të tjerë, ndër të cilët edhe 800 fëmijë.” Në një nga letrat e shumta dërguar ministrit të Punëve të Jash­tme në Tira­në diplomati Frashëri theksonte, ndër të tjera: “Jam pjekur për këtë punë tri herë më z. Rufos, ministrin e ri të Punëve të Jashtme, dy herë me z. Kaftanxhogllu, drej­tor i përgjith­shëm si dhe dy herë me gjeneralin Kondulin, që më premtoi ndërhyrjen e tij pranë z. Pangallos. Sot po vi nga z. Rufos, për herën e tretë…. Ai mu lut që t’i jap edhe disa ditë afat, duke premtuar se situata do të ndërrohet dhe se do ta shoh se efekti i premtimeve të tij do të jetë fort i madh. Kam tre vjet afro, i thashë, që po dëgjoj premtime, të cilat nuk janë realizuar kurrë. Në bazë të këtyre jam i dety­ruar ta shoh një vullnet të lig të Qeverisë greke.”

Mehdi Frashëri, delegat i Qeverisë shqiptare në mble­dhjen e Lidhjes së Kombeve, më 20 dhjetor 1925, i drejto­hej ministrit të Jashtëm shqiptar nga Florenca, me ç’rast, ndër të tjera, i shkruante: “Mbas urdhërit me 3 dhjetor u nisa për Gjenevë dhe me 4 arrita atje. Para se të nisëm i tel­e­grafova ministrit tonë në Athinë z. Mithat Frashërit për me ardhë këtu dhe të mi sjell të gjitha lajmet dhe dokumentat e duhura mbi shqiptarët që gjenden në Greqi. Mbasi mora kë­to të dhëna përgatita një raport të gjatë mbi situatën e shqip­ta­rëve në Greqi dhe përmes një letre drejtuar sekretarit të për­gjith­shëm ia parashtrova Këshillit të Lidhjes së Ko­mbeve. Çështja u vu në rendin e ditës me datën dhjetë dhe para Kë­shi­llit dhe para opinionit publik publikova të gjitha mjeri­met e shqiptarëve të Greqisë.

Në dhjetor të vitit 1925 M. Frashëri kërkoi dorë­he­q­jen që iu pranua në prill të vitit 1926. Nëse do të thellohemi pak mbi shkaqet e dorëheqjes mendoj se ato janë komple­k­se dhe lexuesi i vëmendshëm do t’i gjejë ato sidomos në let­rat që i dërgon Mithati nga Athina respektivisht ministra­ve të jashtëm të Shqipërisë. A do të ishte e mundur të kup­to­nit gjë në atë labirint që i thonë ministri e Punëve të Jash­tme? I shkruan ai sekretarit të përgjithshëm të asaj ministrie Dh. Beratit. “më 1 të gushtit i telefonojnë minist­risë (së jashme). Senatit dhe kryesisë së Republikës për tu thënë se unë e shoh si rrezik fort të madh dhënien e Shën Nau­mit me dashjën tonë-shkruan ai nga Athina, në vitin 1925. Hoqa një telegraf të dytë për ato tri zyra plus për Kryesinë e Par­la­mentit, duke përseritur edhe një here idenë time, që është po ajo që ndiqja edhe në Paris më 1920 për çështjen e Vlorës: Asgjë të japim nga trupi i vogël i mëmë­dheut tonë!

Pra kur politika në këtë rast politika e jashtme nuk përkonte më idealin dhe angazhimin e tij kombëtar, ai dha dorëheqjen. “nuk e di, kjo që bëmë gjer më sot, politikë ësh­të apo tradhëti kundrejt mëmëdheut?- I drejtohet ai ministrit të Jashtëm, Hysen Vrionit.

Më 5 janar Mithat Frashëri i drejtohej përsëri nga Athina ministrit të Punëve të Jashtme në Tiranë, duke për­shkruar mjerimet e popullatës çame: “Mjerisht shumë prej refugjatëve kanë mbetur udhëve dhe disa kanë vdekur urie. Midis këtyre refugjatëve janë 40 fëmijë nga Gardiku dhe Dragomije. Propaganda më e mirë për Çamërit bëhet duke pasur kujdes për ata 40 fëmijë që gjenden në Sarandë. Ve­tëm në ketë mënyrë u jepet zemër dhe kurajo çamëve.”

Gjithnjë, në zbatim të udhëzimeve të Qeverisë shqip­ta­re, ambasadori shqiptar në Athinë, z. Mithat Frashëri, bë­nte përpjekje të vetëmohuese për ta shpëtuar pasurinë e 109 familjeve shqiptare të fshatrave Shak, Revani e Zhele­n­grad të prefekturës së Kosturit. Ata, nga frika e këmbimit si turq, kishin mërguar nga fshatrat e tyre dhe po qëndronin përko­hë­sisht në Korçë. Pasuria e tyre arrinte në 3.967.000 fr. ari, d.m.th. 198.350 napolona floriri. Përpjekje të tij bë­he­­shin që ta shpëtonte edhe pasurinë e 197 familjeve të fsha­trave Ve­nan dhe Rrëmbi, të cilat, për t’i shpëtuar dëbi­mit të dhun­shëm në Turqi, ishin detyruar të linin gjithçka kishin në fshatrat e tyre dhe të strehoheshin në Korçë.

Nga presioni ndërkombëtar dhe qeveritar i Tiranës zyrtare, më 16 mars 1926, presidenti i Këshillit të Lidhjes së Kombeve, Kukujiro Ishii (japonez), deklaroi se Ministria e Jashtme greke pranonte se shkëmbimi i popullsive në Epir kishte përfunduar dhe se asnjë mysliman tjetër i Epirit nuk do të shpërngulej për në Turqi. Ndërkohë, ministri i Jash­tëm grek, J. Kanakaris, e informoi të ngarkuarin e Shqipë­ri­së me punë në Athinë se Qeveria greke çamët myslimanë të Greqisë do t’i konsideronte si shqiptarë.

Si duket Qeveria e Pangallosit ishte paksa më larg­pa­mëse, e kjo vërehet edhe nga hapat e tjerë që ndërmori ajo në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve me Shqipërinë.

Qeveria shqiptare i përshëndeti qëndrimet e Qeverisë greke për përmirësimin dhe përparimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke, të cilat, sikurse dihet, më parë nuk kishin qenë stabile. U çmua në mënyrë të veçantë intervista e Pan­gallosit dhënë korrespondentit shqiptar në Athinë, më 14 shkurt 1926, në të cilën ai theksonte: “Athina kishte vendo­sur të ndëshkonte çdo veprim të keq në Greqi ndaj minorite­tit shqiptar prej disa kokave të nxehta dhe të papërgje­gj­shme”.

Fatkeqësisht, kjo frymë pozitive në marrëdhëniet shqi­­­­ptaro-greke nuk zgjati shumë. Rënia e Pangallosit nga push­teti në verë të vitit 1926 ndikoi për të keq në marrë­dhë­niet shqiptaro-greke. Ardhja në fuqi e gjeneral Kondilit nuk koincidoi aspak rastësisht me rihapjen e sillogjeve vorio­epi­rote. Kështu, u rihap “çështja e sigurimit të kufijve verio­rë”, politikë e njohur e Ministrisë së Jashtme greke.

Në të vërtetë, gjithçka u kalua në heshtje dhe marrë­ve­shja u shpërfill ende pa u tharë ngjyra mbi letër. Fatkeqë­sisht qeveritarët e Athinës marrëdhëniet me Qeverinë e Ti­ra­nës i shikonin nga pozita të superioritetit të padiskutue­shëm. Ishte pikërisht kjo arsyeja që nuk kishte hapa progre­sivë. Këtë e dëshmon edhe një shkrim i diplomatit dhe njeriut, i cili iu përkushtua kësaj çështjeje me tërë qenien e vet, z. Mithat Frashëri. Ai shkruante se, edhe pse e çështja e së drejtës çame po diskutohej pandërprerë prej tri vitesh, si ndërmjet dy qeverive ashtu edhe në Lidhjen e Kombeve, nuk po zgjidhej ende për faj të Qeverisë greke, e cila sado që disa herë kishte marrë zotime e botërisht kishte bërë edhe premtime zyrtare, në realitet zotimet dhe premtimet nuk ish­in asgjë më tepër se fjalë të kota, nëpërmjet të cilave syno­hej të përfitohej sa më shumë në kohë. Si pasojë e fak­tit se ato premtime ishin vetëm fjalë boshe, pasuria e dhje­tëra e dhjetëra fshatrave çame ende gjendej në duar të ar­dha­ca­kë­ve nga Anadolli.

Shtypi shqiptar e quajti gabim fatal trajtimin e çësh­tjes shqiptare në varësi të ngushtë me çështjen lindore. Me qëndrime të tilla në shtypin shqiptar dhe atë të huaj dolën edhe diplomatë të shquar shqiptarë, sikundër ishte Mithat Frashëri. Përmes shkrimeve të tij të guximshme në gazetat greke, ai shtroi propozime për shpërndarjen e Silogut të Vo­ri­oepirit, që kishte program shovinist antishqiptar. Me shkri­met e tij në organet e shtypit ngulmoi “për një ngritje ideo-po­litike dhe kulturore të shqiptarëve për të hyrë në lidhje me botën e qytetëruar dhe me Institutet e Evropës”. Ai e ki­shte përcaktuar qartë kredon politike për përparimin dhe mirëqenien e Shqipërisë, duke e rreshtuar veten “kun­dër lë­vizjes bolshevike” dhe për një “lëvizje demokra­ti­ke”.

Kërkesat e raportet që iu paraqitën Këshillit të Lidhjes së Kombeve bënë që në mbledhje të veçanta të këtij këshilli në vitet 1923-1928 Fan Noli, Mithat Frashëri, Be­noit Bli­ni­shti, Mehmet Konica, Rauf Fico e shumë dip­lo­matë të tjerë shqiptarë ta shprehnin qëndrimin e Qeve­ri­së shqiptare në mbrojtje të çamëve.

Pa dyshim në këtë drejtim përpjekje dhe kontribut të veçantë dha edhe Mithat Frashëri.