Ballina Europë U arratis në mënyrë spektakolare nga burgu në Itali, ja ku gjendet...

U arratis në mënyrë spektakolare nga burgu në Itali, ja ku gjendet i pajetë trafikanti shqiptar

12
0

Roland Dedja, një 40-vjeçar nga Durrësi, i shpallur në kërkim pas arratisjes së bujshme në shtator të një viti më parë nga një burg në Itali, është gjetur i vdekur në Bolivi.

Lajmi konfirmohet nga mediat boliviane, të cilat raportojnë se një person u gjet i pajetë në një banesë të marrë me qira bashkë me një shok në zonën veriore të lagjes Los Tusequis në Santa Cruz të Bolivisë.

Pas vdekjes së papritur të 40-vjeçarit, policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka konstatuar se i huaji kishte humbur jetën si pasojë e një ataku kardiak. Fillimisht policia ka sekuestruar një pasaportë italiane të viktimës. Më pas, hetimet e prokurores së specializuar për krimet kundër jetës, Rose María Barrientos, zbuluan se pasaporta italiane që mbante ishte false.

Prokuroria dhe Policia kërkuan më shumë informacion nga ambasada italiane, ku u mësua se bëhet fjalë për një të kërkuar me kartelë të kuqe, i arratisur nga një burg në Romë.

Ai është identifikuar si Roland Dedja, 40 vjeç nga Durrësi. Në 25 shtator 2023, ai u arratis nga burgu i Teramos në Abruzo, i ndihmuar nga një dron i jashtëm, i cili transportoi mjetet e nevojshme që u përdorën më pas nga 40-vjeçari për të prerë kangjellat dhe për të zbritur me litar. Dedja në momentin e arratisjes, ishte në pritje të gjykimit për drogë dhe për grabitje pas arrestimit në Martinsicuro.

Ai më parë ishte akuzuar edhe për vrasjen e shqiptarit Shpëtim Cupa në Brescia, Itali. Në shkallë të parë ai kishte marrë pafajësi, por çështja më pas u apelua dhe nuk ka informacion për vendimin e mëtejshëm.

Kjo nuk është arratisja e parë që 40-vjeçari ka kryer, pasi edhe në vitin 2010 është arratisur nga burgu i Pisas, së bashku me një tjetër shqiptar. Atëherë ai ndodhej në burg për vrasjen e 44-vjeçarit Shpëtim Cupa në 23 shkurt 2010 dhe një tentativë vrasje. Dedja mësohet se ka jetuar më parë në Spanjë, Francë, ndërsa ka pasur në përdorim edhe një pasaportë çeke false nën emrin Kamill Hladky.

Sipas autoriteteve boliviane, Roland Dedja ka hyrë në Bolivi në nëntor 2023 përmes Desaguadero. Ai mori me qira një shtëpi në zonën veriore të Los Tusequis dhe dihet se, në momentin e vdekjes së tij, ai jetonte me një mik bolivian që ishte në ndjekje penale për mashtrime të shumta. Sipas hetimeve të Prokurorisë dhe Policisë, shoqëruesi i tij është zhdukur që nga dita e vdekjes së Dedjas. Rasti është raportuar në Interpol, ndërsa hetimet nuk kanë përfunduar ende.