Ballina Politika Skandal në bashkinë Durrës/ Kryebashkiakja Emiriana Sako rrit me 57% pagën e...

Skandal në bashkinë Durrës/ Kryebashkiakja Emiriana Sako rrit me 57% pagën e saj, shton edhe…

179
0

Larg vëmendjes së medias dhe publikut të fokusuar tek anija me mbetje që ka mbërritur në radën e portit detar, Këshilli Bashkiak i Durrësit ka votuar rritjen e pagës së kryetares së bashkisë dhe administratës bashkiake.

Miratimi u bë pa votat e shumicës së këshilltarëve të opozitës që braktisën sallën pas debatit për hendekun social-ekonomik që krijohet mes këtyre pagave, pensioneve dhe ndihmës ekonomike që u jepet familjeve në nevojë.

“57% rritja e pagës për kryetaren, pensionistëve i rritet me 4,1%, ndërsa ndihma ekonomike është rreth 2200 lekë në muaj, kjo nuk shkon. Këtë diskriminim nuk mund ta pranojmë“, u shpreh Dritan Burgija, Kryetar i grupit të këshilltarëve të PD-së.

Kreu i këshilltarëve demokratë kërkoi dhe reagimin e socialistëve kundër kthimit të mbetjeve toksike në Durrës pasi ato i dëmtojnë të gjithë popullatën, pavarësisht përkatësisë politike. Më pas në shenjë proteste këshilltarët e PD-së dhe Partisë së Lirisë u larguan nga salla. Pavarësisht kësaj këshilltarët socialistë dhe aleatët e tyre, miratuan rritjen e pagave për funksionarët e zgjedhur dhe të gjithë nëpunësit civilë. Rritja varion nga 57 % për kryetaren e bashkisë, deri në 7 % në varësi të pozicionit të punës. Rritje është miratuar dhe për shpërblimin mujor të këshilltarëve bashkiakë të Durrësit.

Sipas kryetares së bashkisë Emiriana Sako, rritja e pagave do të sjellë një shërbim më cilësor për qytetarët.