Ballina Aktualitet Turistë britanikë në Vjosë, Rama: Të dashuruar pas lundrimit sportiv dhe thesareve...

Turistë britanikë në Vjosë, Rama: Të dashuruar pas lundrimit sportiv dhe thesareve tona natyrore

26
0

Vjosa dhe lundrimi sportiv në ujërat e saj duket se ka tërhequr vëmendjen e turistëve të huaj që vizitojnë vendin tonë.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje të turistëve britanikë nga Vjosa, ku vijojnë mbërrijnë në numër të konsiderueshëm vizitorë të huaj po edhe vendas, të dashuruar pas llojeve të ndryshme të lundrimit sportiv po edhe pas thesareve tona natyrore.

Vjosa dhe zonat e mbrojtura të Shqipërisë, vazhdojnë të “thithin” një numër të jashtëzakonshëm turistësh të huaj. Në një takim me operatorë turistikë muajin e kaluar, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se Parku Kombëtar i Lumit Vjosa, është vizituar në masë gjatë këtij viti.

Gjatë muajve janar-gusht të vitit 2024, zonat e mbrojtura janë vizituar nga 3.8 milionë vizitorë, me një rritje prej 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

“Vjosa është lumë, por është edhe ekonomi. Dhe na kërkon të jemi shumë të kujdesshëm, sepse në momentin e parë që mund ta prekim ose dëmtojmë pa dashje ose nga dëshira për të vrapuar pak më shpejt, mund të dëmtojmë biznesin e së ardhmes. Prandaj i gjithë ky koncept i turizmit që e quajmë turizëm i qëndrueshëm, si dhe ekoturizmi kanë krijuar të tjera aktivitete sektoriale në turizëm”, u shpreh ministrja Kumbaro.