Ballina Bota Robert F. Kennedy Jr. nuk i hiqet emri prej fletëvotimeve, Trump ‘dëmtohet’...

Robert F. Kennedy Jr. nuk i hiqet emri prej fletëvotimeve, Trump ‘dëmtohet’ në Michigan dhe Wisconsin

5
0

Gjykata e Lartë të martën refuzoi kërkesën e Robert F. Kennedy Jr. për t’ia hequr emrin nga fletët e votimit në shtetet e Michiganit dhe Wisconsinit, shtete kyçe ku votat për fushatën e tij, tashmë të pezulluar, mund të ndikojnë negativisht në mbështetjen për ish-presidentin amerikan, Donald Trump.

Kennedy, i cili u tërhoq nga gara në muajin gusht dhe mbështeti Trumpin, kërkoi urgjentisht prej Gjykatës së Lartë që shtetet t’ia hiqnin emrin nga fletët e votimit. Megjithatë, zyrtarët zgjedhorë të shtetit kundërshtuan, duke theksuar se votimi i hershëm dhe ai nëpërmjet postës në këto shtete tashmë kishte filluar. Me fjalë të tjera, sipas tyre, ishte shumë vonë, shkruan cnn.

Gjykata e Lartë dha vendimin pa shpjegime të mëtejshme, gjë që është e zakonshme për çështjet urgjente. Gjykatësi Neil Gorsuch, pjesë e krahut konservator të gjykatës, kundërshtoi në rastin e Michiganit.

Në një zhvillim të pazakontë, Kennedy i kishte kërkuar më herët Gjykatës së Lartë ta ndihmonte për të futur emrin në fletët e votimit në New York. Pas pezullimit të fushatës së tij, Kennedy fillimisht sugjeroi që votuesit mund të vazhdonin ta mbështesnin atë në shtete më pak konkurruese, Gjykata e Lartë gjithashtu refuzoi atë kërkesë.

Në qendër të çështjes së Kennedyt në Michigan dhe Wisconsin ishte argumenti se shtetet po ia shkelin të drejtat bazuar në Amendamentin e Parë duke e detyruar atë të sugjerojë te votuesit se ende është kandidat.

Michigan njoftoi Gjykatën e Lartë këtë javë se më shumë se 1.5 milion votues tashmë kishin dorëzuar fletët e votimit me emrin e Kennedyit si opsion dhe se rreth 263 mijë banorë të tjerë kishin votuar herët.