Nga Tahir Bezhani
Gjon Marku, një krijues i njohur anekënd trojeve tona shqiptare, i cili me veprat e tija letrare e shkencore, po le gjurmë te thella në rrugëtimin e tij si krijues me cilësi të larta prozaike, poetike, duke udhëtuar kah majat e elitës krijuese . Pra, është një krijues brilant i cili me talentin e shkathtësitë e veçanta, para publikut lexues kudo që folët shqipja, përherë e më tepër, po e zgjon kureshtjen tek masa e lexuesve të pasionuar. Tematikat e përzgjedhura në trajtimin e pendës së Gjon Markut, në prozën e shkurtër e të gjatë, ( së fundmi edhe në poezi), janë tema bashkohore të kohës, ku njeriu ,qytetari jonë, gjendet i mbështjellë në lëvozhgen e kësaj problematike trajtuese. Gama gjithëpërfshirëse tematike jetësore nga penda e mprehtë e Gjon Markut, e ngritë autorin në piedestalin e krijuesit, aty ku dëshirojmë të gjithë ta kemi e ta lexojmë gjithmonë.
Gjitha ato që u ceken më lartë ,lexuesi mund t’i shijojë në librin me tregime, ”Vij e hyj brenda teje,” një libër solit me 270 faqe, ku gjejnë vend njëzet e katër tregime artistike me tematika të ndryshme nga ambiente të jetës sonë të përditshme, duke mos lënë anash assesi, traditat mirditase dhe jetën nën rrethanat e kohës së kaluar, si eminentë psikologjike e logjike e ngulitur në kujtesën tonë.
Librin me tregime “Vij e hyj brenda teje,” autori, si çdo krijues tjetër emblematik, e fillon me vendlindjen ,me ambientin jetësorë të Mirditës së lavdishme, duke evokuar kujtimet e jetës, të cilat ia ngrisin përherë zjarrin e mallit e dashurinë për urëzat e oxhakut të kullave, aty ku fjala zë vend si guri.
Në tregimin e parë me titull “ Të lutem më fal,” autori sikur se i kërkon falje truallit të vet, ambientit mirditas, nga i cili kohë më parë ka ikur në qendër të Tiranës për jetë e punë. Vizitat e herëpashershme vendlindjes, autorin e mbushin tej mase me nostalgji e mall, posaçërisht kur takohet me ata pleq të urtë e gojëtar të Mirditës, me të cilët dikur, ka ndarë gëzimet e hidhërimet e jetës. Rasti i takimit gjatë një vizite me plakun Lalë Kola, ishte mjaft indikativ për të “ndezë” emocionet e përmallimet e autori, të cilin e takon “në cep rrugës ulur, shuaj e ndiz një llullë shqope, me një kollë ftohje në gjoks, ulur në një guri, të cilit i dridheshin thinjat nga flladi i maleve….” Në këtë rast, autori përshkruan momentin dhe e ndjen dhimbjen në thellësi, për faktin se nga fshati kanë ikur, (thuaja) ,e gjithë rinia jashtë vendit dhe zbrazësia shpirtërore ishte dukuri prekëse në të gjitha rrethanat…Kjo dukuri jo vetëm se është një hall jete të jetuarit në vetmi, por si dukuri, (e pa përvojë),jashtë traditës. Nga ky këndvështrim, autori shpërthen me dufin e tij poetik, duke përshkruar momente të ndjeshme:” Brenda meje fle një dhimbje që nuk mbaron kurrë, sikur merr jetë e bëhet hija jote….”
Duke u thelluar në brendinë e këtij libri me shumë vlerë, në secilin tregim të lexuar, gjënë përditshmërinë e kohës në shumë aspekte, trajtuar me elokuencë artistike, nga një pendë tani e mirënjohur e prozës shqipe.
Gjon Marku, në tregimet e përfshira në këtë libër, nuk anashkalon aspektin e diskriminimet të institucioneve shtetërore nga të gjitha nivelet, si një dukuri tejet negative të kohës dhe të zhvillimit të demokracisë në vend. Korrupsionin, nepotizmin, imoraliteti, falsifikimet e ndryshme në çdo segment të jetës, janë dukuri me peshë mbi shoqërinë në ecje, të cilat pengojnë zhvillimin normal të individit dhe shoqërisë në tërësi. Njeriu i futur në shpirtin dhe zemrën e popullit, në këtë rast krijuesi letrarë si Gjon Marku, nuk e ulë kokën para dukurive të tilla, të cilat paraqesin shëmtinë pushtetare dhe vrasin ndërgjeien qytetare, por i ve në spikamë, lufton dukuritë negative përmes pendës së tij.
Të gjitha prapështitë pushtetare, autori më së miri i ka cekë në tregimin ”Ti vjedh paratë e baxhanakut për me ble një diplomë”. Vet titulli i tregimit mjafton që të kuptojmë dukurinë që trajtohet brenda rreshtave të tij, e që ka peshë të veçantë shoqërore e politike, si dukuri….
Padyshim se Gjon Marku, në tregimet e tij artistike, trajton me një ndjenjë të veçantë aspektet e luftës në Kosovë, aty ku gjaku i derdhur këputi me gërshërë për një kohë dashurinë mes dy të rinjve nga tmerret e papara shkaktuar nga bishat e Karpateve. Njëherit, duke përshkruar sakrificat e papara e qëndresën heroike në trojet tona ,autori tregon ndjenjën e kombëtarizimit. Sa bukur e me shumë emocione e përshkruan këtë situatë, qëndresë, përmes protagonistëve të tregimit, ku Valoni e Nora, zbërthejnë bukur esencën shpirtërore të qëndresës njerëzore. Nora i bashkëngjitet formacionit ushtarak të U Ç K-së, duke luftuar me mish e me shpirtë për lirinë e vendit ndaj një barbari klasor.
Në këtë vazhdë të rrëfimit, padyshim se zgjojnë kureshtjen mëritë mes popujve me ngatërresa edhe kur takohen në qytete-shtete të ndryshme të Evropës si rasti i Daniellit me Valonin në një universitet Zviceran. Valoni nuk dëshiron të vendoset në një dhomë konvikti me Daniellin kinse ai e “pi duhanin”…Ky moment ceket si një rast eklatant mes “botës” se ngatërruar njerëzore, ku si mesazh shprehet dukuria civilizuese e pajtimit ndërnjerësorë
Traditat dhe aspektet mitologjike në tregimet e Gjon Markut.
Aspektet e traditës zënë një vend të veçantë në prozën e Gjon Markut, i cili me dije e nivel të lartë ,i trajton si dukuri e fenomen i shoqërisë sonë shqiptare në të kaluarën dhe të tashmen. Fenomeni i vrasjeve,( gjakmarrjes), si një plagë e vjetër, të cilën na e lanë në prehër armiqtë tonë historikë, ndërsa ne e përkundim ende, si dukuri negative, në meset tona, për fatin e keq. Në tregimin “Monedha e munguar e gjakut”, përmes protagonistëve Pjetër Gjini e Deda, përmes të cilëve gërshetohet ngjarja e hidhur, vrasje, përshkruhen momentet tejet prekës që nga akti i shëmtisë deri te akti fisnik i pajtimit mes tyre. Kulla, si gjithmonë, vendi i kuvendit te burrërisë e fisnikërisë, bujarisë shqiptare, trajtohet si pjesë historike iliro-shqiptare me te gjitha veçoritë e trojeve tona shqiptare, kudo.
Në fillet e gjakimit të dy familjeve, kërkohet “BESA sipas traditës kanunore, ndërsa djali i gjakësit tenton të del nga kulla pa e pyetur babën, me ç ‘rast babai i thotë: ” pse ke dalë prej kulle babë, gjakësi kërkon të marrë hak e nuk na ka dhënë besë?…” Në këtë këndvështrim autori me vigjilencë ka dashur të ven në dukje mospajtimet mes gjeneratash, si e paarsyeshme vëllavrasja, dhe, si traditë, t’ia shpjegoi djalit “rregullat” rojës, ashtu si janë. Në këtë aspekt, mendoj se autori i librit, tregon gjithë dijen, talentin dhe filozofinë e jetës në rrethana të caktuara kohore. Tregimi “Monedha e munguar e gjakut” përfundon me pajtimin mes dy familjeve Pjetri- Deda, me angazhimin e njerëzve përparimtarë të rrethit, ilaka e gojëtarë te vendit.
Ka një fenomen që para ndodhive të këqija në familjet shqiptare, paraprijnë disa gjëra mitologjike, si lajmëtarë të keqes familjare. Këto paralajmërime mitologjike, vijnë nga krrokamat e korbit, shpendkeqes e disa zërave mistike të paparë, si ëndrrat etje. fenomene, ku autori i materializon mirë në prozën e tij dhe u jep konotacion filozofikë e historik.
Autori i librit “Vij e hyj brenda,” Gjon Marku, gjithë përfshirjen tematike në këtë libër, e libra tjerë, e ka bërë, e bënë me një dashuri e përgjegjësi personale, ashtu siç duhet, me guxim e talent të përsosur. Përgjegjësia dhe dashuria, si dhe guximi ndaj veprimit që ndërmerr, gjithmonë të ngrisin në piedestalin e merituar.
Stili dhe gjuha si mjete artistike në prozën e Gjon Markut.
Lexuesit e Gjon Markut, tani më, janë të njohur me karakteristikat e të shkruarit si në prozë, ashtu edhe në poezi. Gjuha e rrjedhshëme, fjalët e përdorura ne vendin e duhur sipas rrëfimit të rastit,” pa filozofime” siç ndodhë tek disa, përbëjnë njërën nga vlerat e artit gjuhësorë të autorit. Në çdo rrëfim tregimtarë, bënë një përshkrim poetik të ambientit, të natyrës, fenomeneve natyrore sa që tregimi të gjason në prozën poetike. Ndonëse, këtë formë të shkruarit të tregimeve e konsideroj si stil personal dhe mjaft frymëzues e të qëlluar nga aspekti persona. Ka një dukuri që e dallon Gjon Markun në prozën e tij bashkohore. Ai është përdorues i shkathet i fjalëformimeve të reja, neologjizmave, që na bie në sy edhe si lëvrues i gjuhës shqipe.
Për librin me tregime, “Vij e hyj brenda teje,” mund te shkruhen edhe shumë e shumë faqe tjera, komente recensione nga këndvështrime të ndryshme, sepse , me të drejtë, secili lexues i librave të Gjon Markut, mund të nxjerrë konkludime të reja nga se i tëri është pasuri nisur nga shumë aspekte letrare.