Ballina Kulturë Fake News do na fundosë. Clooney dhe beteja për të vërtetën

Fake News do na fundosë. Clooney dhe beteja për të vërtetën

6
0

Duhet edhe më pak se një javë deri në zgjedhjet që do të vendosin për fatin e Amerikës dhe botës.
Dhe George Clooney ka zbritur në fushë. Aktori 63-vjeçar, mbështetës i demokrates Kamala Harris kundër Donald Trump, nuk shihet në dokumentarin me regjisor austriakun Friedrich Moser. Por, së bashku me Grant Henslov, ai është producent ekzekutiv i “Si të ndërtosh një motor të së vërtetës”, një projekt të cilin e ka fort për zemër. Domethënë, si të ndërtohet një motor i së vërtetës, kundër dezinformatave dhe lajmeve të rreme, që sipas Clooney dhe filmit të tij po rrezikojnë seriozisht “qytetërimin tonë, në rrezik zhdukjeje”.

Ylli fitues i Çmimeve Oscar nuk ka dyshime: “Nuk ka pasur kurrë një moment më të rëndësishëm në histori për të folur për dezinformimin,” tha Clooney në prag të shfaqjes së dokumentarit.

“Friedrich na udhëzon nëpër këtë botë shumë komplekse, duke hyrë në detaje të jashtëzakonshme. Është si një tren që udhëton me shpejtësi të ngadaltë, të gjithë e dinë këtë, por askush nuk mund ta ndalojë. Por, këtë herë nuk do të mund të pretendojmë se nuk na kanë paralajmëruar”.

“Dezinformimi dhe gënjeshtra tani po bëhen diçka e pranueshme,” paralajmëron Peter Cochrane, profesor i Shkencës dhe Teknologjisë në Universitetin e Kembrixhit, në fillim të filmit, “Ndjehem sikur po rilexoj artin e luftës të Sun Tzu, kur ai pretendon që për ta mposhtur armikun duhet ta ngatërrosh me dezinformim. Kjo është ajo që po ndodh edhe sot”.

Në një epokë në të cilën mediat sociale si X kanë ngadalësuar mjetet për parandalimin e lajmeve të rreme dhe ku vetë pronari i X, Elon Musk, u shpërndan 100 milion ndjekësve lloj-lloj broçkullash

Siç na thotë filmi “Si të ndërtoni një motor të së vërtetës”, teoritë e dezinformimit dhe konspiracionit kanë arritur nivele kolosale, të papara që nga vitet 1930. Dokumentari, përveç mbledhjes së opinioneve nga ekspertë dhe studiues të shquar, demonstron se si rrjedha e informacionit dhe “për rrjedhojë edhe mendjet e njerëzve dhe realiteti” mund të “hacker-ohen” shkencërisht.

Ka teknika të ndryshme, siç tregon gazetarja dhe aktivistja amerikane për shprehjen e lirë Susan Benesch. Për shembull, duke krijuar me vetëdije, me përdorues të tjerë, të ashtuquajturat “dhoma të jehonës” për të përsëritur në mënyrë obsesive mashtrimet dhe për të infektuar qarqet e tjera të diskutimit në internet, duke përsëritur lajmet e rreme që kështu shndërrohen në “superorganizma të gjallë dhe organikë”.

Ose, fabrikuesit e dezinformatave shfrytëzojnë mekanizmat e trurit tonë, siç është “sistemi i shpërblimit” mbi të cilin bazohet truri, i cili kapet në befasi kur nuk mund të parashikojë më ngjarje dhe në vend të kësaj tërhiqet nga rindërtimet imagjinare ose të rreme të ngjarjeve.

Ose përsëri, thonë ekipet investiguese të New York Times, ka aparate shtetërore dezinformuese, veçanërisht nga Rusia, siç tregojnë filmi dhe ekspertët e tij në rastet e masakrës së civilëve në Bucha ukrainase, ose në përdorimin e armëve kimike nga diktatori sirian Bashar al Assad.

Është një udhëtim shqetësues, i cili na shpjegon sesi mendjet tona mund të manipulohen dhe devijohen nga dezinformatat në nivele shkencore. Çfarë duhet bërë?

Në radhë të parë roli i gazetarisë mbetet qendror, “i vetmi subjekt që tani ka mjetet, kapacitetin dhe burimet për të provuar të mbrojë të vërtetën”. Dhe pastaj armatosja me shumë durim të përditshëm: “Të krijosh gënjeshtra është e thjeshtë dhe shpesh shumë e shpejtë. Megjithatë, rivendosja e së vërtetës kërkon shumë kohë dhe pasion”, thotë Tim Tangherlini, profesor në Berkley: “Na takon ne ta mbrojmë atë. Nuk mund të bëjmë më sikur nuk ka ndodhur gjë”. / bota.al