Ballina Aktualitet A mund të hetojë SPAK grabitjen e truallit publik në Durrës dhe...

A mund të hetojë SPAK grabitjen e truallit publik në Durrës dhe kreun e PS Durrësit Luan Zaza

19
0

Në numrat paraardhës kemi bërë publike një sërë dokumentash të Bashkisë Durrës të cilat provonin se me disa vendime të KKT dhe Këshillit Bashkiak të tjetërsohej prona publike në kundërshtim dhe në shkelje të ligjit, me qëllim përfitimin e një grushti personash, disa ndër të cilët drejtojnë sot degën e Partisë Socialiste në Durrës.

Përpara se këtë dosje t’ja përcjellim Prokurorisë së Posacme SPAK në interest të lexuesve tanë dhe të publikut po botojmë të plotë rrugën që është ndjekur për grabitur pronën publike e për ta tjetërsuar atë në favor të zazave apo xaxave të PS. Nga konsultimi i dosjes me ekspertë të fushës së ndërtimit dhe të jurisprudencës kemi arritur në përfundimin se jemi më së paku në konsumimin e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryera në bashkëpunim.

Nga materialet në dosje konstatohet se në vitin 2001 KRRT e Bashkisë Durrës ka marrë vendimin numër 2, datë 04.04.2001, sipas të cilit një numri punonjësish të Bashkisë u njihej e drejta të trajtoheshin si të pastrehë dhe mundësia për të ndërtuar një ndërtesë 7 kate në një truall publik me sipërfaqe 350 metra katrorë të ndodhur në lagjen numër 1. Ky vendim është në kundërshtim me ligjin pasi KRRT ishtë në atë kohë, organi që lëshonte lejet e ndëtimit dhe jo organi që trajtone të pastrehët. Kategorizimi dhe trajtimi i të pastrehëve, qoftë edhe me leje ndëtimit, ishte kompetencë e Këshillit Bashkiak. Nga aktet bashkëlidhur vendimit numër 2, datë 04.04.2001 të KRRT nuk konstatohet që nga ana e Këshillit Bashkiak të ketë pasur ndonjë vendim për njohjen dhe dhënien e statusit “të pastrehë” për familjet e shtatë përfituesve të lejes së ndërtimit. Përpos kësaj për dhënien e lejes së ndërtimit ishte e domosdoshme, sipas ligjit të kohës dhe ligjit aktual, që kërkuesit të dispononin një dokument pronësie mbi truallin mbi të cilin kërkonin të ndëtonin, ose më së paku një akt tjetër të lidhur me pronarin e truallit që jepte pëlqimin e këtij të fundit për ndërtimin në truallin në pronësi të tij. As ky dokument nuk rezulton në dosjen e vendimit numër 2 të datës 04.04.2001. Nisur nga fakti që trualli mbi të cilin është dhënë leja zhvillimore dhe ajo e ndërtimit është truall publik, do të duhet që ose nga Këshilli Bashkiak, si përfaqsues i pronarit (qytetarëve, pasi pasuria publike është e qytetarëve dhe vetëm administrohet nga shteti) ose nga ndonjë ent tjetër shtetëror të ishte marrë vendimi për lejimin e ndërtimit të këtij objekti në truallin publik. Faktet provojnë që ky vendim është marrë vetëm në vitin 2002, kohë pasi është  marrë vendimi numër 2 i KRRT Durrës.

Ndonëse në vendimin numër 2, datë 04.04.2001 të KRRT përcaktohen se cilët janë personat që përfitojnë lejen e zhvillimit dhe të ndëtimit me vendimin numër 182, datë 31.01.2002 të Këshillit Bashkiak është miratuar lista e familjeve që do të përfitojnë strehim me kontributin e tyre sipas vendimit të KRRT-së numër 2, datë 10.04.2001. Pra Këshilli Bashkiak ka miratuar listën që tashmë e kishte marrë lejen e zhvillimit/ndërtimit 8 muaj më parë. Korpusi ligjor shqiptar në fushën e ndëtimit dhe atë të vetëqeverisjes vendore nuk njeh raste në të cilat fillimisht jepet leja e ndërtimit për listën e përfituesve e më pas merret një vendim që kjo listë do të përfitojë. Ky vendim i Këshillit Bashkiak më së paku është i pavlefshëm, ndonëse mënyra e veprimit dhe aktet e prodhuara nga viti 2001 deri në vitin 2002 provojnë që qëllimi ka qënë ai i mbulimit të një akti jo të ligjshëm të kryer më parë në kohë dhe që ka pasur për objekt grabitjen e truallit publik.

Historia e mbulimit të vjedhjes ka vijuar në kohë të mëpasshme me vendimet numër 182 dhe 189 të Këshillit Bshkiak, me vendimet e KRRT të vitit 2002 me të cilat është ndryshuar leja e ndërtimit duke kaluar nga 7 kate në 10 kate dhe me pagesën e vlerës së truallit nga ana e “të pastrehëve” pa një akt ligjor me të cilin kalohej pronësia e truallit nga publiku te private. Ajo që është e habitshme në këtë dosje është fakti që “të pastrehët” jo vetem që kishin aftësi financiare për të ndëtuar një pallat 10 kate por kishin edhe aftësinë financiare për të blerë (në kundërshtim me ligjin) truallin publik ku u ndëtuar ky pallat.

Me depozitimin e dosjes në Prokurorinë e Posacme SPAK, së bashku me kallzimin penal do të shtrojmë për përgjigje përpara prokurorisë pyetjet e mëposhtme:

–              Cila është procedura e ndjekur për marrjen e statusit “të pastrehë” për zazat apo xaxat e Bashkisë Durrës?

–              Cilat janë dokumentat mbi të cilat është marrë vendimi numër 2 i datës 04.04.2001 i KRRT të Bashkisë Durrës?

–              Cili është akti me të cilin Këshillit Bashkiak Durrës ka vendosur shitjen e një sipërfaqe truall prej 350 m2 në favor të “të pastrehëve”?

–              A është ndëtuar ky pallat prej 10 katesh në lagjen 1 në Durrës? Nëse jo, ku është ndëtuar dhe mbi cfarë aktesh dokumentare?

–              Cfarë ka ndodhur me sipërfaqet e ndërtuara të cilat nuk janë marrë nga “të pastrehët”? A janë shitur dhe kujt i janë shitur?

Detyra e gazetarisë është të referojë faktet për publikun, detyra qytetare është që të mbrojë pronën publike duke i dërguar të gjitha materialet në prokurori dhe detyra e SPAK është që të hetojë grabitjen. Në po bëjmë pjesën e gazetarisë dhe atë qytetare, i mbetet SPAK të bëjë pjesën e drejtësisë.

Në datën 23.12.2002 nga Drejtoria e Urbanistikës e Bashkisë Durrës lëshohet një vërtetim me të cilin konfirmohet se më vendimin numër 182, datë 31.01.2002 të Këshillit Bashkiak është vendosur ndryshimi i destinacionit të truallit prej 350 m2 nga pronë publike në pronë private. Pallati është ndërtuar 10 kate nga 7 që përmbante leja fillestare e ndërtimit dhe jo në lagjen 1 por në lagjen 6.