Nga Mark Brunga
Arkeologu Vangjel ToçI nuk arriti të mbaronte studimet në Itali për mjekësi, për arësye të situatave të krijuara nga lufta e dytë botërore dhe pushtimit fashist të vëndit. Ky njeri inteligjent, modest dhe kërkues e këmbëngulës, pas çlirimit vijoi të jetë një “mjek” i përkushtuar, por në këtë rast i një tjetër sektori. Ai mbeti mjeku që kuroi arkeologjinë durrsake. Dhe e lartësoi atë në një piedestal nderi. Arkeologu autodidakt arriti ti japë në pak vite qytetit të vet Durresit, por edhe arkeologjisë Europiane e asaj botërore, zbulime të rëndësishme që arrinin majat e zbulimeve arkeologjike të realizuara pas luftës së dytë botërore. I ketij niveli ishte zbulimi prej tij i amfiteatrit të Durresit, të nje monumenti të rëndësishëm të lashtësisë… Ai arriti të zbulojë atë që shume figura pezante të arkeologjisë boterore, i kaluan pranë por ndoshta dështuan për amfitetatrin. Në kujtimet e veta Toçi thekson në vitin 1966, se është interesant fakti se arkeologë dhe të tjerë kërkimtarë të huaj, duke filluar që nga L. Heuzey këtu e një shekull më parë e deri në C. Patsch, C. Praschniker, A. Schober, L. Rey, L. Ugolini, etj., të cilët kanë parë e përshkruar monumente të qytetit tonë, nuk i përmendin ose vënë në dukje në veprat e tyre këto vlera të kulturës materiale. Është fjala sikurse vëren Toçi, për disa objekte të vjetra mbi sipërfaqe që i përkisnin amfitetarit të groposur nën dhe. Këto objekte (që nuk ishin vene re ) sqaron arkeologu i madh, ishin dëshmitare të heshtura të një lulëzimi të shkuar, ato, përkundrazi, kanë tërhequr prej kohësh vëmëndjen tonë. Për këtë arësye jemi munduar, me anë kërkimesh të vazhdueshme, të sqarojmë më thellë natyrën e tyre dhe të gjejmë lidhjet që kanë ato. Gërmimet arkeologjike që kemi bërë këta muaj, na kanë shpënë, më në fund, në identifikimin e një monumenti të madh: në zbulimin e amfiteatrit të Dyrrahit. Sikurse shihet në stilin e thjeshte dhe konçiz që ofron arkeologu, këtë zbulim madhështor e kumton me nje thjeshtësi të admirueshme. Ai ka kaluar orë të tëra deri vite, duke u marre me kerkime, analiza zbulimesh që mund të ishin “kode” për ekzistencën e objekteve më të mëdha. Pasi ishte i ndergjegjshëm se fytyra e Durrësit, pas gjithe atyre epiteteve superuese që kishte marre nga magët e botës romane si “Taverna e Adriatikut”, nuk mund të ishte thjeshtë në pamjet e rrënojave të trashëguara . Por shumë më tepër. Duke e ditur se ajo periudhe shkelqimi nuk ti jepte meritat kot. Ai ishte i ndergjegjshëm se historia antike e kishte “mbarsur” nëntokën durrsake, me ato pasuri arkeologjike që i kishte vizituar edhe ne qytetet e vjetra romane, kur ishte student. Dhe kur ecte me ato hapat e matura të tijat, ai perpiqej mbase të maste temperaturën e nëtokës, si student mjekësi që kishte qënë, për të përcaktuar se kur do ti vinin “dhembjet” e lindjes historisë së re Durrsake. Ai ishte i bindur për këtë, pasi sikurse shkruan, kishte merrë si deshmi tërthorazi: “ mjaft paraqitje skulpturale me dyluftime të zbuluara në qytet, dhe veçanërisht një mbishkrim latin që bën fjalë për një çfaqje në të cilën morën pjesë dymbëdhjetë çifte gladiatorësh. Mbishkrimi na lë të kuptojmë, nga ana tjetër se amfitetari ekzistonte e që në kohën e perandorit Trajan” do të shkruante ne raportin e vet…Dhe mjeku arkeolog,” bashkëpunëtori i vjetër shkencor”, tashmë do ta asistonte këtë lindje. Në vitin 1966 ai njoftoi dhe publikoi zbulimin e një amfiteatri madheshtor, të të njejtit nivel me atë të Pompeit, Kapuas etj. Një vit me pas, mësojmë se nisen gërmimet në mënyrë intensive. Në vitet 1967-1970 u krye nga shteti komunist zhvendosja e 55 familjeve me prishjen e 33 banesave private për t’i hapur rrugë zbulimit të ndërtesës antike. Pas viteve 90 një sërë projektesh synojnë të realizojnë zbulimin e plotë të ndërtesës. Lidhur me këtë zbulim , që për Shqipërine mbetet zbulim i shekujve, po japim të plote shkrimin e Vangjel Toçit “AMFITEATRI I DYRRAHIT- NJE MONUMENT I RËNDËSISHËM I LASHTËSISË”. Te botuar në shtypin e asaj periudhe kur u krye zbulimii madh historik.
VANGJEL TOÇI AMFITEATRI I DYRRAHIT- NJE MONUMENT I RËNDËSISHËM I LASHTËSISË
Në jugë-lindje të kështjellës së Durrësit, që ndodhet në kuotën 59 metra, në mes të krahut verior dhe atij jugë -perëndimor te mureve te kalase, shihen aty-këtu gjurmë të shkëputura të një ndërtimi të lashtë. Këto konstruksione kanë shërbyer si themele ose mbështetje të shumë shtëpive të kësaj zone të qytetit dhe një pjesë e tyre kanë vlejtur edhe si podrume ose strehime për t’u mbrojtur nga bombardimet. Eshtë interesant fakti se arkeologë dhe të tjerë kërkimtarë të huaj, duke filluar që nga L. Heuzey këtu e një shekull më parë e deri në C. Patsch, C. Praschniker, A. Schober, L. Rey, L. Ugolini, etj., të cilët kanë parë e përshkruar monumente të qytetit tonë, nuk i përmendin ose vënë në dukje në veprat e tyre këto vlera të kulturës materiale. Si dëshmitare të heshtura të një lulëzimi të shkuar, ato, përkundrazi, kanë tërhequr prej kohësh vëmëndjen tonë. Për këtë arësye jemi munduar, me anë kër- kimesh të vazhdueshme, të sqarojmë më thellë natyrën e tyre dhe të gjejmë lidhjet që kanë ato. Gërmimet arkeologjike që kemi bërë këta muaj, na kanë shpënë, më në fund, në identifikimin e një monumenti të madh: në zbulimin e amfiteatrit të Dyrrahit. Mbeturinat që shihen sot në sipërfaqe tregojnë disa pjesë muresh që duken si kamare, ku më të plota e ku më të cunguara. Këto mure, të tipit opusincertum, paraqesin, sikurse e tregojnë gërmimet, një pjesë të ambienteve që ndodhen nën shkallaren e amfiteatrit. Ato ndjekin, me ndërprerje, një vijë pothua oliptike, e cila përfshihet në mes të rrugëve «Kristaq Boshnjaku» e «bSotir Noka», hapësirë kjo që hedh dritë mbi përpjesëtimet me të vërtet imponente të monumentit. Ky, sipas shënjave të gjertanishme, e ka diametrin më tepër se 120 metra dhe do menduar se duhet të ketë një shtrirje akoma më të madhe nga sa tregojnë gjurmët, pasi nuk dimë akoma caqet e perimetrit të tij. Kjo na shtyn ta krahasojmë atë me amfiteatrin e Pompeit, të Sabratës, Arlesit, Polas dhe, ndoshta, me atë të Kapuas, ose të tjerë amfiteatre më të njohura të lashtësisë. Amfiteatri i Durrësit është një nga godinat e pakëta të llojit që mbështetet mbi një faqe kodre; por tani nuk mund të themi me saktësi se në cilin drejtim shkon boshti i madh i elipsit të tij. Megjithatë, nga të dhënat e sipërfaqëshme dhe shtrirja e faqes së kodrës duket se ai drejtohet nga veriu në jugë. Gërmimet për sqarimin më lëndësor të monumentit punonjësit e muzeut të qytetit i kryen në dy pika: 1) pranë portës E (me hark të thyer) të kalasë dhe 2) në oborrin e një shtëpie të rrugës «Sotir Noka» afër bulevardit. Në pikën e parë, ku ndodhet edhe krahu më i ruajtur i amfiteatrit, u zbulua një koridor i gjerë 2,10-2,30 metra, që shkon duke zbritur në drejtim të arenës. Koridori kufizohet nga dy mure të ndërtuara me breza tullash (28x22x4 cm.) pesëradhëshe të alternuar me breza gurësh. Sipër ai mbaron me hark, i përbërë nga një përzjerje e fortë llaçi me copa gurësh që mbante shkallët ku uleshin spektatorët. Dyshemeja e koridorit duket se ka qenë shtruar me tulla dhe zbritja e këtij për në arenë lehtësohej (përsa sqaron gjer tani gërmimi) nga dy pal shkallë gjashtëradhëshe me pendecë njëra më të vogël se tjera. Në dy anët e koridorit shihen kalime të tjera (galeri), të cilat, me sa kup tohet, shkojnë paralel me elipsin e arenës. Në pikën e dytë sondazhet u bënë poshtë një kamareje ku pjesët e monumentit janë ruajtur 4 metra mbi sipërfaqe. Këtu nxjerrja e dheut u pengua në 7 metra thellësi, për arësye të daljes së ujit. Megjithatë, shenjat tregojnë se amfiteatri vazhdon më poshtë dhe kjo, bashkë me matjet topografike, na le të mendojmë se fasada e tij arrinte ose kalonte lartësinë e 20 metrave, dmth të disa kateve. Në kohën e heqjes së dheut në dy pikët e përmendura dolën në dritë shumë objekte arkeologjike: fragmente arkitekture prej mermeri, enë prej balte të pjekur e qelqi, objekte bronzi, monedha, etj. Në shkallët e koridorit që përshkruam u gjendën edhe shumë kandile vaji, të cilat shërbenin për ndriçimin e ambientit. Amfiteatrot kanë qenë qëndra të mëdha argëtimi, të cilat luanin një rol të rëndësishëm në jetën publike. Ato ishin, mund të themi, një shprehje besnike e botkuptimit të shoqërisë së atëherëshme lidhur me edukatën fizike.Megjithëse fjala amfiteatër, që për herë të parë përmendet te Vitruvi (1, 7), vjen nga gërqishtja, me sa tregojnë zbulimet e gjertanishme, nuk kanë ekzistuar në Greqinë e lashtë, me përjashtim të Korintit, që në kohën e sundimit romak ishte një koloni e Cezarit. Amfiteatrot e para duket se kanë qënë ndërtuar në krahinën Kampania ta Italisë; prej këtu u përhapën në krejt siujdhezën, dhe më vonë në të gjitha provincat e perandorisë së gjerë romake. Ndertuar më parë me lëndë druri, ato filluan të lartësohen dalngadalë me material guri. I tillë është ai i Pompeit, I ngritur në vitin 80 para erës së re, që paraqet prototipin e fazës së dytë. Do thënë, megjithatë, se amfiteatri i Pompeit ishte relativisht i vogël dhe nuk shprehte konceptin e madhështisë së kohës, prandaj shpejt u ndje nevoja e ngritjes së amfiteatrove më të mëdha, që arritën kulmin e monumentalitetit me atë Flav të Romës, ose me Koloseun, me kapacitet për të plotësuar të gjitha kërkesat e spektaklit për një publik shumë të gjerë. Kësaj faze të tretëe të fundit i përket edhe amfiteatri i qytetit tonë. Amfiteatrot kishin pothua të gjitha plan eliptik dhe trajta e murit perimetral të tyre korespondonte me atë të arenës së brendëshme. Faqet e jashtëme ishin zbukuruar në shumë raste me kolona ose motive të tjera arkitektonike të stileve tuskan, jonik, korintik apo kompozit; po ashtu, shumë ambiente të tjera, si salla, muri i arenës, muret ndarëse në shkallaret (balteus), etj., ishin hijeshuar shpesh me piktura, mozaikë ose vepra të tjera arti. Aq arriti stolisja e këtyre godinave madhështore sa supozohet se në të gjitha harqet e fasadës së Koloseut (mbi 200) kanë qenë vendosur statuja. Hyrja për në amfiteatër lehtësohej me anë të galerive dhe kalimeve të tjera të brëndëshme. Në shkallaret zinin vend spektatorët. Në katër rreshtat e parë pranë arenës (podium), që ndërpriteshin nga tribuna imperiale (pul- vinar) dhe ajo e konsujve dhe magjistratëve, rrinin mbi frone metali ose druri dinjitarët e lartë; vinin pas tyre kavalierët dhe qytetarët, të cilët uleshin në dy ndarjet e mësipërme të gradinatës (maeniana), gratë dhe plebejtë që qëndronin në galeri (summa cavea) dhe më lart akoma, në këmbë, marinarët, të ngarkuar të shtrinin tendën e madhe (velarium), që mbronte turmën e shikuesve nga rrezet e diellit. Arena ku jepeshin çfaqjet mbulohej e tëra me rërë. Kjo, në ndonjë rast luksi të madh, zëvëndësohej dhe me pluhur cinabri, që i jepte sheshit një shkëlqim të kuq. Këtu organizoheshin lojrat ose luftimet e gladiatorëve (ludi gladiatorii), gjueti kafshësh të egra (venationes) dhe, kur arena përmbytej posaçërisht me ujë, deri beteja detare (naumachiae). Këto argëtime, që kushtuan jetën e aq e aq skllevërve, i tërhiqnin shumë spektatorët, të cilët disa herë vinin edhe nga viset e afërta për të mbushur shkallët e amfiteatrove. Ç‘faqjet patën një përhapje té gjerë sidomos në Azinė e Vogël dhe në Lindje (pa Palestinën), ku përkonin më mirë me zakonet, fenë dhe traditat e popullsive vendase. Në Greqi, përkundrazi, ndeshën në kundërshtimin e popullit dhe disa njerëzve të shquar të kulturës. Më vonë , lojrat e gladiatorëve dhe venacionet erdhen dalngadalë duke u pakësuar, derisa, me një vendim koncili të vitit 681, u ndalua përfundimisht dhe amfiteatrot nisen të mbyllen e të braktisen. Si qendër e rëndësishme e lashtësisë, edhe Durrësi, pra, ka patur amfiteatrin e vet. Për këtë dëshmojnë tërthorazi mjaft paraqitje skulpturale me dyluftime të zbuluaara në qytet, dhe veçanërisht një mbishkrim latin që bën fjalë për një çfaqje në të cilën morën pjesë dymbëdhjetë çifte gladiatorësh. Mbishkrimi na lë të kuptojmë, nga ana tjetër se amfitetari ekzistonte e që në kohën e perandorit Trajan, dmth në mbarim te shekullit të I ose në fillim të shekullit II të erës sonë. Amfiteatri i Durrësit është i pari që zbulohet në Shqipëri. Zbulimi i tij ka një rëndësi të madhe për ne dhe mbarë vendin, pasi na lejon të kemi . terthorazi mjaft të dhëna mbi popullsinë e dëndur të qytetit, mënyrën e jetesës së banorëve, traditat, artin, ndërtimet, etj. Kur ky monument i madh me kujdesin e partisë dhe të pushtetit popullor, do te dalë i tëri në dritë do të mbetet një dëshmi e gjallë e qytetërimit të dikurshëm në truallin tonë./bulevard