Prokuroria e Tiranës po bëhet gati t’i kalojë SPAK-ut dosjen e radhës për mashtrimin me mikrokreditë që shkaktoi dëme të pallogaritshme tek interesat ekonomike të mijëra shqiptarëve.
Një burim nga grupi i hetimit tha se çështja me 9 të dyshuar dhe dy shoqëri nën sekuestro është vendosur t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme, pasi prokurorët dyshojnë se janë përpara një grupi kriminal.
Pikërisht për këto dyshime se avokatë, subjekte financiare dhe përmbaruesit e tyre kanë vepruar në kuadër të grupit kriminal duke u shtrirë në kohë dhe me role të ndara, grupi i hetimit po vlerëson se kompetencat për shkak të këtyre cilësive i përkasin Prokurorëve të Posaçëm.
Nga aktet e administruara nga prokuroria e Tiranë rezulton se shoqëritë nën hetim morën nga banka gati 4 mijë kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite. Vlera totale e tyre është gati 7 milionë euro dhe për shlyerjen e tyre prokuroria e Tiranë zbuloi se u përdor një skemë shtrënguese e kredimarrjes ku përmes vjedhjes. debitorët u detyruan t’i shlyenin borxhet e veta me borxhe të reja. Prokuroria e Tiranës zbuloi se përmes kësaj skeme shoqëri të ndryshme përmbarimore vepruan duke bllokuar pasuritë që prokurorët e konsiderojnë se është vjedhje pasurie.
Në hetimin e kryer mbas masave gjyqësore, prokurorët kanë zbuluar se si qindra ankande mbi pasuritë e bllokuara, u kryen fiktivisht dhe pa njoftuar qytetarin. Vetëm në një ditë hetimet konstatojnë se u kryen 75 ankande të tilla.
Në aktet hetimore të administruara janë evidentuar rastet konkrete për fenomenin e vendosjes së sekuestrove konservative mbi pasuritë e paluajtshme që janë shtrirë dhe ndaj personave që nuk kanë lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
Rast tipik i kësaj natyre është çështja/dosja përmbarimore ku për një detyrim të prapambetur prej 347.958 lekësh, Micro Credit Albania ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme të një shtetasi.