Të paktën nëntë persona vdiqën gjatë natës për shkak të shpërthimeve të njëpasnjëshme të vullkanit të malit Lewotobi Laki-Laki në Indonezinë lindore, thanë sot autoritetet, duke urdhëruar banorët e fshatrave aty pranë që të evakuohen nga shtëpitë e tyre.
“Sipas autoriteteve lokale, gjashtë vdekje janë konfirmuar”, tha fillimisht për televizionin Kompas, Abdul Muhari, zëdhënës i agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive të Indonezisë (BNPB).
Pak më vonë Hieronymos Lamauran, një zyrtar në rajonin e Flores Lindore, foli për të paktën nëntë të vdekur, duke sqaruar se shpërthimet vullkanike, pas të cilave llava, hiri, shkëmbinjtë e nxehtë dhe gazrat toksikë u lëshuan nga krateri, kanë prekur shtatë fshatra deri tani.
Vullkani Leotobi Laki-Laki në ishullin Flores, i cili vlerësohet shumë nga turistët e huaj, shpërtheu gjatë natës. Në materialin vizual të marrë nga AFP, fshatrat pranë malit të vullkanit tregohen se janë mbuluar nga një shtresë e trashë hiri vullkanik dhe në disa vende edhe në zjarr.