Ballina Rajoni Virusi kërcënon peshqit në Gjirin e Kotorrit në Mal të Zi

Virusi kërcënon peshqit në Gjirin e Kotorrit në Mal të Zi

13
0

Nga Llella Shqepanoviq REL

Peshkatarët dhe zhytësit në Mal të Zi kanë vërejtur ditëve të fundit peshq të sëmurë e të ngordhur.

Të tillët, me sy e lëkurë të dëmtuar, janë parë kryesisht në Gjirin e Kotorrit.

Në Institutin e Biologjisë Detare thanë më 18 tetor se janë pothuajse të sigurt se bëhet fjalë për virusin VER nga gjinia betanodavirus.

Këtë e vërtetuan më vonë edhe analizat e dy peshqve të ngordhur, të llojit levrek, që i kreu Laboratori i Posaçëm Veterinar, njoftoi Administrata e Sigurisë Ushqimore e Malit të Zi.

Sipas saj, kjo sëmundje nuk transmetohet te njerëzit.

Instituti i Biologjisë Detare rekomandoi para dhjetë ditësh që peshqit e infektuar, të mos konsumohen, për arsye parandaluese.

Të njëjtin apel e bëri edhe Drejtoria e Ministrisë së Bujqësisë më 23 tetor.

Kjo i shqetësoi disa peshkatarë në Gjirin e Kotorrit.

Mlladen Zhivkoviq nga kjo zonë thotë për Radion Evropa e Lirë se ai, personalisht, nuk e ka parë peshkun e ngordhur, por se është duke i ndjekur zhvillimet.

“Jam i shqetësuar, sepse thonë se nëse temperatura e detit kalon 23 gradë për levrekun, ai mund të copëtohet”, thotë Zhivkoviq.

Ai shton se banorët vendas janë në dilemë – a është i ngrënshëm peshku i kapur këto ditë?

Ndaj, është e rëndësishme që autoritetet të deklarohen, sipas tij.

“Instituti thotë se nuk i prek njerëzit, por ka frikë dhe duhet të ketë shpjegime për hir të tregtarëve dhe peshkatarëve. Shpresoj që shirat dhe burimet tona ta pastrojnë”, thotë Zhivkoviq.

Disa peshkatarë e kritikojnë Institutin për lëshimin e deklaratës për shfaqjen e mundshme të virusit, përpara se të kryheshin analizat.

Njëri prej tyre është Dragan Sërdoç nga Kotorri, jetesa e të cilit varet nga peshkimi.

“Njerëzit që duan të blejnë peshk, mendojnë se të gjithë peshqit janë të infektuar dhe vetëm për këtë flasin”, thotë ai.

Ai beson se shiu që ka rënë dhe ka aktivizuar burimet, e ka ftohur dhe pastruar detin tashmë.

Si peshkatar i regjistruar thotë se nuk ka asnjë mbështetje apo mbrojtje nga shteti.

Ai, gjithashtu, beson se pakujdesia e autoriteteve dhe mosrespektimi i ligjit e kanë shkatërruar peshkimin në Gjirin e Kotorrit.

“Është kaos nga anijet dhe skafet… Ankorimet po i shkatërrojnë vendet ku hidhen rrjetat”, thotë Sërdoç.

Nga Laboratori Specialist Veterinar i Malit të Zi i thanë Radios Evropa e Lirë se “nuk ka vend për panik”.

“Sëmundja nuk transmetohet te njerëzit”, tha mjeku Bojan Axhiq, i specializuar në sëmundjet e marikulturës.

“Është treguar se virusi mund të lidhet me një qelizë njerëzore, por jo të hyjë në të. Prandaj, besohet se betanodavirusi në formën e tij aktuale, nuk mund t’i infektojë qelizat njerëzore”, njoftoi Instituti i Biologjisë Detare.

Illija Qetkoviq nga ky institut tha se shfaqja e viruseve te peshqit, është një proces i natyrshëm.

“Viruset dhe patogjenët e tjerë janë pjesë përbërëse e çdo ekosistemi”, sipas tij.

Ekspertët pajtohen se virusi nuk ka mundur të parandalohet.

“Parandalimi i këtij infeksioni të peshkut në det nuk është i mundur. Është shumë e vështirë të kontrollohen sëmundjet virale edhe në kafazet [në det]. Dhe, në ujërat e detit të hapur, parandalimi është i pamundur”, thotë Axhiq.

Qëndrim të ngjashëm shpreh edhe Qetkoviq.

“Është e pamundur të veprohet në mënyrë parandaluese ndaj këtyre fenomeneve në ekosistemin detar”, sipas tij.

Qetkoviq thekson se është e rëndësishme të largohen peshqit e ngordhur.

“… edhe të sëmurët, për shkak se reduktohet mundësia e përhapjes së sëmundjes”, thotë ai.

Axhiq thekson se është e rëndësishme që asnjë sëmundje të mos transmetohet te peshqit në kafaze.

“Andaj, u bëjmë thirrje mbarështuesve që në rast të rritjes së ngordhshmërisë së peshqve të rritur në kafaze, të kontaktojnë shërbimin veterinar, i cili do t’i dorëzojë mostrat në laborator”, thotë Axhiq.

Instituti Veterinar njoftoi se, aktualisht, nuk ka simptoma të virusit te peshqit që rriten në kafaze.

“Është shumë e rëndësishme të forcohen masat sanitare që sëmundja të mos transmetohet te peshqit në kafaze, pasi levreku është shumë i ndjeshëm ndaj kësaj sëmundjeje”, tha në deklaratë.

Sipas Qetkoviqit, virusi është regjistruar disa herë në dekadat e fundit në ujërat e Mesdheut, si dhe këto ditë në brigjet e Italisë.

Ai thotë se sëmundja shfaqet kur temperatura e detit është e ngritur dhe në zonat ku ka një përqendrim më të lartë të kërpudhave.

“Në një rast të vitit të kaluar në Spanjë, numri i peshqve të sëmurë arriti kulmin në javët e para të tetorit. Dhe ai ra ndjeshëm në fillim të nëntorit, pas rënies së temperaturës së detit për rreth 10 gradë”, thotë Qetkoviq.

Temperatura e detit në Gjirin e Kotorrit nga data 18 tetor deri në fund të kësaj jave nuk i ka kaluar 22 gradë.