Nga Daut Hoxha
Musine Kokalari, kjo bubullimë e shekullit të njëzetë, e fillon veprimtarinë politike qysh në bankat e shkollës së mesme femërore të Tiranës nga fundi i viteve tridhjetë. E lindur në një familje intelektualësh më 10 Shkurt 1917 në Adana të Turqisë, me prindër dhe vëllezër juristë me mendime nga më të moderuarat për kohën, ajo brumoset qysh në fëmijëri me ide përparimtare, me dashuri të pakufishme për trojet shqiptare dhe me urrejtje për regjimet totalitare. Duke qenë një njohëse e thellë e tabanit kombëtar dhe e kulturës botërore, ajo përqafon idealin e rilindasve kombëtarë, si të vetmen rrugë për përparimin e vendit tonë. Mbaron shkëlqyeshëm Universitetin e Romës dhe refuzon postin e dhënë në Fakultetin e Letrave të këtij universiteti, vetëm për t’u ndodhur midis popullit të saj në ato kohëra të vështira. Pushtimi fashist i 7 Prillit e hidhëroi thellë Musinenë, por ajo është e bindur se diktaturat kanë jetë të shkurtër. Gjate viteve 1940 – 1943 Musineja zhvillon një veprimtari politike të ethshme me intelektualë me botëkuptim pro demokracive perëndimore, që ishin frekuentues të rregullt të së parës mesagjeri shtypi në Shqipëri, që ajo drejtonte me aq sukses. Ajo diskutonte me patos gjendjen kritike në vend, ngjarjet në frontet e luftës dhe nxirrte konkluzionet për detyrat imperative të inteligjencës shqiptare në situatat e krijuara. Ajo ndiqte me mosbesim veprimtarinë e dyshimtë të partisë komuniste shqiptare, duke zbuluar rolin negativ të emisarëve jugosllavë. Ajo kritikonte ashpër gjithë kolaboracionistët me pushtuesit e huaj dhe i para-lajmëronte ata për fundin e turpshëm. Mbas dështimit të Konferencës së Mukjes, Gusht 1943 dhe kapitullimit të Italisë më 8 Shtator të atij viti, Musineja iu vu punës për krijimin e menjëhershëm të PSD shqiptare si një grupim politik ndërmjet partive të djathta Ballit, Legalitetit dhe partisë komuniste. Ajo, së bashku me juristin Skënder Muço, profesorin Isuf Luzi, juristin Abaz Omari e të tjerë formuan partinë social-demokrate shqiptare dhe botuan në ilegalitet 6 numra të gazetës “Zëri i Lirisë”, organ i PSD. Musineja zhvilloi takime të shumta me intelektualë të pavarur, me udhëheqës të partive politike, për të krijuar një front nacionalçlirimtar pluralist, gjë që u hodh poshtë nga PKSH, e drejtuar nga sllavofilë. Pikërisht për këtë veprimtari politike Musineja vihet në shënjestër jo vetëm nga gestapoja gjermane, por dhe nga udhëheqja komuniste, e posaçërisht nga Enver Hoxha, i cili e njihte mire karakterin dhe forcën intelektuale të saj, mbasi me të lart-përmendurën binte dhe farefis. Më 1944, Skënder Muço, mbas këshillimeve me Musinenë, organizon në Dukat të Vlorës një forcë të armatosur pranë së cilës u atashua një mision ushtarak amerikan që mbante lidhje me komandën aleate të Mesdheut.
Këto veprime të socialdemokratëve alarmojnë dhe Gestapon gjermane e cila me tradhëti arreston në fund të Gushtit 1944 Skënder Muçon, së bashku me profesor Ismail Yzeirin dhe Sako Mezirin, të cilët i pushkaton po atë ditë në katundin Kallm të Lushnjës me urdhër të gjeneralit Fistun. Kjo i shkakton një tronditje të thellë Musinesë, e cila perkohësisht në rrethanat e krijuara ndërpreu veprimtarinë e saj. Më 12 Nëntor 1944, kur ende zhvilloheshin luftime në rrugët e Tiranës, Musineja arrestohet së bashku me dy vëllezërit e saj, Besim dhe Muntaz Kokalari, nga një komandë partizane, me urdhër sekret të Enver Hoxhës dhe mbahet dy javë në arrest në një bazë të kthyer në burg; kurse vëllezërit e saj dhe kushëriri, Syrja Kokalari, vriten barbarisht në afërsi të Hotel Bristol, që ndodhej në qendër të Tiranës, së bashku me 9 të pa-fajshëm të tjerë. Sigurisht vrasja mizore e vëllezërve të saj të pafajshëm qe një tjetër goditje e rëndë për Musinenë e brishtë, por kjo ia shtoi më tepër urrejtjen dhe veprimtarinë kundër murtajës së kuqe. Megjithëse nën mbikqyrje dhe e ndjekur këmba-këmbës nga agjentët e sigurimit, me guximin dhe zgjuarësine që e kara-kterizonte, arrin të krijojë lidhje të reja politike me ish të njohurit e saj që i kishin shpëtuar terrorit komunist. Në Mars të 1945 formon një grupim politik ku midis të tjerëve bënin pjesë profesor Gjergj Kokoshi, jurist Suad Asllani etj. Në verën e 1945 hyn në lidhje me dy grupe të rezistencës antikomuniste të udhëhequra përkatësisht nga Sami Qeribashi dhe Qenan Dibra. Harton memorandumin që u dërgohet në emër të këtyre grupeve misioneve ushtarake aleate të akredituara në Tiranë dhe më 6 Nëntor 1945 me perpjekjet e saj titanike, në shtëpinë e Ali Kavajës, në lagjen ku 5 vjet më parë ishte formuar PKSH, formohet i pari grupim opozitar antikomunist “Bashkimi Demokrat”. Në mbledhjen e 6 Nëntorit u miratua njëzëri nga të gjithë të pranishmit përmbajtja e memorandumit ku kërkohej ndërhyrja e qeverive aleate pranë qeverisë së Enver Hoxhës për anullimin e për-gatitjeve për zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945 për Asamblenë Kombë-tare, mbasi këto zgjedhje do të manipuloheshin nga PKSH dhe do të shkelej çdo parim demokratik. Fatkeqësisht qeveritë aleate heshtën dhe zëri i opozitarëve të regjimit komunist në Shqipëri trokiti në vesh të shurdhët. Personalisht Musineja, duke përbuzur rrezikun që i qëndronte mbi krye si shpata e Damokleut, takohet me kolonelin anglez Palmer duke i bërë një ekspoze verbale gjendjes në vend para zgjedhjeve dhe kërkesave të opozitës klandestine; por përsëri heshtje dhe sakrifikim i opozitarëve shqiptarë për hir të koniunkturave politike të kohës. Shqipëria lihet nën ombrellën dhe rrezikon të humbasë pavarësinë duke u shndërruar në një republikë të shtatë të Jugosllavisë federative. Në Janar 1946 Musineja arrestohet, duke filluar kështu kalvarin e torturave dhe të mundimeve dyzetvjeçare. Duron me stoicizëm të gjitha torturat dhe fyerjet e hetuesve injorantë dhe xhelatë, del para gjyqit ushtarak të kryesuar nga Frederik Nosi dhe prokuror Nevzat Haznedari, duke mbajtur një qëndrim plot dinjitet dhe duke mos mohuar aspak pikëpamjet e saj politike. Me replikat e saj të spikatura dhe plot argumenta, Musineja i vë akuzatorët në shtyllën e turpit. Ajo deklaron me guxim para trupit gjykues: “Unë s’jam fajtore, unë s’jam komuniste dhe kjo s’mund të quhet faj. Unë jam një nxënëse e Sami Frashërit. Duke më dënuar mua, ju dënoni Rilindjen Kombëtare Shqiptare”. Dënohet më 2 Korrik të 1946 me 20 vjet burgim si “sabotatore dhe armike e betuar e pushtetit popullor”. Njohu të gjitha burgjet e diktaturës komuniste, duke përfshirë edhe burgun ferr të Burrelit. Gjatë viteve të vuajtjes së dënimit, iu bënë presione nga më djallëzoret, me porosi të vetë diktatorit, i cili kërkonte me këmbëngulje që ajo të thyhej moralisht dhe i kërkohej të thoshte vetëm dy fjalë: “kërkoj falje”, duke i premtuar lirinë e menjë-hershme dhe një pension të mjaftueshëm. Ajo s’pati asnjë tundim dhe emisarët e dërguar nga Enver Hoxha për këtë qëllim ktheheshin duarbosh dhe kokulur, duke marrë me vete kundërshtimin kategorik të Musinesë. Inkuizitori i madh nuk mundi ta përkulte këtë Zhanë D’Ark shqiptare. Ajo u bë një simbol i disidencës shqiptare dhe udhë-heqëse shpirtërore e grave shqiptare që vuanin dënimin në burgjet e diktaturës komuniste. Shumë ish të dënuara politike si Drita Kosturi, Rita Koka, Nurije Koçulli, Qefsere Begeja, Hava Golemi, Marije Medicina, Jolanda Tafmizi, Lavdije Petrela e të tjera flasin me veneracion për qëndrimin dinjitoz të Musinesë ndaj veglave të diktaturës, për këshillat e saj për të qëndruar me moral të lartë dhe për idetë që u ngulte në shpirtrat dhe mendjet e tyre për fitoren e lirisë dhe shkatërrimin e diktaturës.
Lirohet nga burgu në Tetor 1961 dhe internohet përjetësisht në Rrëshen të Mirditës. Punon në bujqësi dhe ndërtim si punëtore llaçi, me çizme llastiku gjer në gju, dimër e verë. Përgjohet ditë e natë nga agjentët e sigurimit dhe nuk lejohet të largohet as 100 metra nga vendi i internimit pa lejen e degës së punëve të brendshme. Shikohet me admirim dhe frikë nga banorët e Mirditës, por askush nuk guxon t’i afrohet dhe t’i thotë një fjalë. E rraskapitur nga vuajtjet e pafund dhe e dërrmuar nga punët e rënda, Musineja sëmuret nga kanceri dhe vdes e vetmuar në vendin e internimit më 14 Gusht 1983, pa patur pranë asnjë dorë njeriu që t’i mbyllte sytë. Shoqërohet në banesën e fundit nga dy varrmihës të komunales dhe nga operativi i sigurimit që do të hartonte raportin e fundit për këtë heroinë. Edhe kur e varrosën, asaj i lidhën duart me një tel me gjemba. Figura e saj, sa poliedrike, aq edhe tragjike, është një shëmbëlltyrë unike, jo vetëm për vendin tonë, por për të gjitha vendet e Evropës Lindore që lënguan për gjysmë shekulli nën terrorin komunist. Musineja u mor me politikë jo si një karrieriste e etur për pushtet dhe për t’u pasuruar, por për të mbrojtur interesat kombëtare në çaste dramatike për vendin tonë dhe për të shpëtuar kombin nga tragjedia që i përgatitën armiqtë e Shqipërisë, sllavët shovinistë të sheqerosur me ideologjinë komuniste. Eshtë imperativ i kohës që arti dhe letërsia shqiptare t’ua prezantojë brezave të rinj me objektivitet dhe realizëm figura të ndritura si Musine Kokalari, të lëna në harresë dhe të denigruara nga regjimi komunist. Tek Musine Kokalari kemi një simbiozë të guximit politik me talentin letrar, qysh në moshën e re ajo mbledh folklorin gjirokastrit dhe fillon të shkruajë në shtypin e kohës. Me shkrimet e saj fiton admirimin e personaliteteve të kulturës shqiptare të kohës, si të Lasgush Poradecit, Sotir Kolesë, Ernest Koliqit etj. Më 1939 ajo boton librin e saj të parë “Siç më thotë nënua plakë”, më 1944 boton librin e saj të dytë “Rreth vatrës” dhe në Janar të 1945 botohet libri i saj i tretë dhe i fundit “Sa u tund jeta”. Musineja ka botuar dhe tregime e skica të ndryshme. Ajo ka lënë një ditar intim dhe sipas dëshmitarëve që kanë jetuar pranë saj në internim, ajo kishte mbi 2000 faqe dorëshkrime, të cilat u zhdukën nga sigurimi i shtetit në kohën e vdekjes së saj.
Në ditarin e saj intim ajo shkruan:
“Njoha kulturën demokratike.
Njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare.
Njoha një gjyq special.
Njoha 16 vjet burg dhe 20 vjet internim me përplasje andej-këndej. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërine e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit”.
Dhe më poshtë vazhdon:
“Kam 38 vjet që kam harruar ç’do të thotë familje. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Ndoshta do të ishte më mirë t’i kisha mbyllur sytë një herë e përgjithmonë, kështu merrnin fund dhe vuajtjet me gjithë gjendjen tragjike. Kjo do të ishte një zgjidhje shumë e mirë”.
Në spitalin onkologjik ajo shkruan në ditarin e saj:
“Këtu kuptova një gjë. Për mua jo vetëm nuk interesohen, por kanë qejf të më zvarrisin. Dhe vetë kontrollet e këtyre muajve s’janë gjë tjetër veçse fjalë të kota. Ç’do të ngjasë?!”
Dhe vdekja nuk vonoi t’i vinte pas disa ditësh./ bulevard news