Atë ditë tetori në një fshat të jugut të Shqipërisë, disa persona kishin krijuar një rreth dhe po shikonin dy puntorët që po gërmonin me kujdes të përkulur. Kur ngriheshin drejtonin trupin duke vendosur kockat e gjetura në një arkë të vogql prej druri pak më parë. I pastronin nga dheu me një furçë dhe po me të njejtin kujdes ruheshin se mos do t’i lëndonin. I vendosnin në kuti.
Hidhja ndonjë shikim të shpejtë personave rreth meje, ku njeri ishte hetues si dhe ishin dy policë kurse të tjerët ishin familjarë. Dy gra të moshuara shtrëngonin duart e njera tjetrës dhe qanin duke fshirë lotët me shamitë e bëra shuk në dorë. Ishte qetësi, dëgjoheshin vetëm cicërimat e zogjve dhe ndonjë zhurmë makine. Asnjë nuk fliste. Kur gjetën kafkën puntorët e morën me kujdes, e pastruan dhe e vendosën mbi një copë peshqiri ku dallohej qartë vrima që kishte krijuar plumbi në pjesën e tëmthit dhe në anën tjetër, atë të daljes,
Hetuesi u ul gjunjazi, e mori kafkën dhe po e shikonte, e rrotulloi për të parë me kujdes dhe e vendosi sërish mbi copë. Ishte vendi ku preheshin eshtrat e një gjenerali të pushkatuar. Momenti më i vështirë për mua ishte kur fola në telefon me të bijën e tij dhe i dhashë lajmin që kisha gjetur vendin ku ishin eshtrat e të atit.
E vërteta?
…ishte gjenerali që më kontaktoi mua, e unë hapa vetëm derën. Ishte muaji gusht i vitit 201..,.Kisha humbur shikimin nga pamja e detit që ishte bërë ngjyrë gri dhe në horizont nuk kuptohej ku ndahej qielli me detin dhe shiu që binte me rrëmbim. Dëgjova që po trokisnin në derë.
-Hyr -fola me zq të lartë e ktheva kokën për të parë kush ishte.
-Beni, të shqetësojmë?- dëgjova zërin e shokut tim që kishte ardhur me gruan e tij me pushime në Vlorë.
-Jo…jo hyr- iu përgjigja sërish.
Ai hapi derën me ngadalë, dhe futi kokën për të parë.
-Ti ke ardhur për të vjedhur, apo të flasësh me mua? -e pyeta dhe fillova te qeshja.
– Pse për të vjedhur duhet të kërkosh leje?- më pyeti ai duke qeshur.
-Ndryshojnë kohët,dhe hajduti bëhet i edukuar, vjen me listën e gjërave për të vjedhur, nuk shkon me rrumpallë- iu përgjigja dhe po qeshnim- do të ndezësh një cigare?- e pyeta dhe pa pritur përgjigjen zgjata paketën.
-Ma jep ta ndez një, na mbyti shiu, çfarë do bëjmë sot mbasdite?- më pyeti ai dhe ndezi cigaren.
-E di çfarë bleva para se të niseshim nga Bari me traget?- e pieta; fika cigaren dhe u drejtova nga dollapi i dhomës, mora me avash diçka nga çanta dhe kur u ktheva duke i treguar tabelën të cilën e mbaja me të dy duart.
-Tatanggg – fola për ta bërë momentin më solemn.
-Çfarë ke blerë ti, tabelën Ouixha? -më pyeti ai i çuditur dhe disi i trembur.
-Po, pse ke luajtur ndonjëherë ti?- e pyeta dhe e vendosa mbi tavolinë tabelën e lojës.
-Jo..jo, ku dreqin shkon e blen dhe ti, ajo është sikur të kesh djallin me vete – u përgjigj ai i trembur.
-Po pse rri djalli tek tabela e kartonit?- e pyeta dhe fillova të qeshja.
-Jo re jo, nuk është lojë ajo, kanë luajtur mendsh personat që kanë luajtur me të -vazhdoi ai duke folur.
-Po ti nuk ke luajtur, si e dike ti? Pastaj këtë e shesin lojë për fëmijë,—iu përgjigja.
Ai po rrinte në këmbë i menduar, fiku cigaren dhe unë i thashë të shkonte të merrte të shoqen e të vijë këtu e të luajmë,- fola dhe po sistemoja tavolinën në qendër të dhomës, duke sistemuar dhe karriget përreth. Ai doli nga dhoma duke shtrembëruar fytyrën, e mbas dy sekondash u kthye prapë.
-Je i sigurtë që mund të luajmë?- më pyeti ai sërish.
-Po, sot do flasim me shejtanin- iu përgjigja duke qeshur dhe ai tundi kokën, po nuk e mbylli derën dhe dëgjoja hapat e tij që po largohej.
Ndeza një qiri, fika dritat, tërhoqa perdet për të krijuar errësirë dhe u ula në karrige pranë tavolinës. Nuk kishin kaluar disa minuta, kur u hap dera dhe hyri shoku im me të shoqen, e cila kishte hedhur një bluzë krahëve.
-Ç’është kjo lojë? – me pyeti ajo e çuditur, dhe të dy u ulën pranë tavolinës.
-Të paska futur frikën tët shoq?-e pyeta dhe qesha, – tani t’ju shpjegoj pak lojën, kjo është shigjeta prej kartoni që lëviz, me gishtin tregues të dorës së djathtë do të ndjekim lëvizjet e saj në alfabet, kështu krijohen fjalitë, këtu në krah të tabelës janë përgjigjet,”PO” ose “JO”, kurse këtu në krah për të mbyllur lojën është shkruar; “Mirupafshim”, shërben për të mbyllur lojën,-mbarova së shpjeguari dhe po shikoja fytyrat e tyre që nga drita e qiririt e cila vinte nga poshtë dhe krijonte hije të çuditshme .
-Fillojmë?- i pyeta ata, që aprovuan me lëvizje të kokës. Të tre vendosëm lehtë gishtat tregues sipër shigjetës prej kartoni dhe pyeta- ka ndonjë shpirt që do të hyj në kontakt?…dhe po prisnim.
-I mbusha unë – foli shoku im me zë të ulët e të tre filluam të qeshnim sa na dolën lotët dhe vazhdova:
– Pyet ti më mirë, se ke zë me të ëmbël- i thashë shokut tim me zë të ulët, prapë filluam të qeshnim.
-A ka ndonjë copë shpirt që do të llafoset me ne? – pyeti ai dhe prapë filluam të qeshnim. Shigjeta e kartonit nuk po lëvizte…ore mos kanë ditë pushimi që nuk hyjnë në kontakt me ne?- bëri sikur na pyeti shoku im,
Sa mbaroi së foluri shigjeta filloi të pozicionohej sipër shkronjave, kurse ne të tre kishim hapur gojët nga çudia dhe filluam të ndiqnim lëvizjet e saj. Kur u kompletua fjalia, të tre shqiptuam në të njejtën kohë fjalën “NDIHME” dhe mobiljet e dhomës filluan të dridheshin, krevatet ,tavolina,,,,gruaja e shokut tim u ngrit në këmbë duke ndërprerë lojën.
-Do iki…do iki – largoi karrigen e u nis gati me vrap për tek dera e hapi dhe doli shpejt duke e mbyllur pas saj me forcë.
Unë me shokun tim po shikonim njeri tjetrin -do iki dhe unë – tha ai tërhoqi dorën pranë vetes dhe u ngrit në këmbë.
-Mos e ndërprit lojën, duhet ta mbyllim me kujdes- i fola me zë të ulët.
-Mbylle vetë, meqë qenka lojë për fëmijë – u përgjigj ai dhe u drejtua të dilte nga dhoma, mbylli derën duke me lënë vetëm të vazhdoja lojën.
-Je këtu?–e pyeta shpirtin që kishte hyrë në kontakt, shigjeta u spostua tek fjala -PO- që u përgjigj.
-Sa vjet ke që ke vdekur?- vazhdova ta pyes.
Shigjeta u spostua duke më treguar numërat 54, kuptova që kishte 54 vjet që kishte vdekur.
-Pse kërkon ndihmë?- e pyeta sërish,
Shigjeta filloi të lëvizte dhe unë ndiqja lëvizjet e saj.
-Nuk kam varr -u përgjigj,
Nuk po dija çfarë të bëja, kisha frikë ta ndërprisja lojën.
-Si të quajnë?- e pyeta, mbasi shigjeta ndaloi së lëvizuri, njoha emrin e tij.
-Çfarë kërkon nga unë?- vazhdova dialogun me shpirtin e vdekur.
-Dua një varr -u përgjigj shpirti.
Bëra atë që nuk duhej të bëja, ndërpreva lojën, u ngrita në këmbë dhe me shpejtësi ndeza dritën…po dridhesha i tëri. mora nje cigare nga paketa dhe e ndeza me çakmak, dola në ballkon dhe nuk më besohej që era më lëvizte flokët dhe ndjehesha i gjallë. Mbarova cigaren dhe fika. Mora lojën dhe e vendosa sërish në dollap.Nuk kisha kuptuar si kishte kaluar ora kaq shpejt, ishte gati mesnatë. Po bëhesha gati për të fjetur, shkova në banjë për të larë dhëmbët, kur pashë veten para pasqyrës nuk po njihja veten, kisha ndryshuar, lava shpejt dhëmbet pa e parë veten në pasqyrë, fika dritën dhe u shtriva në krevat.
Di që atë natë mund të kem fjetur nga ora 5.00 e mëngjesit. Kur më doli gjumi, duhet të ishte ora 10.30 të paraditës; mezi u ngrita krevati, dola pak në ballkon për të parë ditën me diell dhe personat që lëviznin në plazh. U mbusha me frymë thellë duke mbyllur sytë dhe u ktheva të hyj në dhomë. Sipër tavolinës ishte një fletë e bardhë me shkrimin tim, kisha shkruajtur një emër që s’po arrija ta kuptoja, dhe nuk më kujtohej kur e kisha shkruar?
Diçka më kujtohej, kisha parë në ëndërr një rrugë me gurë të bardhë dhe një pemë të madhe pranë saj, dhe pranë pemës një gur të bardhë. E kisha si imazh të parë në errësirë nga drita e një makine. Zbrita poshtë tek bari hotelit për të ngrënë diçka, dhe për të takuar shokun tim me të shoqen, por nuk i pashë. Mbasi mbarova mëngjesin, shkova tek çadra ku bënim plazh por nuk ishin aty; u çudita dhe mbas pak shkova në recepsionin e hotelit për të pyetur se nëse kishin dalë. Djali që punonte aty më tha se kishin lënë hotelin shpejt, mbasi çifti e kishte kaluar natën në spital.
-Në spital?-e pyeta unë i çuditur.
-Po- u përgjigj djali i ri.
-Për mua të lanë ndonjë porosi?-e pyeta sërish.
-Jo, asgjë -u përgjigj ai duke ngritur dhe supet.
U nisa drejt dhomës time, hyra në dhomë, mora telefonin dhe provova të kontaktoja shokun tim, por numuri më dilte i padisponueshëm. Hapa kompiuterin dhe shkruajta emrin që kisha shkruajtur në fletën e bardhë, ishte emri i një fshati jo shumë larg nga Vlora, shkruajta emrin e shpirtit që kishte hyrë në kontakt. Ishte emri i një gjenerali që e kishin vrarë në kohën e regjimit dhe nuk i dihej vendi ku i dergjeshin kockat. U mbusha me djersë të ftohta. Nuk më besohej, duhet të isha në ëndërr. U mundova të flija por gjithmonë shihja në ëndërr të njejtin imazh, rrugën e bardhë, pemën, dhe një gur i bardhë në krah të pemës.
Të nesërmen, u zgjova shpejt, hëngra mëngjesin dhe pa humbur kohë u nisa me makinë për në fshatin që kisha shkruar emrin në fletën e bardhë. Mbas ndonjë ore isha në qendër të fshatit. Parkova dhe zbrita nga makina, hyra në një bar, mora një birrë por po mendoja si të pyesja o të merrja informacion, por ishte e pamundur. Aty të gjitha rrugët ishin të pa asfaltura e që bëhej më i vështirë kërkimi. Dola nga bari, hyra në makinë dhe u nisa të bëja një xhiro, por u sorollata kot, pa gjetur asnjë riferim me ëndrrën. Mora nga çanta një fletë të bardhë dhe fillova të vizatoja çfarë kisha parë në ëndërr; mbasi mbarova, zbrita sërish në qendër të fshatit dhe fillova të pyesja personat se mos e njihnin si vend. Të gjithë ngrinin supet. Dita kishte kaluar shpejt, dielli po fillonte të perëndonte. Me fletën e bardhë me vizatimim tim po rrija në qendër të fshatit dhe po shikoja përreth, s’kisha ç’të bëja më aty, isha i lodhur dhe doja të bëja një dush. Mora nga xhepi çelsat e makinës e u nisa drejt saj, e ndeza dhe u nisa për të shkuar drejt Vlorës po kur po dilja nga fshati një kope delesh më bllokoi rrugën
-Hej dreq- fola me vete, fika makinën dhe po prisja.
Çobani fishkëllente, dhe me shkop shtynte delet. Dola nga makina shpejt me fletën e bardhë në dorë, ndalova çobanin, duke e pyetur se mos e njihte si vend; ishte shpresa ime e fundit. Ai u mendua duke kruajtur kokën.
-Po është këtu afër, merr këtë rrugën këtu që ngjitet, e shikon në krah të djathtë të xhades- u përgjigj ai dhe me krahun e shtrirë më tregoi rrugën.
E falenderova dhe hipa shpejt në makinë. Kisha emocione, u nisa me makinën që lëkundej në rrugën e pashtruar, mund të kisha bërë 50 metra, kur përparara meje u shfaq pema e madhe dhe afër saj një gur i bardhë, jo shumë i madh që ishte disa metra larg saj. Ishte errësuar; lashë makinën ndezur me dritat që ndriçonin pemën dhe rrugën. Ishte i njejti imazh që kisha parë në ëndërr. Bëra disa fotografi me telefonin dhe i kënaqur mora rrugën për në Vlorë.
Mora informacion si mund hyja në kontakt me familjen e gjeneralit, duke u interesuar gjeta numrin e telefonit. Ishte fundi i muajit shtator; mora frymë thellë dhe krijova numrin e telefonit që të flisja me të bijën e gjeneralit. Nuk ishte e lehtë t’i përgjigjesha shumë pyetjeve, por nuk i thashë të vërtetën si arrita të gjeja eshtrat.
Në varrezat e Tiranës, ceremonia e varrimit mbaroi, isha i fundit që po largohesha, iu afrova varrit, vura dorën tek pllaka e mermerit, dhe fola me zë të ulët:
-Prehu në paqe gjeneral, lufta mbaroi për ty.