Nga Osman Stafa
Kjo nuk është një përgjigje për Lorenc Vangjelin. Kjo është një përgjigje për gënjeshtrat dhe manipulimet e Lorenc Vangjelit, bërë në esenë e tij ndaj meje. Po ashtu kjo është një përgjigje për përdoruesit e Lencit, të cilët kanë frikë të përballen me të vërtetën e Onkologjikut dhe përdorin një ushtar të vogël, i cili në 30 vite, nuk ka ditur një herë të kërkoj gradë, por ka mbetur ushtar i vogël. Vetë kolegët e tij e vlerësojnë si vaj i skaduar në lakra, që tenton të përhapet që ta vlerësojnë, por, që për 3 dekada ka qëndruar në vend, se e ka lëndën e parë, ulli me pesticide.
I paguar nga politikanët e të dy krahëve për t’u shkruar fjalime me fjalë të mëdha dhe helm brenda, herë atyre te mazhorancës, e herë atyre të opozitës, në mëngjes duke sharë, e pas dopjos së disatë, duke lëvduar, Lenci, si një tekstshkrues fjalimesh që është, dështoi të bëj një shkrim të mirë ndaj meje. Ajo e ashtuquajtura ese, e “daktilografuar” nga nën-vetëdija më e murrme e Lencit, thjesht turpëron më shumë, shtresat e tij të nën-vetëdijes.
Populli i quan këta njerëz pa…
Fjala tamam është tjetër, po unë termin “balls”, po e quaj shtyllë kurrizore, për etikë.
Lenci, në karrierën e tij nuk ka dalluar si gazetar terreni. Madje më të rriturit thonë që s’ka qenë kurrë i tillë. Ai nuk e njeh gazetarinë e terrenit. Ai njeh kolltukun. Me tela të dala, me sfungjer të amortizuar, sido të jetë kolltuku, ai vetëm atë do. Aty edhe paguhet për mbrojtjen që i bën “interesit”. Edhe pse “Papa”, ia ka bërë të qartë, se “katolicizmi” i tij, nuk është se shërben. Ky është zanati i tij. Ju lutem mos e ngatërroni ta quani gazetar. Eunuk po. Edhe sekser, nuk më mbetet hatri.
Shkrimi i tij i stërgjatë, të cilin mezi e lexova, m’u desh goxha durim, nuk kishte as bosht, as të vërteta, as mesazh, asgjë. Kishte vetëm një gjë: Lencit i ka djegur aq shumë reagimi i publikut (me të drejtë) sa në gjithë esenë e tij të dobët, kishte gënjeshtra, fyerje, urrjetje ndaj meje. Por kjo mua nuk më shqetëson aspak. Sa më shume pushka top Lencit dhe atyre pas Lencit. Se mua, bekime më mbërrijnë në ndërgjegje, “plumbat” e tyre. Onkologjiku do zbardhet.
Por cilat janë faktet dhe gënjeshtrat e atyre që përdorin Lencin?
1. Unë kam rreth 4 vite që merrem me të sëmurët që vuajnë nga kanceri. Kam bërë kallzim në Prokurorinë e Tiranës, për mungesat e ilaçeve për fëmijët me leuçemi, 2 vite më parë. Jam duke u marrë thelbësisht me Onkologjikun. Eshtë skenë krimi. Kam çuar e do të çoj prova në SPAK për Onkologjikun.
Ndërsa Lenci ka disa muaj që merret, sepse kërkon të mbrojë atë që vetë Ministria e Shëndetësisë nuk e mbron dot. Pse Lenci u kujtua tani?
Kujtoj këtu se në studion e emisionit Opinion të Blendi Fevziut, vetëm Lenci nuk kishte lidhje me panelin. Lenci s’është as gazetar, as doktor, as shkencëtar e për fatin e tij të mirë, as pacient i atij pavioni. Ai kishte ardhur aty me mision. Por që nuk ia doli. Jo sepse e ndala unë. Por sepse e vërteta e pacientëve të Onkologjikut, është ajo e mungesave të frikshme, e kontrabandës së ilaçeve, e marrjes së lekëvë etj. Prandaj ishte gjithë ai reagim i publikut.
2. Prej 5 vitesh në Onkologjik kanë munguar në mënyrë të frikshme medikamentet e për pasojë janë ulur edhe dozat. Komunikimet e grupit zyrtar të whatsappit, tashmë janë në SPAK. Ato komunikimi janë provë dhe dëshmi e gjallë e një realiteti ç’njerëzor që ka për përgjegjës Ministrinë e Shëndetësisë, Shefen e Onkologjikut dhe mjekë.
3. Lenci më akuzon mua për manipulime.
Manipulimi s’është stili im. Modeli im është e vërteta. Dhe asaj do t’i shkoj deri në fund. Si mund të bëj unë manipulime me komunikimet e mjekëve apo nxjerrje jashtë kontekstit? Nëse do të ishte kështu, do të kishte qënë Shefja e Onkologjikut që do të kishte ardhur në Opinion, dhe do të më kishte diskredituar publikisht, apo ndonjë nga mjekët, apo ndonjë përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë, e jo Lenci. Dhe po, nëse do ishin jashtë kontekstit, do më kishin masakruar.
A është jashtë kontekstit që në komunikime thuhet se për muajin gusht për analizat kanë mbetur vetëm 200 mijë lekë të vjetra?
A është jashtë konteksti që mjekët thonë: Kemi 6-7 muaj pa kimio pacientët? Apo ata që janë në listë pritje dhe kanë vdekur?
A është jashtë kontekstit që mjekët thonë: kemi 30 pacientë dhe kemi vetëm 18 flakonë? E sfidoj Lorencin, dhe ata pas tij, të ngrihen në lartësinë e sadopak njerëzores që mund të kenë brenda tyre, të më thonë, cili komunikim është nxjerrë jashtë kontekstit, meqë mua Lenci, ky dashnor i lekut dhe interesit, më quan edhe djall? Po Lenci, për atë sojin që t’i mbron, do të jem i tillë. Ju ëngjëjt e Ferrit, përballë do më keni. Çdo përgjegjësi të tyre do e ndjek deri në fund. Sikur i vetëm të jem në këtë betejë.
Por Lenci nuk ka cipë. Shollë ka edhe në zemër, se në tru, po e po. Ai mbron një krim. Për të nuk është krim të lësh pacientët pa kimio për muaj të tërë. Për të është krim të akuzosh Shefen e Onkologjikut, Silvana Çelikun, si përgjegjëse të asaj situate. Pse? Sepse unë i them që ka një titull “Profesor i Asociuar”, të cilin Gjykata e Shkallës së Parë ia ka rrëzuar, se e ka marrë në kundërshtim me ligjin. E ka marrë përpara se të dilte në pension, vetëm që të vazhdonte të ishte Shefe e Onkologjikut. Për të mirat e këtij posti, Lenci e ata pas teje, të jenë të qetë, se do flasim një ditë tjetër. Silvana Çeliku është një militante politike e PS, vetë kolegët e saj e njohin si patronazhiste. Vetëm në 3 muaj i ka dhënë “share” Ramës 119 herë.
Ato komunikime janë e vërteta e shqiptarëve. Është e vërteta e atyre që kanë mbetur pa ilaçe kimio, pa trajtim, pa rreze. Është e vërteta e atyre që i kanë blerë ilacet kontrabandë, të dërguar edhe nga mjekë të Onkologjikut nëpër farmaci të Tiranës. Kjo është e vërteta. Lenci këtë të vërtetë nuk e njeh sepse atë e manipulojnë dhe ia tregojnë gjërat gabim.
Fakt është se Lenci, ekspert të çdo fushe, e kanë gënjyer edhe ata të cilët ai del për t’i mbrojtur. Thotë që në rastet e mungesave, pacientët marrin trajtime të tjera. Gënjeshtër. Po si mund të jesh kaq i paskupullt dhe kaq i përdorshëm? Si mund të tallesh kështu me pacientët që kanë vuajtur e vuajnë nga kanceri?
Si mund të zëvendësohet gemcitabina Lenci, pyeti pak ata që të përdorin? Po kur mungojnë phesgo dhe herceptina të dyja bashkë, çfarë trajtimi bëhet? Po kur mungon goserlina? Apo i kastrojnë meshkujt? Por kur s’punon brakiterapia? Se gënjeu ai mjeku që kishte në krah në Opinion. Pra, këto nuk janë pyetje për Lencin, se ai as merr e as jep nga kjo fushë, por janë për ata që e përdorin atë. Pra Lenci, këtu je përdorur si kondom. S’ta them unë. Ta kanë bërë ata.
4. Unë agjent marketingu i spitaleve private?
Sa i mjerë që është. Po tek unë e gjetën spitalet private të më paguajnë? Spitaleve private u intereson që gjërat të shkojnë keq e më keq ne Spitalet Shtetërore, jo të rregullohen. A shkojnë mirë gjerat në Onkologjik? A s’ka mungesa? Nëse çdo gjë shkon mirë, pse pacientët duhet të shkojnë në privat? Po nëse shkojnë keq, atëhërë çfarë interesi ka privati të më paguaj mua, që të them që gjërat shkojnë keq, kur privati ka interes që gjërat të jenë keq? Unë jam shkaku i mungesave të kimiove dhe mungesës e prishjes së pajisjeve? Unë jam shkaku i prishjes 2 vjet të ortovoltazhit? Unë jam shkaku që 2 akserelatorët prishen çdo 2 javë? Unë jam shkaku që për 13 vite nuk është dhënë brakiterapia për zonjat që vuajnë nga kanceri gjinekologjik? Ku kanë shkuar këta njerëz për t’i marrë këto shërbime? Tek privati, Lenc, brenda e jashtë Shqipërisë. Sepse privatit i intereson që publiku të jetë keq, apo jo?
Pastaj nuk e di Lenci, apo nuk ia kanë thënë përdoruesit e tij, se vetë ata kanë spitale private dhe trafikojnë pacientë nëpër klinika? Se di Vangjeli këtë?
Apo kjo është arsyeja se përse nuk flitet nga Shefja e Onkologjikut sesi mjekë të atij spitali trafikojnë pacientë drejt spitaleve të tyre private?
Sepse ajo i ka ditur të gjitha. Dosja e Prokuorisë e vërteton këtë.
Unë i blerë, i korruptuar apo agjent i spitaleve private?
Vetë Lenci e provoi te më “blinte”, para se të lëshonte batarenë e akuzave, shpifjeve, fyerjeve banale që vetem nje i dehur, i inatosur, apo i paguar për të mbrojtur diçka që nuk e mbon dot mund t’i thotë e shkruajë. Disa javë më parë më ka marrë në telefon, dhe më ka kërkuar që mos të flas më për Silvana Çelikun.
E kanë provuar edhe të tjerë të cilët më kanë bërë “oferta” të ndryshme, madje edhe këshilla dashamirëse, se: “do të të lëmë pa bukë”. Por ta harrojë kush se mua më kthen pas. Me çdo çmim, DERI NË FUND. Ju pas Lencit, unë jam Osman Stafa, i pakorruptuar, i panegociueshëm dhe që në këtë jetë as kam për t’u blerë e as për t’u shitur. Nuk ka pasuri mbi tokë ble dinjitetin tim.
Për merak, Lenci t’i pyesë pak ata që e kanë paguar për të mbrojtur krimet në Onkologjik, pas denoncimeve të mia, a janë siguruar ilaçet? Pyeti pak se çfarë flitej për mua në Onkologjik. Pyet pak edhe donacionet e frikshme që janë bërë, si kurrë më parë, vetëm për të mbuluar mungesat. Pyet edhe mjekët, miqtë e t’u, a kanë pasur ndonjëherë ilaçe, sa ç’kanë tani? Pyet Lenci, pyet.
A ka më ligësi të mbrosh vrasjet, të keqen? A ka më ligësi t’u thuash njërëzve që vuajnë nga kanceri: “se juve ju ka dënuar përëndia të vdisni”.
Lenci më akuzon mua se ia kam nxjerrë fjalët jashtë kontekstit. Nuk i del për Zot, as fjalëve të veta. Por si mund të këtë Zot dikush, që ka për Zot, lekun, lëpirjen? Prandaj, ju që përdorni Lencin, unë nuk do të gjej paqe derisa Onkologjiku të gjejë drejtësi.