Nga Mark Brunga
SHBA ishin të shqetësuara që në vitin 1945 mbi rrezikun e mundëshëm stalinisto-titist në Shqipërinë e pasluftës. Në një telegram të kreut të misionit civil të Uashingtonit në Shqipëri, Xhozef Xhejkobs, dërguar më 16 maj 1945 Sekretarit të Shtetit, jepet alarmi se: “vazhdimi i mospranimit nga ana e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për njohjen e qeverisë shqiptare, do ta çojë Shqipërinë plotësisht Shqipërinë në vathën jugosllave-sovjetike”. Në të del qartë droja anglo-amerikane nga ekspansioni stalinist drejt Shqipërisë, por dhe fërkimet e lehta në distancë mes dy fuqive perëndimore në çështjet e vendit të vogël ballkanik. Madje, dhe pse ende Lufta II Botërore ishte në momentet e fundit, Tre të Mëdhenjtë mendojnë për ri-rregullimet në epokën e paqes. Si në një roman dokumentar (non-fiction) në formë ditari ndërkombëtar, dalin në pah fakte interesante: Enver Hoxha, si një njeri energjik ambicioz, por që vuan nga kompleksi i inferioritetit për shkak se nuk po e njihnin ende si zotin e ri të Shqipërisë; shqetësimet e shefit të Ekzekutivit amerikan për intrigën e Moskës, Beogradit dhe Tiranës me thashethemet se gjoja edhe perëndimorët do ta njihnin gjeneralin partizan; mospajtimi i amerikanëve për arrogancën britanike jo vetëm ndaj Tiranës, por edhe ndaj aleatit të tyre të përtej-Atlantikut.
SINJALI NGA MOSKA
Më 16 prill 1945, Enver Hoxha merr një telegram: “Në emër të Mareshalit të Bashkimit Sovjetik, J. V. Stalin, i ngarkuari me punë i Ambasadës sovjetike në Beograd, i komunikon Kryeministrit dhe Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare, gjeneralkolonel Enver Hoxhës, sa më poshtë: Qeveria sovjetike me kujdes të madh dhe simpati u vu në dijeni me notën e Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë gjeneralkolonel Enver Hoxhës, drejtuar Kryetarit të Këshillit të Komisarëve të Popullit të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, Mareshalit të Bashkimit Sovjetik, J. V. Stalinit. Në këtë kohë qeveria sovjetike është gati të dërgojë në Shqipëri një mision ushtarak sovjetik dhe shpreson në miratimin e qeverisë shqiptare për pranimin e këtij misioni”. Nëse një mision ushtarak anglez kishte ardhur, amerikanët po prisnin OK-in e Hoxhës për të dërguar një mision të tyre faktmbledhës. Tri ditë pas telegramit sovjetik dërguar Hoxhës, më 19 prill 1945, vetë Sekretari i Shtetit Eduard Stetinius kërkon nga përfaqësia e vetë në Moskë të informojë “qeverinë sovjetike për zhvillimet e fundit në lidhje me propozimin që i është komunikuar jozyrtarisht gjeneralkolonel Hoxhës, kreu i autoritetit ekzistues në Shqipëri, se qeveria amerikane mund të dëshirojë që në një datë sa më të afërt të dërgojë përfaqësues në Shqipëri mbi bazë jozyrtare për të shqyrtuar dhe raportuar në mënyrë paraprake mbi kushtet e atjeshme në rast se do të merret në shqyrtim çështja e njohjes së një qeverie shqiptare”.
LOJA MEDIATIKE
Por mbi të gjitha, Stetiniusin, në telegramin e 19 prillit, e ka shqetësuar një intrigë sovjetike-jugosllave-shqiptare. “Departamenti i Shtetit dëshiron më tej, gjykuar nga njoftimet që janë marrë lidhur me një artikull të hamendësuar të gazetës “Pravda” që u bënte thirrje aleatëve për njohjen e regjimit të Hoxhës se duhet të përfitoni nga ky rast për t’i bërë të njohur Komisariatit të Punëve të Jashtme se qeveria amerikane nuk ka ndërmend të ndërmarrë kurrfarë veprimesh vendimtare lidhur me Shqipërinë për sa i përket njohjes së qeverisë, përveçse pas konsultimit me qeveritë kryesore aleate dhe që kjo qeveri shpreson se qëndrimi i saj në këtë drejtim është i njëjtë me atë të qeverisë sovjetike”. Gazeta “Bashkimi”, në numrin e 31 marsit, kishte vendosur në faqen e saj të parë kopje artikujsh nga “Pravda” dhe nga “Borba”, gazeta e Partisë Komuniste Jugosllave; të dy artikujt konfirmonin se pas pak kohe aleatët do të njihnin qeverinë shqiptare.
Kurse një telegrami i 18 prillit, nga Kazerta (në fund të Luftës II Botërore, pallati mbretëror në qytetin italian të Kazertës shërbeu si selia e Komandantit Suprem të Aleatëve. Komandanti Suprem i Aleatëve është titulli i mbajtur nga komandanti më i lartë brenda disa aleancave ushtarake shumëkombëshe), njoftonte se gazeta “Bashkimi” kishte botuar përgjigjen nga i ngarkuari me punë i Bashkimit Sovjetik në Beograd lidhur me kërkesën e Hoxhës për njohjen; në përgjigjen e saj, qeveria sovjetike shprehte gatishmërinë e saj për dërgimin e një mision sovjetik ushtarak në Shqipëri dhe shpresën e saj se qeveria shqiptare do të pranonte misionin.
TAKIMI I PARË
Ndërkaq më 8 maj 1945 mbërriti në Tiranë misioni civil amerikan. Më 9 maj shefi i misionit Xhejkobs u prit nga gjeneral Hoxha dhe të nesërmen, më 10 maj, përfaqësuesi i SHBA-së i nis Sekretarit të Shtetit një “kabllogram” sintetik, por me domethënie: “Bisedova me gjeneralin Hoxha në mëngjesin e 9 majit dhe i bëra një deklaratë të shkurtër mbi objektin e misionit tim… duke theksuar interesin e popullit dhe qeverisë amerikane për Shqipërinë dhe popullin e saj”. Hoxha tha se amerikanët ishin të lirë të kryenin vëzhgime në terren. “Ai theksoi keqardhjen dhe marazin e shqiptarëve se ishin të vetmit… që ende nuk ishin njohur nga fuqitë aleate”. Në telegram ka një frazë të gdhendur me mjeshtëri dhe që portretizon figurën e liderit 37-vjeçar: “Hoxha më lë përshtypjen e një njeriu energjik ambicioz, por që vuan nga efektet e një kompleksi inferioriteti për shkak të dështimit, që pësoi për të fituar njohjen e qeverisë së tij”. Xhejkobsi thotë se Hoxha i kishte dhënë shpejt e shpejt lejen e kërkuar për një avion ushtarak amerikan, i cili do të hynte dhe nisej nga aeroporti i Tiranës një herë në javë për transport poste, zyrtarësh, udhëtarësh dhe furnizimesh. Xhejkobsi shënon se, më të mbërritur, kishte takuar përfaqësues të bektashinjve, që i “shprehën mbështetjen e tyre për regjimin”. Shefit të misionit s’i ka shpëtuar fakti se gazeta “Bashkimi” njoftonte për ardhjen e tij, “por pa koment redaksional”.
PROFECIA
Jo masave shtrënguese për rrëzim regjimi ashtu sikurse propozon Londra. Aftësinë e tij prej diplomati klasi Xhejkobsi e shfaqi në një telegram të 16 majit dërguar shefit të vet në Uashington dhe se sugjerimi i tij për diversionin britanik ishte mbështetur menjëherë. Kjo shfaqet të nesërmen, më 17 maj, në një telegram të Sekretarit të Shtetit në detyrë, Xhozef Grju , drejtuar të ngarkuarit me punë në Bashkimin Sovjetik, Xhorxh Kenën. Bëhet fjalë për një raport të shefit të misionit ushtarak britanik gjeneral brigade Hoxhson (Hodgson). Njeriu i Departamentit të Shtetit në Tiranë shprehet se “regjimi aktual nuk duhet të njihet ashtu sikurse me sa duket edhe Hoxhsoni, me siguri nuk do të pajtohem me ndonjë sugjerim për përdorim masash shtrënguese në përmbysjen e regjimit aktual”. Për më tepër, Xhejkobsi synon t’i presë rrugën oreksit të Londrës: “Nëse do të pajtohesha me idenë e Hoxhsonit që njohja mund të jepet në mënyrë të kushtëzuar, kam mendimin se kushte të tilla sikurse i parashikon ai, nuk duhet të paraqiten përveçse si një propozim i përbashkët të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik”. Kështu, superfuqia e përtej-Atlantikut nuk duhet të lejojë për arbitrim monopol anglez në Shqipëri. Këtë propozim e ka marrë në konsideratë Uashingtoni, që porosit të nesërmen ambasadën në kryeqytetin sovjetik t’i transmetojë Moskës se “qeveria amerikane… do të donte të konsultohej me qeveritë sovjetik dhe britanike me synimin për të arritur një marrëveshje për veprim të bashkërenduar në çështjen e njohjes së qeverisë shqiptare apo, nëse e kërkojnë rrethanat, për të formuluar kushte të përshtatshme për prezantim të përbashkët para autoriteteve ekzistuese shqiptare, si bazë për njohjen”. Po ashtu, Xhejkobsi bën një propozim tjetër, që tingëlloi profetik, por që nuk u mor parasysh: “mendoj se, nëse regjimi i tanishëm bie para se raporti im të jetë dorëzuar, gjë, me sa duket, shumë e vështirë, vazhdimi i mospranimit nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe për njohjen do ta çojë plotësisht në vathën jugosllave-sovjetike”.
SHKRESË NË SHQIP
Në një “kabllogram” të 25 majit Xhejkobsi njofton se kishte marrë një notë në gjuhën shqipe që datonte 23 maj, të nënshkruar nga Enver Hoxha me cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Ministrave, ku kërkohej ndërhyrja e shefit të misionit për të dërguar në SHBA një delegacion të përbërë nga tre ose katër veta. Sipas Hoxhës, delegacioni do të të kontaktonte me shqiptarët në Amerikë, miku i madh i Shqipërisë dhe t’i informonte për “luftën që populli shqiptar zhvilloi gjatë pushtimit fashist”. Xhejkobsi kishte thënë se do ta përcillte në Uashington notën e Hoxhës, “por gjithsesi nuk ka siguri që Departamenti i Shtetit do ta miratonte hyrjen në këtë kohë, veçanërisht kur unë nuk kisha pasur kohë të mjaftueshme për të paraqitur edhe një raport paraprak mbi kushtet në Shqipëri”. Ndryshe nga sa e paraqet Enver Hoxha Xhejkobsin në kujtimet e veta, diplomati amerikan ishte tejet dashamirës ndaj shqiptarëve teksa vë në dukje se “zyrtarët e FNÇ-së janë kaq thellësisht të sinqertë dhe patriotikë në pamje të jashtme dhe kaq të shqetësuar mbi dështimin për të marrë atë që ata e shohin si konsideratë të caktuar të kërkesave të ndryshme të bëra në drejtimin tonë… Nëse Departamenti nuk ka objeksione serioze, rekomandoj miratimin e hyrjes për një periudhë të përkohshme të grupit apo të paktën të dy përfaqësuesve. Ky udhëtim mund të zgjerojë edhe më tej konceptin dhe zotërimin nga ana e tyre të çështjeve ndërkombëtare/ Gazeta bulevard