Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuzë për korrupsion ndaj ish-deputetit Alqi Bllako në lidhje me çështjen e Inceneratorit të Tiranës. Akuzat i janë komunikuar atij nga prokurori Dritan Prençi, vetëm disa ditë më parë. Bllako është në burg prej më shumë se dy vitesh.
Në prill të këtij viti, SPAK dërgoi për gjykim disa të akuzuar lidhur me Inceneratorin e Tiranës, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, Pëllumb Abeshin, Erjon Muratajn, Bledar Karolin, Taulant Tushën, Namik Simixhiun, Etleva Kondin, Alba Thomain, Valbona Ballgjinin, Sidita Koplikun, Jetmir Llapajn dhe Silena Tolën, të cilët po përballen me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
Ndërkohë, Bllako është shpallur i pafajshëm për përfshirjen në çështjen e Inceneratorit të Elbasanit, por mbetet i burgosur pasi është dënuar me 2.8 vite për çështjen e Inceneratorit të Fierit.