Ballina Rajoni SHBA vijon sanksionet në Bosnjë, ja kush është i radhës

SHBA vijon sanksionet në Bosnjë, ja kush është i radhës

25
0

Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj një individi dhe një kompanie në Bosnjë dhe Hercegovinë për përkrahjen që i dhanë një rrjeti të korruptuar patronazhi të lidhur me Presidentin serb Milorad Dodik dhe djalin e tij në përpjekjet e tyre për të shmangur sanksionet amerikane.

Sipas një deklarate të Departamentit të Thesarit, individi i sanksionuar është Vladimir Perisiç, drejtor i kompanisë Prointer, ndërsa kompania u identifikua si Elpring, pjesë të një rrjeti me lidhje të drejtpërdrejta me Igor Dodikun, djalin e Presidentit pro-rus të Republikës Serbe Dodik, që të dy individë të shpallur non-grata nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.

“Presidenti i Republikës Serbe Milorad Dodik, bashkëpunëtorët e tij dhe ndihmësit e tyre po vazhdojnë të shfrytëzojnë pozitën e tyre të privilegjuar për të zbehur besimin e publikun ndaj marrëveshjeve paqësore rajonale dhe institucioneve që i sollën stabilitet dhe siguri Bosnjë-Hercegovinës”, tha zëvendës-sekretari në detyrë i Departamentit të Thesarit për terrorizëm dhe të dhëna financiare, Bradley T. Smith. “Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara të ekspozojnë përpjekjet e zotit Dodik dhe familjes së tij për t’i mirëmbajtur rrjetet e tyre korruptuese të patronazhit.”

Sipas Departamentit të Thesarit, i dyshuari Perisiç krijoi një skemë ryshfeti që veproi nën urdhrat e Igor Dodikut. Ndërkohë, kompania Elpring u themelua për të zëvendësuar një kompani tjetër e cila u përball me sanksionet amerikane, për t’iu shmangur atyre. Pronari i kësaj kompanie së bashku me Igor Dodikun kishin kontroll mbi të.

Dodik, i cili prej kohësh kërkon shkëputjen e entitetit serb nga Bosnja, konsiderohet si aktor destabilizues në rajon.

Vendimi i së mërkurës zgjeron sanksionet e vendosura në qershor ndaj individëve dhe një rrjeti kompanish të lidhura me zotin Dodik.