Ballina Politika Jorida Tabaku: Shqiptarët po përballen me rritjen e çmimeve, rroga dhe pensione...

Jorida Tabaku: Shqiptarët po përballen me rritjen e çmimeve, rroga dhe pensione të pamjaftueshme

25
0

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, shprehu shqetësimin për përballjen e qytetarëve shqiptarë me rritje të lartë të çmimeve, ndërsa rrogat dhe pensionet mbeten shumë të ulëta për të mbuluar nevojat bazë të jetesës.

Sipas Tabakut, inflacioni ka goditur rëndë familjet shqiptare, duke rritur çmimet e ushqimeve dhe produkteve bazë me 55% për shkak të asaj që ajo e cilësoi si “inflacion socialist”.

Tabaku theksoi se rrogat nuk ndjekin rritjen e çmimeve, duke ulur fuqinë blerëse të qytetarëve.

“Ju blini çdo ditë më shtrenjtë bulmetin, mishin, zarzavatet dhe çdo produkt të pazarit ditor,” shprehet ajo, duke shtuar se 40% e të ardhurave familjare shkojnë vetëm për ushqim, ndërsa pjesa tjetër mbulojnë faturat e rritura të energjisë dhe ujit, dhe shpenzimet për qiranë e përditshme.

Një tjetër pikë e theksuar nga Tabaku ishte hendeku në rritje mes shpenzimeve bazë dhe pensioneve, të cilat, siç thotë ajo, nuk arrijnë të mbulojnë as një të dhjetën e nevojave të përditshme të pensionistëve.

“Një model ekonomik që duhet ndryshuar, duhet të mbështesë sektorë si Arsimi dhe Shëndetësia që duhet të promovojë sektorë si industria që janë në rënie, si Bujqësia që janë në rënie e nuk duhet t’i japë frymë ndërtimit që vjen nga paratë e pista”- tha Tabaku.

Sipas deputetes së PD shqiptarët duhet të largojnë këtë sistem të kompromentuar që nuk i shërben atyre por një pakice.