Ballina Politika E quajti “Sude me syze”, Arlind Qori i përgjigjet Ramës: Nivel i...

E quajti “Sude me syze”, Arlind Qori i përgjigjet Ramës: Nivel i klasës së pestë që bullizon shokët!

24
0

Kreu i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori, i është përgjigjur një deklarate të kryeministrit Edi Rama, i cili e ka quajtur “Sude me syze”, gjatë bashkëbisedimeve të tij me pensionistët.

I ftuar në News 24, Qori tha se për të deklarata e kryeministrit nuk është sharje, por një bullizim për njerëzit me syze.

“Rama duket në nivelin e një fëmije në klasë të pestë që do të bullizojë shokët e klasës”, tha ai, ndërsa shtoi “puna e Sudes i shkon më shumë kryeministrit Rama”.

“Më vjen keq që bie niveli i diskutimit nga një kryeministër. Nuk është sharje për mua, por një bullizim për njerëzit me syze. Mbase dhe për djalin e zotit Rama që ka syze. Zoti Rama në 2018 ka bullizuar përsëri aftësinë time për të parë. Me sa duket është në nivelin e një fëmije në klasë të pestë që do të bullizojë shokët e klasës.

Ka njerëz që vuajnë stigmën, unë jo. Dhe të dëgjojnë kryeministrin që shan një njeri për aftësinë e tij për të parë. Unë e di që Sudja, Xhaferri kanë qenë ata që merrnin gjithçka dhe nuk iu jepnin gjë shqiptarëve. Kush është ai që merr gjithçka dhe nuk jep asgjë. Kështu që kjo puna e Sudes i shkon më shumë z. Rama. I keni parë dhe këto bankat me mikrokredi, kur kanë ekzistuar, në kohën e z. Rama”, tha Qori.

Gjatë fjalës së tij, ai foli dhe për pensionet, ku u shpreh se pensioni i qytetarët Shqiptarë që dalin sot në pension është 15% më i ulët se pensioni mesatar, pasi ka më pak vite të siguruara.

Qori tha se është përgjegjësi e qeverisë që ka lejuar informalitetin në punë, duke theksuar se Shqipëria është një nga vendet me numrin më të madh të njerëzve, që shumë vite punë nuk i ka të regjistruara askund.

“Sot, pensioni i atij që del në pension është 15% më i ulët se pensioni mesatar, pasi ka më pak vite të siguruara. Sigurimi është i detyrueshëm  dhe ta paguan punëdhënësi, nuk kanë funksionuar shteti dhe punëdhënësi, dhe  fajin e mban punëmarrësi. Është përgjegjësi e qeverisë që ka lejuar informalitetin në punë, që prej 11 vite nuk ka bërë asgjë për ta luftuar”, tha ai.

Ndër të tjera ai u shpreh se punëtorët shqiptarë që punojnë jashtë do mbesin pa pensione, si në vendin ku punojnë, ashtu edhe në Shqipëri, pasi nuk i plotësojnë dot vitet minimale të marrjes së pensionit.

Qori: Punëtorët shqiptarë po ikin nga Shqipëria, po punojnë në Gjermani, po ndihmojnë sistemin e sigurimeve shoqërore në Gjermani dhe do mbesin pa pensione e në Gjermani e në Shqipëri nëse nuk kanë ikur shumë të rinj, sepse as në Shqipëri as në Gjermani nuk i plotësojnë dot vitet minimale të marrjes së pensionit.

Po ju jap një shifër tjetër, për të përfituar një pension minimal duhet të kesh të paktën 15 vite punë i regjistruar. Kini parasysh se Shqipëria është një nga vendet me informalitetin më të madh në punë, dmth me numrin më të madh të njerëzve, që shumë vite punë nuk i ka të regjistruara askund.

Vende të zhvilluara e kanë mesataren 13 vite, shtetet të tjera të BE, e kanë minimumin e viteve që duhet të kontribuosh, 10 vite, pse ne e kemi 15 vite? Edhe ligjet janë mbrapsht, ka pensionistë që kanë 14 vite punë të regjistruara, ndërkohë që mund të kenë 40 vite punë reale, dhe përfundojnë pa pension. Numri i njerëzve që marrin sot pension social është i ulët.

Sot, pensioni i atij që del në pension është 15% më i ulët se pensioni mesatar, pasi ka më pak vite të siguruara. Sigurimi është i detyrueshëm  dhe ta paguan punëdhënësi, nuk kanë funksionuar shteti dhe punëdhënësi, dhe  fajin e mban punëmarrësi. Është përgjegjësi e qeverisë që ka lejuar informalitetin në punë, që prej 11 vite nuk ka bërë asgjë për ta luftuar. Rama mund të thotë që kemi më shumë pensionistë se të rinj, por është përgjegjësi e tij që s’ka bërë asgjë për t’i mbajtur të rinjtë këtu.