Edicioni i 27-të i Panairit të Librit në Tiranë, një ndër ngjarjet më të pritura të botës së letrave, do të çelet nesër, 13 nëntor dhe do të zgjatë deri më 17 nëntor 2024, në Pallatin e Kongreseve. Nën moton “Të lexosh do të thotë: të jetosh, të zbulosh, të rritesh,” ky panair do të shndërrojë Tiranën në një qendër të fuqishme të kulturës, duke bashkuar lexuesit, botuesit, autorët dhe përkthyesit për të festuar fuqinë e librit dhe ndikimin e tij në jetën e përditshme.
Gjatë kësaj periudhe pesëditore, të apasionuarit e librit do të kenë mundësi të marrin pjesë në një sërë aktivitetesh, përfshirë takime me autorë, diskutime të pasura dhe promovime të botimeve më të reja. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për lexuesit të zhytën në universin e librave dhe për të ndarë mendime dhe përvoja me të tjerë që ndajnë të njëjtin pasion për leximin dhe dijen.
Një nga kulminacionet e Panairit të Librit është shpallja e Çmimeve të Panairit, një ngjarje e shumëpritur që vlerëson arritjet më të shquara në fushat e letërsisë dhe përkthimit.
Juria për këtë vit përbëhet nga emra të njohur të kulturës shqiptare: Anisa Ymeri, gazetare e kulturës; Ben Andoni, përkthyes dhe publicist; Ilir Baçi, përkthyes dhe kryetar i jurisë; Ledia Dushi, poete dhe përkthyese; dhe Lili Sula, studiuese e letërsisë dhe pedagoge. Kjo juri do të shpallë fituesit në katër kategori të veçanta: Autori i librit më të mirë të vitit, Përkthyesi më i mirë i vitit, Autori i librit më të mirë studimor, dhe Autori i librit më të mirë për fëmijë. Fituesit do të zgjidhen ndër autorët dhe përkthyesit që kanë botuar gjatë periudhës dhjetor 2023 – nëntor 2024.
Panairi i Librit në Tiranë 2024 është një thirrje për të gjithë ata që duan të jetojnë përmes librit, të zgjerojnë kulturën e tyre dhe të rriten përmes dijes. Mos e humbisni këtë mundësi unike për të qenë pjesë e një atmosfere që frymëzon dhe feston kulturën shqiptare dhe ndërkombëtare.