Partia Demokratike ka reaguar sërish pasi Gjykata e Apelit ende nuk ka zbardhur vendimin që dënoi ish-deputetin Ervin Salianji me 1 vit burg për kallëzim të rremë. Numri 2 i PD, Agron Gjekmarkaj shprehet se Gjykata e Apelit ka shkelur haptazi të drejtat e Ervin Salianjit, duke mos zbardhur vendimin e arsyetuar.
Ky qëndrim i Gjykatës së Apelit, thekson Gjekmarkajt, po i vonon rrugën drejt pafajësisë Ervin Salianjit.
“Kodi i Procedurës Penale është një ligj i rëndësishëm i Republikës, dhe është në fuqi. Ky kod, përcakton se vendimi i një gjykate duhet të zbardhet brenda 30 ditësh. Vendimi i Apelit ndaj Ervin Salianjit, nuk është zbardhur edhe pse kanë kaluar pothuaj 50 ditë, nga momenti i shpalljes, duke i shkelur atij haptazi të drejtat, duke i mohuar rekursin në Gjykatën e Lartë, duke i vonuar rrugen drejt pafajësisë.
Në rastin e Salianjit, nuk është në fuqi Kodi i Procedurës Penale pra, por Kodi i Fatmir Xhafës! Po ashtu Edi Rama e di para se tē shpallet vendimi, e di çfarë thuhet, dhe e di ai se kur duhet zbardhur. I dënuari, dhe publiku nuk kanë pse ta dinë.
Mbërritëm në diten kur ligji, kodi, afati është Qeveria dhe shefi i saj. Dhe kuptohet që për kundërshtarin politik, nuk ka asnjë garanci kushtetuese, nuk ka barazi para ligjit. Ka burg, pa akuzë, ka denim me vendim të fshehte, të pazbardhur”, shprehet Gjekmarkaj.