Është ora 6:00 e mëngjesit. Temperatura është pak mbi zero gradë celsius.
Nëpër mjegull duken rreth 15 persona – shtetas rusë nga Kaukazi i Veriut – mes të cilëve ka edhe fëmijë e të moshuar.
Vend i tubimit të tyre është një kafene në Gradishkë, pranë pikës kufitare nga Bosnje e Hercegovina në Kroaci, që i bie veriu i largët i Bosnje e Hercegovinës.
Ata presin për një kohë të shkurtër dhe më pas përqafohen. Njëri prej të rinjve çeçenë niset drejt Kroacisë, për të kaluar në Bashkimin Evropian.
Të tjerët e shikojnë me shpresën se do të lejohet të kalojë. Por, ai kthehet dhe grupi pret që dikush tjetër të provojë sërish.
Njëri thotë se ka ikur nga Rusia, për shkak të mobilizimit të detyruar ushtarak për luftën në Ukrainë.
Të tjerë kanë ikur nga persekutimi politik, për arsye fetare apo edhe për të ndihmuar familjen.
Në mesin e qytetarëve rusë që ekipi i REL-it i takoi pranë pikës kufitare në Gradishkë, më së shumti ka çeçenë.
Ata thonë se mblidhen aty çdo mëngjes, në përpjekje për të kaluar kufirin midis Bosnjës dhe Kroacisë dhe për të kaluar azil në ndonjërin nga vendet e BE-së.
Magomed ishte i vetmi çeçen që pranoi të fliste me gazetarët e REL-it.
Ai këmbëngul që të mos fotografohet askush, e nëse po, të turbullohen fytyrat e personazheve, nga frika e hakmarrjes ndaj tyre dhe familjeve të tyre në Rusi.
Thotë se në grupin e tij, rreth 80 për qind janë çeçenë, por se ata vijnë edhe nga republika të tjera ruse, si Ingushetia dhe Karaçajevo-Çerkesia, ndërsa disa janë edhe nga Tatarstani.
Sipas llogaritjeve të tij, rreth 170 njerëz nga Kaukazi i Veriut presin ta kalojnë kufirin në veriperëndim të Bosnjës.
Ikim nga “persekutimi i autoriteteve”
Magomed thotë se të gjithë ikin nga “persekutimi i autoriteteve”, kryesisht për arsye politike dhe fetare, ose nga mobilizimi për shkak të luftës në Ukrainë.
“Aktualisht, po bëhet mobilizim, mobilizim i detyruar. Thjesht, njerëzit blihen – deshe ti a po nuk deshe. I blejnë njerëzit dhe i dërgojnë me forcë”, thotë ai.