Ballina Bota Gjiganti amerikan i naftës del kundër Trumpit: SHBA-ja nuk duhet të largohet...

Gjiganti amerikan i naftës del kundër Trumpit: SHBA-ja nuk duhet të largohet nga Marrëveshja e Parisit

6
0

Gjiganti i naftës, ExxonMobil kundërshton planet e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump për t’i larguar Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja e Parisit për klimën.

“Një largim i dytë nga marrëveshja e Parisit do të ketë pasoja të thella për përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të reduktuar emetimet e gazrave dhe për përpjekjet ndërkombëtare për të luftuar ndryshimet klimatike”, tha një përfaqësues i ExxonMobil për CNN.

“Ne mbështesim politika që marrin parasysh sigurinë, përballueshmërinë, besueshmërinë dhe ruajtjen e mjedisit – jo ndryshime drastike që mund të pengojnë përparimin që po bëhet sot”, shtoi ai.

Tërheqja nga marrëveshja e Parisit përsëri do të krijonte pasiguri, tha CEO i Exxon, Darren Woods, për Wall Street Journal dhe New York Times gjatë Samitit të Kombeve të Bashkuara për Klimën në Azerbajxhan. Gjiganti i naftës mbështeti vendimin e presidentit, Joe Biden në vitin 2021 për t’u rikthyer në Paris.

Woods mendon se qeveria amerikane duhet të krijojë stimuj për kompanitë e karburanteve fosile për të kaluar në energji të pastër.

“Roli i qeverisë është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe një nga ato që, për ta thënë ndershëm, nuk po e përmbushin me sukses”, tha ai për New York Times.

Ndryshe, ekipi i 78-vjeçarit po përgatitet që sërish ta largon SHBA-në nga Marrëveshja e Parisit për Klimën – diçka që republikani premtoi ta bëjë gjatë fushatës elektorale.