Ballina Ekonomia Interesat e ulëta “çmendin” kërkesën për hua/ Norma për kreditë hipotekare ra...

Interesat e ulëta “çmendin” kërkesën për hua/ Norma për kreditë hipotekare ra në 3.9%. Ulet edhe shkalla e refuzimit nga bankat

26
0

Interesat e kredisë së re në lekë, por edhe në euro, kanë shënuar ulje në tremujorin e tretë të vitit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, interesat e kredive hipotekare dhe konsumatore filluan të bien që gjatë tremujorit të dytë të vitit dhe, pas reflektimit të uljes së normës bazë, gjenden në nivele më të ulëta se një vit më parë.

Konkretisht, interesi për kreditë për banesa shënoi mesatarisht 3.9% në tremujorin e tretë, nga 4.1% dhe 4.5% që ishte përkatësisht në tremujorin e dytë dhe të parë të vitit. Interesi i kredisë konsumatore është ulur gjithashtu në 8.8%, nga 9.5% dhe 9.7% që ishte në dy tremujorët paraardhës.

Normat e interesit për kreditë në euro kanë rënë prej muajit gusht, duke ndjekur drejtimin e normës bazë të Bankës Qendrore Evropiane. Interesi mesatar i kredisë së re në euro për bizneset shënoi 6.2% në tremujorin e tretë, nga 7.0% që ishte në dy tremujorët e parë të vitit, ndërkohë që interesi mesatar i kredisë hipotekare në euro për individët mbetet ende i lartë.

Normat e interesit të tregut ndërbankar mbeten të ankoruara pranë normës bazë, duke shfaqur luhatshmëri të vogël dhe diferenca minimale prej saj.

Ambienti i normave më të ulëta të interesit në tregun vendas dhe atë të huaj, së bashku me përmirësimin e mëtejshëm të besimit të biznesit nxitën bizneset të kërkojnë sasi më të larta huash për përballimin e nevojave të tyre të shtuara. Gjithashtu, si rezultat i interesave më të ulëta, kërkesa për kredi nga individët u raportua e lartë.

Shkalla e refuzimeve të kërkesave për hua u reduktua për të tretin tremujor me radhë, e diktuar kryesisht prej vlerësimeve të bankave mbi cilësinë e kredimarrësve dhe historikut të tyre të punësimit e stabilitetit të shfaqur në tregun e punës.