Ballina Ekonomia Sejko pret përfaqësuesit e BERZH: Ekonomia vendase ka bërë progres të dukshëm,...

Sejko pret përfaqësuesit e BERZH: Ekonomia vendase ka bërë progres të dukshëm, kemi normën më të ulë të inflacionit në rajon

27
0

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka pritur në takim përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kryesuar nga z. Christoph Denk, Drejtor i Politikave Strategjike, z. Piotr Jacek Szpunar, Drejtor rajonal për Poloninë, Bullgarinë dhe Shqipërinë, si dhe zj. Ekaterina Solovova, Përfaqësuese Rezidente e BERZH-it në Shqipëri.

Në çelje të takimit, Guvernatori Sejko shprehu mirënjohje për kontributin dhe asistencën e ofruar nga BERZH-i për Bankën e Shqipërisë, kryesisht në fushat e mbikëqyrjes bankare, stabilitetit financiar dhe në përafrimin e kuadrit rregullator e mbikëqyrës me standardet e Bashkimit Evropian, pa lënë mënjanë mbështetjen që ky institucion jep dhe në fusha të tjera të ekonomisë, si në përparimin e energjisë së rinovueshme, transportit dhe sektorëve të turizmit dhe bujqësisë.

Takimi vijoi me diskutime të zhvillimeve ekonomike në vend, ku një fokus të veçantë patën zhvillimet në sistemin financiar e bankar, si dhe pritshmëritë për ekonominë.

Guvernatori Sejko theksoi se, gjatë vitit 2024: ekonomia vendase ka bërë progres të dukshëm; niveli i inflacionit është përgjysmuar krahasuar me një vit më parë; rritja ekonomike ka mbetur në nivele të larta; ndërsa borxhi publik dhe ai i huaj kanë shënuar rënie. Sektori bankar është likuid dhe i mirëkapitalizuar, treguesi i kredive me probleme vijon të shënojë rënie, ndërsa niveli i kreditimit vazhdon tendencën rritëse. Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria ka një ndër normat më të ulëta të inflacionit dhe rritjen më të ngadaltë të kostove të financimit.

Gjithashtu, Guvernatori i njohu të pranishmit dhe me masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për digjitalizimin e sistemit të pagesave dhe aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në zonën SEPA, si një hap i rëndësishëm në rrugëtimin drejt BE-së.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e BERZH-it vlerësuan kontributin e Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit. Në veçanti, ata theksuan rolin esencial që politika e kujdesshme monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë si dhe regjimi i lirë i kursit të këmbimit, kanë pasur në ruajtjen e stabilitetit dhe në përballimin e goditjeve, duke i mundësuar Shqipërisë të ketë një ndër performancat më të mira ekonomike në rajon. Po ashtu, ata nënvizuan dhe suksesin që masat mbikëqyrëse dhe politika rregullatore kanë pasur në garantimin e qëndrueshmërisë së sektorit bankar dhe në ecurinë e mirë të kreditimit. Përfaqësuesit e BERZH-it inkurajuan vijimin e kësaj filozofie administrimi ekonomik edhe në të ardhmen, duke theksuar rëndësinë që një bankë qendrore profesionale, e përgjegjshme dhe e pavarur, ka për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Së fundi, ata inkurajuan aktorët vendorë që, duke u nisur nga perspektiva konkrete e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të fokusohen në përshpejtimin e agjendës të reformave strukturore në vend.

Përfaqësuesit e BERZH-it falënderuan Guvernatorin për bashkëpunimin e deritanishëm institucional, si dhe diskutuan lidhur me projektet e ardhshme, duke vlerësuar potencialet e vendit dhe shprehur angazhimin për rritjen e bashkëpunimit në fusha me interes të veçantë për Shqipërinë.