Qindra studentë dolën në rrugë në Torino për të kundërshtuar politikën shkollore të qeverisë dhe për të mbështetur Palestinën. 15 oficerë policie përfunduan në urgjencë, pasi një bombë shpërtheu në mesin e policisë në Piazza Castello.
Më pas demonstruesit dogjën një kukull me shëmbëlltyrën e ministrit Giuseppe Valditara dhe disa prej tyre dëmtuan dy restorante të ushqimit të shpejtë.
Gjatë tensioneve në Piazza Castello kundër policisë, përveç vezëve, janë hedhur edhe fishekzjarre të mëdha. Protesta e studentëve përfundoi më pas pa tensione të mëtejshme përpara Palazzo Nuovo, shtëpia e fakulteteve të shkencave humane të universitetit të Torinos.
Muzeu i Kinemasë, në Mole Antonelliana, u rihap për publikun, pasi ishte mbyllur kur studentët hynë. Gjatë protestës është dëmtuar një flamur italian dhe është ngritur flamuri palestinez.
Kryeministrja Giorgia Meloni ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku shkruan: “Edhe sot kemi qenë dëshmitarë të skenave të papranueshme të dhunës dhe kaosit në disa sheshe, nga duart e ngatërrestarëve të zakonshëm.
Disa oficerë të rendit përfunduan në urgjencë për shkak të bombave dhe përplasjeve. Solidariteti im i plotë shkon për të gjithë oficerët e plagosur, dhe uroj për një shërim të shpejtë”.