Ballina Kulturë Mësuesja – Tregim nga Murat Aliaj

Mësuesja – Tregim nga Murat Aliaj

24
0

Nga Murat Aliaj 

Tek ai njeri nuk të binte në sy ndonjë sakatllëk dhe asnjeri s‟mund të thoshte se për ç‟arsye i kishin ngjitur këtë nofkë. Mirëpo sakatë nuk janë vetëm ata që vuajnë nga ndonjë gjymtyrë. Më të shumtët e tyre vuajnë nga mendja. Por as kjo nuk i shkonte sakatit tonë, i cili kishte bërë diçka të veçantë për fshatin. Atëherë s‟duhej t‟i kisha kaluar të dhjetë vjetët. Isha në klasën e katert dhe tre katër muaj më pas do jepnim provimet, për të kaluar në ciklin më të rritur. Nga ajo kohë dy gjëra të rralla më kanë mbetur në mendje. Mësuesja jonë që ishte një grua e papërtuar dhe e kudogjendëshme dhe sakati, i cili tek portat e mëdha të kanalit kishte ndërtuar mrekullinë e tij. Ai kishte një fytyrë të egër si e piratëve të detit, gjithë shenja çarjesh të vjetra e gunga që të kujtonte se jeta e tij kishte kaluar mes kafshëve më të egra. Asnjeri nuk e dinte nga kishte ardhur ai njeri që kishte ngritur një kolibe të vogël dhe atje punonte çdo ditë me durimin e milingonës. Kishte rrethuar me llamarina dhe copa telash të ndryshkur një sasi toke dhe atje kishte mbjellë fidanë pemësh dhe lulesh, të cilat pastaj i shpërndante nëpër familjet që i dëshironin.

Në ato vite puna e tij na dukej më e pakuptimta. Në vend që sakati të mbillte fiq, pjeshkë e kumbulla, që të hanin e ngopeshin fëmijët e uritur, mbillte shelgje, blire, ekualipte e mimoza, të cilat fshatarët i merrnin prej tij dhe i mbillnin nëpër kopshte dhe anës rrugëve. Ata thoshin se këto bimë ishin më të dobishme nga ato për të cilat kishim nevojë ne fëmijët, sepse me gjethet e tyre helmuese, ngordhnin anofelen e cila po bënte kërdinë. Edhe pse ai mund të mos jetë më në jetë, duhet t‟i japim hakun: nga puna e tij fshati fitoi një bukuri të madhe. Lule dhe aroma gjithandej, por kujtimi im, nuk ka lidhje me këtë. Në fakt, ajo kishte të bënte vetëm me mua, por nga që marrëzira të tilla, ka kushdo, të gjithë e rëfenin si të ishin ndodhur në vendin tim i cili ishte nga më të pakëndëshmit e gjithë jetës sime. Si fëmijë, para se të niseshim për në shkollë, u kërkonin prindërve ndonjë lek, për të blerë kokosha sheqeri, apo ëmbëlsira të tjera. Na i sillte “gega” dhe në çdo pushim mes orëve të mësimit vërsuleshim drejt tij. Shumë herë prindërit s‟kishin para për të na dhënë. Në ditë të tilla niseshim për në shkollë këmbëprerë. Kështu, pa një dyshkë në xhep më gjeti mëngjesi i asaj dite. Prej mërzitjes, në vend të drejtohesha nga shkolla, mora për nga portat e kanalit. Andej nga kundërmonin mimozat e blirët. Ishte fillim marsi dhe lulet shpërthenin njëra pas tjetrës. Në kopësht endeshin përmes bimëve një kotele dhe një këlysh që i bënin shoqëri kopështarit, të cilit atë ditë akoma nuk i kishte dalë gjumi. Ai njeri nuk kishte orar në punën e tij, e fillonte kur i dilte gjumi dhe e linte kur shkonte prapë për të fjetur. Atë çast më lindi një ide e çmendur. Mënjanova pak telin rrethues dhe u futa në kopësht. U ngjita në një mimozë dhe nisa të këpus lule. Nga nxitimi, më shkau këmba dhe theva një degë të madhe mimoze. Keqardhja për degën e thyer s‟më lejoi të ndjeja dhimbjet e këmbës së çjerrë. Duke u përplasur nëpër degët e pemës, përfundova në tokë, ku po më shikonin me keqardhje dy kafshët e kopështarit. Kur bëra të ngrihem, sakati po më afrohej, duke më drejtuar sfurkun. E kisha të pamundur të merrja vrapin për të shpëtuar prej tij. Për herë të parë mendova se me këtë egër- si të tij duhej të kishte lidhje ai emër që i kishte vënë fshati.

Më lidhi duart prapa me një copë litar. Më dha nja dy shkelma bythëve dhe më vuri përpara. Rrugëve të fshatit kishte lëvizje të rralla njerëzish. Më vinte turp kur shihja ndonjë të njohur. Ku po më shpinte kështu ky njeri i cili vazhdimisht më shtynte të nxitoja hapat, duke më kërcënuar me cfurkun e mprehtë si këmbë gaforreje? Ecëm disa minuta në heshtje. Ai vetëm shfrynte nga zemërimi, kurse unë që pas çdo hapi e kuptoja edhe më mirë marrëzinë time, mendoja se do më shpinte në shtëpi. Do grindej me prindërit e mi, që s‟më kishin edukuar mirë. Babai ishte njeri i rregullt dhe si kuadër jepte kudo shembullin e tij. Ai nuk do e gëlltiste dot marrëzinë time. Nuk ishin gjë dy shkelmat që më kishte dhenë sakati, përpara shufrave që do të fshikullonte im atë. Le të bëhej ç‟kishte për t‟u bërë. Unë e kisha bërë marrëzinë time dhe tani le të prisja ndëshkimin. Por nuk ndodhi asgjë nga këto që kisha në mendje. Përkundrazi, ndodhi ajo që s‟do desha kurrë të ndodhte. Sakati më çoi në shkollë. Fëmijët ishin rreshtuar në oborr dhe po bëheshin gati për t‟u futur nëpër klasa. Si nuk m‟u prenë këmbët, kur pashë se të gjithë i kthyen sytë nga unë! Ky ndëshkim që po më jepej ndezi zemërimin e mësueses, e cila na doli përpara dhe kërkoi të mësonte ç‟kishte ndodhur. Çfardo që të kishte ndodhur, ajo s‟mund ta pranonte kurrë lidhjen e duarve të mia, si të isha agjent. E para gjë që bëri, ishte zgjidhja e duarve. Me që ky veprim i sakatit duhej të kishte shkak serjoz, ajo eci përpara nesh dhe të tre u gjendëm në dhomën e mësuesve, ku gjithë shqetësim pyeti:

−Ç‟ka ndodhur? −Ky fëmijë është një hajdut që s‟e ka shokun. Erdhi për të vjedhur në kopshtin tim. U ngjit në mimozë dhe theu një degë plot me lule.- sqaroi sakati, duke më vështruar gjithë urrejtje, sikur donte të më hante.- Mua më bie bretku mbi to, kurse ky… Mësuesja më shikoi në sy e çuditur si të mos besonte se unë më i urti i klasës, kisha bërë të tillë veprim. Më mbytën ngashërimet. Njeqind herë më mirë do kisha pranuar fshikujt e babait, përpara atij vështrimi të dëshpëruar të mësueses −Përse e bëre këtë?- më pyeti ajo. Nuk mund të flisja, veçse e pashë me një vështrim të rraskapitur, si të doja t‟i lutesha, që të paktën të më kuptonte ajo. Nganjëherë njeriu gabon rëndë, duke u nisur edhe prej qëllimeve të mira.

−Përse???- e ngriti ajo tonin e zemërimit, nga që s‟po e duronte dot heshtjen time.

−Sot është 7 Marsi, mësuese,− i thashë përmes ngashërime,- ve,-Si mund të vija në në klasë, pa ju sjellë juve një tufë mimozash. I kërkova mamasë lekë për t‟i blerë, por ajo s‟kishte’ Ndërsa prisja që mbi mua të shkrehej i gjithë zemërimi i tyre, ndodhi diçka e papritur. Këtë radhë ishin sytë e mësueses që u lëngëzuan nga mallëngjimi. Ajo më fërkoi flokët me një dashuri që nuk e kisha ndjerë kurrë herë tjetër dhe iu kthye sakatit:

−Sa kushton dëmi?

−Nuk është puna tek dëmi, por…

−Kur s‟qenka puna tek dëmi, si të bëri zemra dhe e lidhe fëmijën, si një keqbërës?

−Të njejtën gjë do bënit edhe ju po të shikonit degën e thyer të mimozës. Pema është si fëmija, mësuese, do kujdes e shërbim të madh për t‟u rritur.

−Po,− i tha mësuesja, duke i dhënë fund bisedës.

– Veçse të rritësh një dru, është gjithnjë më e lehtë, se sa të edukosh një fëmijë. Sakati s‟mund të duronte pa na dhënë një mësim të mirë. Ai nisi t‟i bënte mësueses një leksion të gjatë, për natyrën e pemëve dhe rrolin e tyre në jetën e njeriut. Fliste bukur dhe me fjalët e tij që dukej se kërkonte mirëkuptim, nuk ndihej zemërimi i mëparshëm. Por tashmë ishte shtuar inati i mësueses i cili dukej haptas që s‟mund t‟i binte aq lehtë. Ajo nxorri nga çanta një monedhë, ia la në dorë sakatit dhe kështu mori fund ajo punë, kurse ai, pasi futi në xhep monedhën, zbriti shkallët e mori rrugën për andej nga portat e kanalit, ku e prisnin dy kafshëzat e tij besnike