Ballina Dossier Rrëfimi i rrallë: Shoqja ime e ngushtë më tha se Enver Hoxha...

Rrëfimi i rrallë: Shoqja ime e ngushtë më tha se Enver Hoxha i kishte kërkuar të martohej me të, por ajo e quante…

32
0

Nga Meri Lalaj

Ato qenë dy motra Ganimeti dhe Fazileti. Babai i tyre, Avni Ganimeti, pat ardhur që fëmijë i vogël në Shqipëri nga Gjilani i Kosovës, për të shpëtuar nga përndjekjet serbe. Të dyja motrat së pari, ndoqën Institutin “Kyrias” të motrave Qiriazi në Kamëz dhe pastaj Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”, duke qenë nën kujdesin dhe dashurinë e të gjitha shoqeve të shkollës, si vajza me prejardhje kosovare. Por edhe ato, nga ana e tyre, i deshën fort shoqet gjatë gjithë jetës.

Të dyja motrat, Ganimeti dhe Fazileti, rritur dhe edukuar në një familje të kamur dhe patriote, dalloheshin në shkollë për respektin që tregonin ndaj normave të shkollës, ndaj profesorëve dhe dëshirën e madhe për dije. Babai i tyre, Avni Gjilani, pas një aktiviteti të gjatë patriotik në mbrojtje të çështjes shqiptare dhe veçanërisht të asaj kosovare, gjithashtu pati shërbyer për tetë vite si deputet i Kosovës, në Parlamentin Shqiptar.

Pra, të dyja motrat dhe vëllai i tyre Feti, rritur në këtë mjedis familjar shumë të lidhur me fatet e kombit, ishin të brumosur që në fëmijërinë e hershme me atdhedashuri dhe patriotizëm. Ndërkohë, nëna e tyre, Sadije Koka, rridhte nga familja më e madhe dhe e vjetër e Delvinës. Ajo ishte mbesë e Ismail Qemalit dhe kishte qëndisur flamurin kombëtar, së bashku me Marigonë dhe shumë vajza e gra të tjera shqiptare. Kjo nënë i rriti fëmijët me idenë se lumturia e vërtetë, gjendet vetëm në vendin tënd.

Kështu kur Ganimeti mbaroi shkëlqyer, ajo nuk donte që të kryente studimet e larta në Itali, nga frika se mos martohej me ndonjë italian. Ganimeti shquhej në të gjitha veprimtaritë artistike të shkollës, e shohim duke kënduar dhe sidomos në manifestimet e fundvitit. Ajo mbaroi shkëlqyer Institutin Femnor “Nana Mbretneshë” (e shohim në foton duke marrë diplomën), dhe pas diplomimit, iu dha e drejta për të vazhduar studimet në njërin nga universitetet e Italisë, për Kimi dhe Biologji, bashkë me shoqen e saj Musine Kokalari, e cila do të studionte për Letërsi.

Por familja vendosi që Ganimeti, në vend të studimeve, të zgjidhte martesën. Në kujtimet e saj, ajo rrëfen për atë natë kur u vendos që ta fejonin, se e gdhiu natën duke qarë. Fati e deshi që ajo të mos ndiqte ëndrrën e saj dhe më vonë, të mos realizonte ëndrrat e tjera për jetën.

Kështu Ganimeti fejohet dhe martohet me Rauf Fratarin, birin e patriotit të mirënjohur të Pavarësisë, të krahinës së Mallakastrës, Hajredin Fratari, i vrarë nga forcat rebele të Haxhi Qamilit. Bashkëshorti i Ganimetit, Raufi, duke qenë ushtarak, pat shërbyer në Gardën Mbretërore të Mbretit Zog. Ky burrë simpatik ndonëse jetoi pak vite me Ganimetin qëndroi për gjithë jetën në zemrën e saj.

Kështu që gjatë periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Rauf Fratari, e kuptoi që në fillim se çfarë përfaqësonte komunizmi dhe cilat do të ishin pasojat nën ndikimin e ideve komuniste, prandaj krijoi lidhje me Abaz Kupin, duke e shoqëruar në Konferencën e Pezës, në shtator 1942 dhe në Konferencën e Mukjes, në shtator 1943, së toku me patriotët Mit’hat Frashëri, Abaz Ermenji dhe Abaz Kupi, do të punonte dhe përpiqej shumë, edhe për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.

Edhe pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, Raufi qëndroi pranë Abaz Kupit dhe duke qëndruar në këtë krah të Luftës, ky ishte shkaku që më 27 nëntor të vitit 1944, ai largohet nga Shqipëria, për t’i shpëtuar hakmarrjes së komunistëve. Tani Ganimet Fratari mbetet fill e vetme, me dy fëmijë të vegjël për të rritur, vajzën, Sabire dhe djalin Hajredin, që mban emrin e gjyshit martir.

Për Ganimetin tani e tutje, filloi një jetë tjetër, ajo do të përballej me ferrin dhe vuajtjet, njësoj si të shumë familjeve të tjera shqiptare të persekutuara pas vitit 1944. Ajo u bë simboli i femrës fisnike dhe nënës dinjitoze, me shpirtin e sakrificës dhe moralit të lartë. Në vitet që do vinin, ajo vazhdimisht duhej të qëndronte nën hije, e padukshme, për të shpëtuar nga internimet, si bashkëshorte e njeriut që ishte shpallur “kriminel lufte”.

Në fakt është edhe një lloj detyrimi që në faqet e këtij libri të rrëfehet e vërteta për ato vajza të mrekullueshme, të cilat mbaruan Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”, nga familjet më të mira shqiptare u shkolluan dhe u edukuan në atë shkollë model për atë kohë, përse jo model edhe për kohën në të cilën jetojmë, por për fatin e tyre të keq, shumë prej tyre u persekutuan nga një regjim i pashpirt, i ndërtuar dhe i ushqyer edhe nga një grup ish-shoqesh të këtij Instituti.

Ganimeti e mbetur pa triska ushqimi, pa shtëpi dhe pa të drejtën për të punuar, ajo gjeti mbrojtje të vërtetë, tek familja e babait të saj, Avni Gjilani, nëna e saj Sadija dhe vëllai Feti, që mori pjesë aktive në Luftën Nacionalçlirimtare. Ata do t’i gjendeshin pranë në çastet më të vështira të jetës. Ganimeti asnjëherë nuk punoi në arsim në profesionin për të cilin pat kryer shkollimin, po ashtu ajo dinte disa gjuhë të huaja, si anglisht, frëngjisht, italisht edhe gjuhët nuk mund t’i jepte si mësim.

Vetëm se falë edukimit në atë Institut, falë lëndës së ekonomisë shtëpiake, ajo u bë e zonja që të priste e të qepte rroba, e kështu, Ganimeti bleu një makinë qepëse “Singer” dhe me duart e saj, ushtroi në heshtje profesionin e rrobaqepëses për të ushqyer, rritur dhe shkolluar fëmijët, dy engjëjt e saj. Në vitet e vështirë dhe të gjatë të vuajtjeve të njëpasnjëshme, ajo u detyrua të shesë edhe stolitë e vetme që i kishin mbetur, kur i thonë fjalës për një copë bukë, sepse fëmijët e saj, vlenin më shumë se të gjithë xhevahirët e botës.

Kurrë më nuk e takoi bashkëshortin, Rauf Fratari, të cilin e vrau dora e Sigurimit të Shtetit, atje ku ndodhej i arratisur në Nju Xhersi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ganimeti jetonte me zemrën e copëtuar për të parë Kosovën, vend-lindjen e të atit, me brengën që po rriste dy fëmijë jetimë, me babën gjallë, (dramë që u përjetua nga sa e sa gra të tjera të Shqipërisë komuniste), por provoi edhe më të vështirën, kur birin e saj të vetëm, Hajredinin, ia futën në burg në vitin 1978.

Ganimeti, tanimë gjashtëdhjetëvjeçare, u detyrua që për dhjetë vite me radhë, të ndjekë të birin nga njëri burg në tjetrin, sërish duke qepur rroba për të tjerët, në mënyrë që të fitonte diçka që të mbante të birin. Ganimeti pat qenë shoqe klase dhe mike me Musine Kokalarin, ajo i pat treguar se si Enver Hoxha i kish kërkuar të martohej me atë, të cilin ajo e quante “mediokër” dhe “që përpos e kam edhe kushëri”.

Shpesh Ganimeti u tregonte fëmijëve të saj, për vargjet e mrekullueshme të shkruara nga Musineja, për bukurinë e saj në në pamje dhe në shpirt, por mbi të gjitha, për takimin e fundit me Musinenë, që i pat lënë një brengë të thellë në zemër. Të gjorën Musine, e patën shtruar në spital dhe Ganimeti vajti ta takojë pas shumë e shumë vitesh, atje mori vesh se Musineja, vuante nga sëmundja e pashërueshme.

Natyrisht që Musineja u gëzua shumë kur e pa, por kishte frikë se mos i ndodhte ndonjë e keqe, sepse ajo përgjohej vazhdimisht nga njerëzit e Sigurimit dhe fjalët e saj të vetme ishin: “Ik, pse erdhe moj Ganimet, ik se do të të shohin… ke dhe djalin në burg… boll halle ke”! Ishte koha e përgjimeve. Ky ishte takimi i fundit midis dy mikeshave me atë grua të rrallë, e më të rrallave. U ndanë për së gjalli, si e gjithë jeta e tyre kaluar nëpër ankthe, tortura, persekutime, ishte një takim që u mbyll dhe u mbyt mes lotëve. Ishte koha e përgjimeve.

Megjithëse e dënuar nga fati për të vuajtur nën regjimin shtypës komunist, Ganimeti e edukuar në Institutin “Nana Mbretneshë”, nuk e lëshoi kurrë librin nga dora, ajo lexonte pas punës së lodhshme të qepjes së rrobave, vazhdimisht lexonte edhe atëherë kur po i zbehej drita e syve. Ajo lexonte sepse e dinte se vetëm dituria të bën të fortë, për të përballuar vështirësitë e jetës, vetëm dituria të nxjerr në dritën e vërtetë. Ganimeti provoi edhe vuajtje të tjera, kur fëmijëve të saj nuk u jepej e drejta e studimit për në shkollën e lartë, po kjo gjë ndodhi edhe me mbesën e saj të madhe.

Ganimeti asnjëherë nuk e hoqi shpresën nga Zoti, duke i dërguar lutje për të mirën e Shqipërisë dhe më së fundi erdhi viti i mbarë 1991. Së fundi ajo gjeti paqen në shpirt dhe buzëqeshjen e harruar. Një ditë ajo kish përgatitur një drekë për shoqet e saj të Institutit “Nana Mbretneshë”, mes tyresh ishte edhe Drita Kosturi, e cila u përpoq të shfajësohej: “E dashur Ganimet…, mua dhe shumë shoqe të shkollës, na e mori mendjen komunizmi…, por besomë para se të provoj këto gjellëra kaq të mira, që na ke shtruar, merre këtë shkopin tim dhe më jep një dru të mirë…!

Po, po më jep një dru, se e kam thënë edhe në një takim me të persekutuarit, pasi komunizmin…, që të shkatërroi ty e mijëra të tjera si ty, të la pa bashkëshort, të shkaktoi aq shumë vuajtje ty dhe familjes për pesëdhjetë vite me radhë.. këtë komunizëm ua solla unë e shumë të tjera si unë, edhe shumë nga shoqet tona të Institutit “Nana Mbretneshë”….! Megjithëse edhe unë vetë e vuajta skëterrën komuniste porsi ju,… tani gjej forcën për të kërkuar falje…” dhe u mbyt në lot.

Ganimeti iu afrua dhe e përqafoi fort dhe ashtu me zërin që i dridhej, por me forcën e shpirtit të saj i tha: “Moj e dashura Drita, ne ishim të reja,… ju ishit më të hedhura, menduat se komunizmi, do të sillte përparim…! Ju kishit ëndrra, ne të gjitha kishim ëndrra, që Shqipëria të bëhej vend i lulëzuar, i begatë. Ti nuk duhet të kërkosh falje. Falje duhet të kërkojnë ata që e përdhosën luftën e popullit tonë dhe na i shkatërruan jetët tona”!

Ky ishte fati i trishtë i njërës prej atyre vajzave, të cilat kryen Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”, është historia e një bashkëshorteje dhe nëne, që vuajti nën ferrin komunist dhe nuk u përkul kurrë dhe nuk e harroi kurrë prejardhjen e saj fisnike. Komunistët i rrëmbyen çdo gjë: rininë, pasurinë, ëndrrën, familjen, por nuk i morën dot virtytet e larta të femrës së vërtetë shqiptare.

Ajo ishte njëra nga ato që patën aq shumë ëndrra për jetën, për të ardhmen dhe që e deshën aq shumë Shqipërinë. Ganimeti tani nuk jeton më, por ky është vetëm një nderim për një grua të mençur, të bukur, të ditur, të vuajtur e të thjeshtë shqiptare, për një nxënëse të shkëlqyer të Institutit Femnor “Nana Mbretneshë”. Memorie.al