Ballina Kulturë Epiri dhe Iliria i kanë të përbashkëta themelet e qytetërimit të tyre

Epiri dhe Iliria i kanë të përbashkëta themelet e qytetërimit të tyre

15
0

Nga Kujtim Mateli

Libri “Harta arkeologjike e pellgut të lumit Pavla” me autor arkeologun dhe historianin e mirënjohur Halil Shabani, është një nga librat më të çmuar dhe të rëndësishëm të autorit, por dhe një gur themeli në historinë e arkeologjisë shqiptare. Pellgu i lumit Pavla ka qenë i banuar që nga Paleoliti, si rezultat i kushteve klimatike që e bënin të përshtatshme ekzistencën e njeriut. Po ajo që ka rëndësi në jetën e një populli është koha e fillimit të qytetërimit të tij. Koha kur njeriu u shkëput nga jeta e egër dhe e vetmuar dhe iu drejtua qendrave të banuara, ndryshoi mënyrën e jetesës dhe e pasuroi botën e tij shpirtërore me mite dhe legjenda.
Arkeologu dhe historiani Halil Shabani u lind më 25. 11. 1949, në Shalës të Konispolit. Ka mbaruar Universitetin e Tiranës në vitin 1973, në degën Histori-Gjeografi. Ka punuar si mësues historie dhe që nga viti 1976, është marrë me studime dhe gërmime arkeologjike në krahinën e Konispolit dhe në rajonin e Delvinës e Sarandës. Është zbuluesi i dhjetëra sajteve arkeologjike me rëndësi kombëtare si: Shpella e Kreshmoit në Konispol, Kalaja e Dishatit, fortifikimi në Shuglat të Sopikut e në Aravuna të Gravës, Vastroi i Shalësit, skulptura e Perëndisë së Panit e derdhur në bronz etj. Punimet e tij i ka pasqyruar në botimet e revistës periodike e shkencore “Iliria” dhe organe të tjera të shtypit të përditshëm. Ka marrë pjesë në shumë ekspedita arkeologjike, ka kryer disa gërmime arkeologjike me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare, si ekspedita e bashkëpunimit shqiptaro-amerikan me Universitetin e Teksasit – SHBA, Greqi, Itali etj. Është bashkëpunëtor shkencor i Qendrës së Kërkimeve Arkeologjike në Tiranë. Është autor i 17 librave dhe i qindra shkrimeve shkencore në revista të ndryshme. Për kontributin e tij të çmuar, është vlerësuar dy herë me medaljen e urdhërit “Naim Frashëri”.
Autori e ka drejtuar studimin e tij në dy drejtime:
E para: në evidentimin e gjetjeve arkeologjike që u përkasin periudhave të ndryshme, të cilat vërtetojnë se pellgu i lumit Pavla ka qenë i banuar që 40 mijë vjet më parë.
E dyta: në gjetjet arkeologjike që lidhen me botën shpirtërore të njeriut, ku rolin parësor e përbënin hyjnitë, siç është Pani i Milesë ose terakota e perëndeshës Kibela në Çukën e Ajtoit, të shkojë në origjinë të miteve dhe legjendave. Njerëzit e lashtë heronjtë dhe hyjnitë i kanë përjetësuar në statuja bronzi ose metale të tjera, por edhe në emra lumenjsh, malesh, luginash etj., siç është ajo për Kadmin që kjo zonë e ka përjetësuar me emrin e lumit të saj që është ndoshta emri i parë i lumit të sotëm Pavla.
Lugina e lumit Pavla, është një ndër trevat shqiptare më të pasura me vende arkeologjike që kapin nga periudhat më të hershme prehistorike deri në ato të periudhave të mëvonshme. Krahas dëshmive arkeologjike që e tregojnë këtë pasuri materiale, njeriu i ditëve të sotme është i interesuar edhe për pasurinë shpirtërore, të cilën brezat ia përcollën njeri-tjetrit deri në ditët e sotme. Autori i këtij studimi u është drejtuar pothuaj të gjithë autorëve të antikitetit, që kanë shkruar për këtë krahinë dhe ka arritur në përfundimin se pika më e largët kohore është legjenda për Kadmin dhe Harmoninë që njihen si dy hyjnitë kryesore të etnosit ilir. Dëshmia më e plotë për këtë krahinë është ajo e Stefan Bizantinit, të cilën autori i këtij studimi e ka sjellë të gërshetuar edhe me autorë të tjerë të antikitetit:
Stefan Bizantini: “Kammania-krahinë e Thesprotisë, më vonë u quajt Kestrinë, nëpër të cilën rrjedh Kadmi, lumi i Kestrinës; e themeloi Kestrini, biri i Priamit. Banorët quhen kammanoi” (Ilirët dhe Iliria te autorët antikë fq. 419.)
Kadmi dhe Harmonia, si personazhe mitologjikë, kanë historinë e tyre e cila ngjitet në kohë deri në zanafillë të lindjes së hyjnive pellazge. Harmonia është motra e perëndisë së Luftës, Aresit, që është një nga perënditë kryesore pellazge. Që do të thotë se sistemi i perëndive ilire ka qenë i gërshetuar me ato pellazge, janë zhvilluar në të njëjtin shtrat: në territorin e Epirit që konsideroj pellazg me atë ilir që shtrihej në veri të Epirit. Kjo vërtetohet me faktin që hyjnia pellazge Di nderohej që nga Gjiri i Ambraqisë deri në gjirin e Kotorit në Malin e Zi. Po ashtu, Kadmi dhe Harmonia gjenden nga gjiri i Kotorrit (Skylaks Kariadensis, Lundrimi, “Enkelejtë janë fis ilir, ngjitur me Rizonin. Gjendet te: ”Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, faqe 36) përgjatë bregdetit të Ilirisë deri në malet Akrokeraune, që shënojnë kufirin veriperëndimor midis Epirit dhe Ilirisë. Pikërisht në gjirin e Vlorës deri në kufijtë e Apollonisë, ky territor banohej nga enkelejtë ilirë që nderonin Kadmin dhe Harmoninë. ( Hecataei Milesii, Fragmenta nr 75, faqe 66.“Ipsa Οrici regio non annumeratur Chaoniae, sed est Illyriae, et quidem Εncheleorum.”)
Nga Stefan Bizantini mësojmë se krahina e Kestrinës më parë quhej Kammania. Ndërrimi i emrit nga Kammania në Kestrinë, i përket periudhës pas Luftës së Trojës, kur Kestrini, i biri i Priamit të Trojës, u vendos në veri të lumit Thiamis (sot Kalama) dhe territori mori emrin e tij. Nga pikëpamja kohore kjo krahinë ka patur dy emra: para Luftës së Trojës quhej Kammania dhe pas Luftës së Trojës Kestrina. Lumi që rrjedh në këtë territor është lumi Pavla. Nga pikëpamja kohore ky lumë ka patur dy emra: deri në shekullin e Stefan Bizantinit (shek.VI pas Krishtit) lumi quhej Kadmi, pas shekullit të VI pas lindjes së Krishtit, në një periudhë të panjohur, lumi ka marrë emrin Pavla. Ajo që na intereson është emri i parë që ky lumë ka pasur, i cili është thirrur me emrin e Kadmit, të cilin ilirët e konsideronin si paraardhësin e tyre dhe e nderonin në nivelin e Hyjnisë. Kadmi dhe Harmonia janë prindërit e Ilirit, që sipas disa autorëve, nga emri i tij e mori emrin Iliria dhe populli u quajt ilirë. Koha kur janë hyjnizuar Kadmi dhe Harmonia i përket periudhës së para Luftës së Trojës, pra përpara shekullit të XII para lindjes së Krishtit.
Pyetja shtrohet: cilat janë arsyet që Kadmi të nderohet edhe në Iliri, edhe në Epirin pellazg? Një nga arsyet mendoj se është, sepse Kadmi kishte bashkëshorte Harmoninë, motrën e Aresit, perëndia pellazge e Luftës që nderohej në Pasaron, në kryeqytetin e Epirit. Kjo tregon se Epiri pellazg dhe Iliria i kishin të përbashkëta hyjnitë: Harmonia nderohej në Epir, por edhe në Iliri. Kadmi nderohej në Iliri, por edhe në Epir.
Lidhjen e ngushtë midis Epirit dhe Ilirisë e tregojnë dhe gjetjet e shumta arkeologjike të zbuluara në të dy anët e lumit Pavla. Arkeologu Halil Shabani sjell gjetjet arkeologjike të gjetura në Shpellën e Konispolit dhe lidhjet e këtyre gjetjeve arkeologjike me vendbanimet e tjera të Epirit dhe Ilirisë. Në periudhën e neolitit, qeramikat e gjetura “ngjasojnë me qeramikën e vendbanimeve Vlushë, Podgorie dhe Vushtmi-Shqipëri… Neoliti i vonë paraqitet me kupa gjysmë sferike që ngjasojnë me ato Maliq 1, Katundas Berat etj. Epoka e bronzit e cila paraqitet me enë me vegje të shkurtra, ngjasojnë me ato Maliq III-a, Maliq III-b, Katundas e Bënjë -Përmet.” (Halil Shabani, “Harta arkeologjike e pellgut të lumit Pavla” faqe 246)
Siç shihet në këtë periudhë që u përket mijëvjeçarëve IV-II para lindjes së Krishtit, këto treva pellazge të Epirit dhe ato të Ilirisë, nuk kanë pasur të përbashkët vetëm mitologjinë dhe besimin te Hyjnia e tyre e përbashkët Di, por edhe kulturën materiale, që do të thotë se ato kanë qenë në lidhje të vazhdueshme midis tyre, shkëmbim përvojash e lëvizje të grup-familjeve nga njëri territor në tjetrin. Në këtë lëvizje Dodona ka qenë epiqendra që bashkonte njerëz nga të dy anët e shtrirjes së saj gjeografike, ku një arritje në fushë të qeramikës në një territor të caktuar, bëhej model për t`u përcjellë edhe te banorët e krahinave të tjera. Epoka e bronzit ka një vazhdimësi, të cilën e gjejmë te epoka e Hekurit dhe kjo e fundit është e përzier me periudhat antike dhe mesjetare.
Banorët e të dy krahëve të lumit Pavla i kanë zanafillat e njeriut që ka dashur të shpreh emocionet e veta në lidhje me natyrën ose të depërtonin dhe të shprehnin një mendim për jetën që i rrethonte me anë të shenjave dhe simboleve, thellë në histori. Ata kërkonin të komunikonin nëpërmjet figurave të gdhendura në gurë apo shkëmbinj me banorët e tjerë përreth vendbanimit të tyre, të shprehnin një mendim ose emocion. Mund të përmendim pikturën murale në Bogaz. “Edhe pse piktura nuk është e plotë, ajo është dëshmi e fantazisë së njeriut të lashtë të paleolitit. Piktura paraqet një zog shqiponje të dëmtuar.” (po aty, faqe 46)
Banorët e kësaj treve kanë bërë përpjekje që të komunikonin midis tyre, të cilat mund t`i konsiderojmë si fillesat e një shkrimi ku mund të përmendet: “Gdhendja e 9 vijave, në një pllakë guri ranor, gjetur në shtresat kulturore të neolitit, që mbart elemente të shkrimit kunjor” (po aty faqe 250)
Banorët e kësaj zone besojnë akoma si në kohët e besimit pellazgjik, kur vendet shenjtëroheshin dhe njerëzit shkonin atje për të bërë lutje dhe flijime për të realizuar atë, të cilën ata e kanë pasur të pamundur. Gjurmët e këtij besimi gjenden te Shpella e Shën Marinës. Ajo ka qenë e banuar që nga periudha prehistorike (40.000 vjet më parë) dhe në vazhdimësi njerëzit e kanë shenjtëruar atë sipas besimit pellazgjik. Në ditët e sotme konsiderohet si vend i shenjtë ku njerëz të Shqipërisë Jugore vijnë aty duke besuar në shërimin e sëmundjeve të ndryshme.
Banorët e pellgut të lumit Pavla, përgjatë periudhës së antikitetit, i kanë lënë gjurmët e tyre në tempujt që kanë ngritur dhe hyjnive që u janë përkushtuar. Në Dobra, gjendet, tempulli i Demetrës, i cili datohet i shek. IV para Krishtit, ku dhe është gjetur skluptura e Perëndisë Demetra, por koka e saj është grabitur. “Teknika e ndërtimit të tempullit të Dobrës,- thotë autori i këtij studimi, Halil Shabani,- është i njëjtë me atë të tempullit të Foinikes, të Butrintit, të varrit monumental të zbuluar në kodrën Goleme, pranë fshatit Palavli në zonën e Vargoit…” (Po aty faqe 204).
Përmasat e saj ishin gati dy herë më të mëdha se ato të trupit të njeriut. Kjo tregon se hyjnesha nuk nderohej vetëm në banesat e çdo familjeje ku mbahej në përmasa të vogla, por kishte një nderim publik ku mblidheshin njerëz nga të gjitha trevat përreth e kryenin ceremoni fetare të përbashkëta.
Në një ekspeditë, që autori i këtij studimi, Halil Shabani, ka realizuar në malin e Milesë me nxënësit e shkollës 8-vjeçare Shalës, Konispol, gjeti statujën që i përkiste perëndisë pellazge Pani, 19.5 cm e lartë, i cili ka të hedhur krahëve një lëkurë luani:
“Tiparet e kësaj figurine janë punuar me mjeshtëri të rrallë dhe triumfuese mbi kafshën më të fuqishme luanin. Duke u mbështetur tek objektet që paraqiten, briri dhe sfurku, paraqitja e fytyrës dhe këmbët e cjapit, skluptori ka realizuar perëndinë e Panit. Për trevën e Epirit, Pani i Milesë është e para figurinë e derdhur në bronz. Deri tani Pani është gjetur në relieve dhe i shoqëruar nga nimfat, por i dëmtuar dhe në mermer. Ato relieve janë gjetur në Plloçë të Vlorës, Durrës, Elbasan, Dimal dhe Apolloni. Pani i Milesë paraqet një perëndi ilire dhe epirote dhe u paraqit si hyu i mbrojtjes së pyjeve, kullotave dhe barinjve. Por e plotë, figurina e Panit u gjet vetëm këtu në Mile. Njëkohësisht është edhe Simbol i bujqësisë e blektorisë.” (Po atyfaqe 225)
Këto gjetje arkeologjike dhe të tjera, vërtetojnë se banorët e pellgut të lumit Pavla, kishin një botë të pasur shpirtërore, besonin në hyjnitë kryesore pellazge dhe e ndërtonin jetën e tyre mbi parime hyjnoretë cilat u tregonin njerëzve si duhet të jetonin në shoqëri dhe si duhet të vepronin për të pasur një jetë më të mirë. E gjithë kjo botë shpirtërore, e ngritur mbi heronj dhe hyjni, është krijuar në qendrat kryesore të kësaj treve: “Periudha e antikitetit iliro-epirot, në pellgun e lumit Pavla përfaqësohet qartë nga qytetet antike si: Çuka e Ajtojt, qyteti në Malçan, Diaporiti-pjesë përbërëse e Butrintit, Vastroi, Ripsi, Paleomanastiri, Llako-Grava, Kalaja e Vagalatit, Vila në Dobra, Vila në Malthre, Kalaja e Dishatit, Rashku, fortifikimi në Shuglat të Sopikut, si dhe shumë vendbanime të tjera që u përkasin territoreve të hapura fshatare.” (Po aty, faqe 246)
Qytetërimi i pellgut të lumit Pavla është i lidhur ngushtësisht me qytetërimet e tjera të Shqipërisë Jugore dhe më gjerë, teknika e ndërtimit dhe arkitektura e banesave kanë të njëjtën analogji me qytetet e tjera të së njëjtës periudhë si: Foinikes, Butrintit, Antigonesë, Bylysit etj.
Kjo ndërthurrje e qytetërimit të lumit Pavla me qytetërimet e krahinave të tjera të Epirit dhe Ilirisë, tregon se iliro-epirotët kanë qenë në marrëdhënie të vazhdueshme midis tyre, në ngjizjen e një kulture të përbashkët që përcaktojnë dhe themelet e përbashkëta të identitetit iliro-epirot.
Autori nënvizon se periudha mesjetare në pellgun e lumit Pavla, paraqitet me një numër të madh objektesh, ku gjenden kala dhe manastire, kisha dhe varreza të shumta. Vendbanimet më të rëndësishme të kësaj periudhe si: Llapsaneza, Palambari, Rrëza, Bregu i Sterrës, Stismasi, Lëmi i ri në Dishat, Munguli, Paleofshati i Ninatit, Shuglati i Sopikut, etj., japin një tablo të qartë të vendbanimeve fshatare në Mesjetë. Qeramika e gjetur në këto vendbanime ka lidhje të ngushtë me qeramikën e gjetur në qytetet dhe qendrat e banuara të Shqipërisë së Jugut. Teknika e ndërtimit të kalave ka ngjashmëri me kalatë e ndërtuara nga Ali Pashë Tepelena që i përkasin fillimit të shek. XIX. Pra, kemi në këtë trevë të Shqipërisë jugore një vazhdimësi që fillon nga periudhat e hershme të neolitit deri në ditët e sotme, që tregon për vazhdimësinë e së njëjtës popullsie në këto treva iliro-epirote që kanë ruajtur jo vetëm mitet dhe legjendat, por edhe kulturën materiale të cilën e kanë përsosur vazhdimisht.
Një studim të thelluar arkeologu Halil Shabani ua ka kushtuar objekteve të kultit ortodoks siç janë kishat dhe manastiret. Ato fillojnë duke përfaqësuar periudhën parabizantine dhe atë bizantine, me akitekturë të zhvilluar e cila gjendet sidomos në disa nga manastiret siç është ai i Shën Kollit në Çiflik, i Shën Thanasit në Cerkovicë, i Shën Theodhorit, etj.
Me arkitekturë të zhvilluar janë edhe kishat e hershme ku mund të përmendet ajo e Shën Marinës në Malçan, Panajasë në Cerkovicë, e Shën Gjergjit në Leshnicë etj. Ato janë të pasura me afreske murale ku paraqesin jo vetëm shenjtorin me emrin e kishës përkatëse, por edhe shumë shenjtorë të tjerë, si dhe figura të tjera të thjeshta.
Autori Halil Shabani, ka sjellë në këtë libër gjithë trashëgiminë arkeologjike dhe atë shpirtërore të pellgut të lumit Pavla, i cili i ka shkelur me këmbë të gjitha ato vende, duke qëndruar me orë dhe ditë të tëra, për ta sjellë sa më të plotë gjithë këtë pasuri me vlera të jashtëzakonshme. Nga 148 vendet që jepen në këtë libër, 100 prej tyre sillen për herë të parë, të tjerat janë zbulime të mëparshme të autorit ose referenca nga autorë të tjerë. Duke lexuar këtë libër, jo vetëm banorët e pellgut të lumit Pavla, por çdo lexues i trojeve shqiptare, gjen aty një pasuri të çmuar kombëtare që do t`u shërbejë: nxënësve, studentëve dhe pedagogëve, historianëve dhe etnologëve dhe gjithkujt që është i interesuar për të njohur historinë dhe gjeografinë e vendit tonë./BS