Mbi 6541 tatimpagues që furnizojnë shërbime profesionale kanë parapaguar tatimin për periudhën 1 janar 2024 deri me 30 qershor 2024 në vlerën 500 milionë lekë, që nga hyrja në fuqi e ligjit për tatimin mbi të ardhurat i cili tatonte profesionistët e lirë me një normë nga 15-23 %, deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese i cili shfuqizoi këtë nen. Ndërsa pjesa tjetër e tatimpaguesve rezulton të jetë ngarkuar me detyrime tatimore dhe për shkak të mospagesës të jenë akumuluar edhe kamatëvonesa. Ndonëse ky ligj është shfuqizuar, profesionistët e lirë ende nuk janë kompensuar mbi tatimin që kanë paguar dhe po ashtu ende nuk është përcaktuar një rrugë se si do ti marrin pas këto para. Komisionet Kuvendore kanë nisur diskutimet mbi nisëm e Partisë Demokratike, sipas së cilës, kërkohet që “Të gjithë tatimpaguesve, të cilët furnizojnë shërbime profesionale, që kanë parapaguar tatimin për periudhën 1 janar 2024 – 30 qershor 2024, administrata tatimore, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, i kalon shumat e paguara për llogari të detyrimeve të tjera tatimore, të papaguara nga tatimpaguesit. Pas kësaj, me kërkesë me shkrim, te tatimpaguesit, shuma e mbetur, nëse ka, rimbursohet automatikisht në llogarinë e tatimpaguesit ose kalohet për llogari te detyrimeve tatimore te ardhshme te tatimpaguesit”. Po ashtu, shtohet edhe pika që synon të heqë gjobat në rastet kur këto detyrime nuk janë paguar. Pika e propozuar synon që “të gjithë tatimpaguesve, të cilët furnizojnë shërbime profesionale, që janë ngarkuar me detyrime tatimore të papaguara për periudhën 1 janar 2024 – 30 qershor 2024, sipas nenit 69, të ligjit “Për tatimin mbi te ardhurat 2023 i ndryshuar, i shfuqizuar me vendimin nr. 52, datë 27.06.2024 të Gjykatës Kushtetuese, administrata tatimore, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, fshin nga sistemi detyrimin tatimor se bashku me kamatëvonesat”.