Ballina Dossier Ditarët e luftës të ushtarakut madhor gjerman, Helmuth Greiner, 1943-1944

Ditarët e luftës të ushtarakut madhor gjerman, Helmuth Greiner, 1943-1944

8
0

Ditarët e luftës të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (Kriegstagebuch des Oberkommandos der Wehrmacht, KTB OKW), në vitet 1940-1945, u mbajtën nga Zyra e Mbrojtjes Kombëtare pranë Shtabit të Operacioneve të Forcave Ushtarake gjermane (Abteilung Landesverteidigung im Wehrmachtführungsstabamt). Këto ditarë lufte, përshkruajnë strategjitë, betejat, lëvizjet e trupave, linjat e fronteve, qëllimet, vendimet operacionale dhe planet e luftës dhe vlerësimet e situatave luftarake, prej udhëheqjes më të lartë të forcave ushtarake gjermane. Sekretari i Ditarëve të Luftës në Komandën Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane, ishte Helmuth Greiner deri më Mars 1943 dhe më pas Percy Ernst Schramm. Në vitet 1961-1965 ditarët e luftës u përpiluan nga historianët dhe u botuan nga shtëpia botuese Bernard & Graefe Verlag für Wehrëesen, Frankfurt am Main. Historiani kryesor ishte Percy Ernst Schramm dhe ndihmësit e tij historianë përkatësisht sipas vëllimeve ishin si më poshtë:

Faqe 768 – 10.07.1943. Shtabi drejtues i ushtrisë gjermane, është dakord me strukturën komanduese të trupave gjermane në zonat bregdetare, të mbajtura ende nga italianët në Kroaci, Mal të Zi, Shqipëri dhe Rodos….! Pranohet pjesëmarrja e një Divizioni Malor [gjerman] në operacionin “Delta” (operacion spastrimi, në Greqinë perëndimore), por nuk është në interesin gjerman, futja i atij Divizioni Malor në Shqipërinë jugore.

Faqe 786 – 14.07.1943. Për të arritur një administrim ushtarak qendror dhe efektiv në zonën jug-lindore, propozohet të ngrihet një “shtab drejtimi juglindor”, në rangun e një komandature të një armate me komandaturë dhe shtab administrativ, me të drejtat e plota të një komande ushtarake territorial, për zonën jug-lindore. Këtij shtabi do t’i vihen nën komandë shtabet e Greqisë jugore, të zonës Selanik-Egje, Serbisë, Kroacisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Faqe 822 – 23.07.1943. Komanda e lartë për jug-lindjen dërgon dhe është dakord me një analizë të situatës, të bërë nga komanda e forcave ajrore jug-lindore dhe paraqitur Komandës Supreme të Forcave Ajrore, në lidhje me mundësinë e një sulmi armik kundër Shqipërisë. Shqipëria, ndryshe nga Dalmacia dhe Greqia, ka një breg që arrihet lehtë dhe ka shumë fusha aviacioni, një pjesë e të cilave janë të mira. Megjithatë, sjellja e rezervave gjermane nga pjesa tjetër e Ballkanit, për në zonat kufitare, është e vështirë, sidomos në dimër dhe pranverë.

Faqe 526 – 24.07.1943. (Për shkak të zhvillimeve në Itali, ky urdhër [i Hitlerit për zhvendosje trupash në Greqi], nuk arrin të zbatohet. Batalioni 92 i grenadierëve, do të zhvendoset nëpërmjet Shqipërisë, për në Greqinë e Veriut, për të vepruar në bregun e detit Adriatik.)

Faqe 841 – 26.07.1943. Rregullore e re për komandën në zonën jug-lindore: Trupat gjermane që ndodhen në bregun kroat, në Mal të Zi, Shqipëri dhe Egje, vihen nën komandën italiane. Korparmata III-të italiane, zhvendoset për në Shqipëri, sapo të arrijnë trupat gjermane që do ta zëvendësojnë.

Faqe 842 – 26.07.1943. Përgjigja përfundimtare nga “Commando Supremo” [italiane], arrin më 26.07.1943, ora 14:50. Në të pranohet vendosja e Armatës XI-të, nën komandën gjermane, emërimi atje i një shefi shtabi të përgjithshëm gjerman, zhvendosja e Korparmatës VII-të në veri; edhe Divizioni “Brennero”, do të zhvendoset për në Shqipëri……! Trupat gjermane në Shqipëri, Mal të Zi dhe në zonën kroate të pushtuar nga Italia, janë nën komandën italiane të Lindjes, përkatësisht të Armates II-të italiane.

Faqe 857 – 29.07.1943. Juglindje: Trupat gjermane që ndodhen tani, ose do të ndodhen në të ardhmen në Kroaci, Mal te Zi dhe Shqipëri, do të vendosen nën komandën italiane të atjeshme.

Faqe 862 – 30.07.1943. Jug-lindje: Shtabi drejtues i ushtrisë gjermane, mban qëndrim në lidhje me vlerësimin e situatës mbi Shqipërinë (përfshirë Malin e Zi dhe Kroacinë), të bërë nga forcat ajrore të jug-lindjes dhe dërguar më 23.07.1943 nga komanda e lartë e jug-lindjes dhe vjen në përfundimin se; mbështetur mbi përvojën me trupat italiane, është e nevojshme ndërhyrja me trupa gjermane, për të mbrojtur kufirin bregdetar e cila do të kufizohet në mbrojtjen e porteve. Shtabi drejtues i ushtrisë gjermane, vë në gatishmëri forcat e nevojshme për këtë qëllim.

Faqe 876 – 01.08.1943. Ka filluar pushtimi i aeroporteve në Shqipëri, nëpërmjet forcave tokësore të çuara atje me avionë, parashutistë dhe një batalion me emrin; “Brandenburg”.

Faqe 890 – 03.08.1943. Jug- lindje: 2. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë gjermane, kërkon që tani për tani për Shqipërinë dhe Malin e Zi, të ndërmerren vetëm përgatitjet e urdhëruara me 01.07.1943.

Faqe 894 – 04.08.1943. Në Shqipëri vazhdojnë veprimet revolucionare, me sulme mbi garnizonet italiane. Aeroportet shqiptare, janë prezentë forcat gjermane.

Faqe 908 – 06.08.1943. Bisedime italo-gjermane në Tarvisio [Udine, Itali]: Gjenerali Ambrosio, dëshiron të zhvendosë sa më shpejt Korparmatën III-të italiane nga Greqia lindore, për në Shqipëri, ku nevojiten përforcime.

Faqe 910 – 06.08.1943. Vazhdojnë veprimet e bandave, sidomos në Shqipëri dhe Kroaci.

Faqe 926 – 10.08.1943. K.S.F.A., ka bërë me dije Komandën e Lartë të Jug-lindjes, se Komanda Supreme italiane, do të zhvendosë më 01.09.1943, Korparmatën III-të italiane, me dy Divizione nga Greqia lindore, në Shqipëri.

Faqe 952 – 15.08.1943. Gjenerali Roatta ,lajmëron se Korparmata III-të italiane, do të zhvendoset më 01.09.1943 nga Thesalia në Shqipëri dhe nga Armata II-të italiane, do të kthehen 3 Divizione.

Faqe 959 – 16.08.1943. Në Greqi vazhdojnë spastrimet nga ana jonë. Në Shqipëri, ka shenja të shpërbërjes së milicisë, veprime të bandave në Tiranë, sabotazh në të korrat në Serbi.

Faqe 996 – 23.08.1943. Në bisedimet në Tarvisio dhe Bolonjë [të Italisë], u arrit marrëveshja me italianët që të zhvendosin në Shtator Korparmatën III-të, për në Shqipëri.

Faqe 1002 – 24.08.1943. Hitleri ka urdhëruar forcimin e Regjimentit 92 grenadier, i cili do të vendoset jo në Kretë, por në Shqipëri.

Faqe 1009 – 25.08.1943. Më 09.08.1943, Komanda e Lartë e Jug-lindjes, bën kërkesën që në rastin e rënies së përforcimeve në bregun dalmatik dhe shqiptar, të futen në veprim trupa xheniere nga fortesat ushtarake.

Faqe 1018 – 27.08.1943. Komanda e Lartë e Jug-lindjes, lajmëron më 26.08.1943, se Komanda e Forcave Ajrore në Jug-lindje, ka kërkuar të zhvendoset një batalion ruajtës i forcave ajrore me qëndrim në Kretë, për të siguruar mbrojtjen e aeroporteve greke dhe shqiptare dhe në shkëmbin të tij, kërkon një batalion këmbësorie.

Faqe 1022 – 28.08.1943. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të grupit të Armatës ‘F’, lajmëron se italianët janë lutur që të zhvendosen 1-2 Divizione gjermane, në zonën Shkup-Elbasan, si rezervë për ndërhyrje në Shqipëri dhe për sigurimin e rrugës për në Tiranë. Komanda e Lartë e Jug-lindjes, përshëndet mundësinë që krijohet kështu për të futur që tani forca [gjermane] në Shqipëri. Me 29.08.1943, njoftohet pranimi prej Hitlerit, për këtë lëvizje.

…..Komanda e Lartë e Jug-lindjes, merr detyrën të lidhet me Shtabin e Përgjithshëm bullgar dhe të pyesin [për të ngacmuar mendimin], nëse bullgarët do të ishin të gatshëm që në rastin e një zbarkimi armik dhe të operacionit “Achse” [operacioni i çarmatosjes së ushtrisë italiane, që pritej të kapitullonte], të zgjerojnë zonën e tyre të pushtimit deri në Mal të Zi dhe Shqipëri. Zona e shtrirjes së pushtimit, do të varet nga gjendja në Serbi dhe nga planet e vendosjes së trupave bullgare të artilerisë.

Faqe 1035 – 30.08.1943. Në një bisedë të Hitlerit, me një ekspert të Ministrisë së Jashtme për çështjen shqiptare, peshohen mundësitë e paqtimit me Shqipërinë, në rastin e një pushtimi gjerman, në vijim të operacionit “Achse“.

Faqe 1042 – 01.09.1943. Për marshimin e trupave gjermane në Shqipëri, për të cilin është parashikuar Divizioni 100 i Forcave Ajrore Rajonale, është kërkuar pranimi me shkrim i komandës italiane lindore, pranimi me gojë ka ardhur.

Faqe 1051 – 03.09.1943. Komanda e Lartë e Jug-lindjes, është dakord me largimin e Divizionit I-rë të tankeve nga Peleponezi. Por duhet të kihet parasysh, dobësimi për rreth 4 javë i forcave të atjeshme. Komanda e Jug-lindjes tërheq vëmendjen se; nëse ky Divizion; do të përdoret si një grup rezervë i ushtrisë, atëhere pushtimi i Shqipërisë; në rastin e operacionit “Achse”, për të cilin ai Divizioni ishte parashikuar, nuk mund të kryhet.

Faqe 1055 – 04.09.1943. Komanda e Lartë e Jug-lindjes, lajmëron se pushtimi i aeroporteve në Shqipëri me nga një batalion, ka filluar dhe do të përfundojë në mes të Shtatorit.

Faqe 1058 – 05.09.1943. …. 4.1. Divizioni italian “Brennero”, i Korparmatës III-të italiane, po zhvendoset për në Shqipëri.

Faqe 1063_1064 – 06.09.1943. Komanda e Lartë e Jug-lindjes, lajmëron më 05.09.1943, se Komanda Supreme italiane, ende nuk ka pranuar futjen e trupave të Divizionit 100, të Forcave Ajrore [gjermane] dhe se Komanda e Lartë italiane e Lindjes, do të lejojë futjen e Divizionit në zonën e Dibrës, ose të Korçës, por jo në Elbasan. K.S.F.A., është dakord me qëllimin e Komandës së Lartë në Jug-lindje, që Divizionin në fjalë, i cili tani për tani ndodhet në zonën Ohër–Bitola, ta lërë atje. Ndërkohë të këqyren rrugët, të mbahet lidhje me trupat që sigurojnë aeroportet shqiptare. Italianët të njoftohen për këtë.

Faqe 1068 – 07.09.1943. [Mbas armëpushimit të Italisë me aleatët, nënshkruar më 03.09.1943, i cili u bë i njohur më 08.09.1943]: ….3. A nevojitet t’i bëhet thirrje gjithë Ballkanit (kroatëve, serbëve, shqiptarëve, grekëve), kundër italianëve? Me këtë mënyrë, mund të pakësohet armiqësia ndaj gjermanëve. Por në një rast të tillë, duhen dhënë premtimet e nevojshme (bregu i detit Adriatik, për Kroacinë, pavarësia për Shqipërinë) dhe të jepen dhe faktet e nevojshme për këtë.

Faqe 1069 – 07.09.1943. [Përshkruhen masat që merr shtabi gjerman, mbas armëpushimit të Italisë me aleatët]…..5. Duke hequr dorë nga ishujt jonikë, hiqet dorë nga një mundësi e mirë për t’u hedhur në Greqi dhe Shqipëri.

Faqe 1072 – 07.09.1943. Komandës së Lartë të Jug-lindjes, i njoftohen qëllimet e Komandës Supreme italiane, për zhvendosjen e Korparmatës III-të italiane për në Shqipëri, si dhe zhvendosja e tre Divizioneve nga Kroacia, në tokë italiane. Në vend të një Divizioni të ndodhur në Kroaci, do të zhvendoset tashmë Divizioni “Forli”, i Koorparmates III-të italiane për në atdhe, kështu që Shqipëria përforcohet, vetëm nga dy Divizione italiane; (“Brennero” dhe “Pinerelo”).

Faqe 1082 – 08.09.1943. Pasi i është dhënë parulla; “Achse“, Komanda e Lartë [gjermane] në Jug-lindje, lajmëron me gojë në orën 22:20, se Komanda e Lartë e Ushtrisë italiane, ka pranuar dorëzimin e armëve të rënda dhe të paluajtshme, por ka kërkuar që ushtarët të mbajnë armët e dorës, duke patur parasysh edhe rrezikun bolshevik, që i kërcënohet Italisë. Komanda e Lartë e Jug-lindjes, e ka hedhur poshtë këtë kërkesë. Në Shqipëri gjendja është akoma e paqartë, sepse komandanti i lartë italian nuk është i pranishëm dhe në këtë mënyrë, i fshihet përgjegjësisë që ka.

Faqe 1085 – 09.09.1943. Shtabi Suprem gjerman, njofton se ka për qëllim që Shqipërinë, ta njohë si autonome (në kushte të caktuara së bashku me Malin e Zi). Ministria e Jashtme të dërgojë një trupë të posaçme, që të sqarojë në vend gjendjen. Derisa të sqarohet kjo gjë, në Shqipëri dhe Mal të Zi, do ta ketë pushtetin ekzekutiv, Armata II-të e tankeve.

Faqe 1089 – 10.09.1943. Në Rhodos, vazhdojnë luftime me italianët. Lëvizjet e trupave tona në Shqipëri dhe Mal të Zi, u zhvilluan sipas planit. Popullsia e Greqisë, Shqipërisë, Serbisë dhe Kroacisë, është ende e qetë. Nuk llogaritet më një sulm anglo-amerikan, në Ballkanin jugor, por është i qartë rreziku në frontin e Adriatikut, në të cilin Shqipëria është pika më e dobët.

Faqe 1090 – 10.09.1943. Komanda e Lartë në Jug-lindje, ka përmbledhur dhe paraqitur rishtas kërkesat për mbrojtjen e zonës Jug-lindore, duke u bazuar edhe në raportin mbi gjendjen e armikut, të paraqitur nga departamenti i ushtrive të huaja Perëndim. Ndër të tjera ka kërkuar qartësimin e përgjegjësisë komanduese, në pjesën veriore të pjesës jug-lindore, futjen e shpejtë të forcave gjermane, për mbrojtjen e bregut të Kroacisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë, afrimin e Divizioneve sulmuese, përforcimin e Divizionit sulmues në Rhodos, për të krijuar një Divizion të plotë me dy Regjimente dhe pajisjen e plotë të Divizionit SS, “Nordland”, si dhe të Brigadës SS, “Nederland”, rritjen e numrit të forcave të sigurisë në gjithë zonën e prapavijës, çuarjen e artilerisë bregdetare në bregun shqiptaro-dalmatik dhe kthimin e tij në një kala bregdetare.

Faqe 1095 – 11.09.1943. Vazhdojnë luftimet në Rhodos, ku kanë arritur anije lufte me trupa. Lëvizjet e trupave tona në Greqi, sipas planit. Në Shqipëri ka filluar krijimi i një qeverie të re. Divizioni gjuajtës 100, arriti Valonën dhe pushtoi pjesë të Durrësit, në bashkëpunim me forca të tjera, që i ka nën komandë.

Faqe 1098 – 12.09.1943. Në Rhodos, kapitullojnë forcat italiane, prej 40’000 vetash. Në Kretë, forcat italiane pro-gjermane, bashkohen me trupat gjermane. Në veri-perëndim të Athinës dhe në [ishullin] Eube, ka lëvizje banditësh. Në Shqipëri, përparon pushtimi i zonës bregdetare.

Faqe 1100 – 13.09.1943. [Përshkruhen urdhrat në lidhje me oficerët dhe ushtarët italianë, të cilët shprehen të gatshëm të luftojnë në krah të gjermanëve]. Egzistojnë disa mundësi për t’i përdorur këto trupa: 1) Si milicë ose police, në Itali, pasi të jenë stërvitur nga forcat SS, ose jashtë Italisë, në luftime kundra bandave. 2) Si batalione ndërtimi, në ushtrinë gjermane. 3) Si trupa ndihmëse, në në përbërje të trupave gjermane. Përjashtohet futja e këtyre trupave në zonat me popullsi me origjinë gjermane, si dhe në Kroaci dhe Shqipëri.

Faqe 1102 -13.09.1943. Çështja e një shteti shqiptaro-malazez, është e hapur, pasi ato rrethe shqiptare, me të cilat janë krijuar lidhje, meqenëse nuk janë të sigurta se si do të mbarojë lufta, nuk pranojnë autonomi, në sajë të mëshirës së Gjermanisë.

Faqe 1114 – 17.09.1943. Bregu shqiptaro-dalmatik-malazez, fiton gjithmonë e më shumë rëndësi, sepse aty ekzistojnë kushte të përshtatshme për kundërshtarin, njësoj si në bregun e Kanalit [La Manche], prej nga mund të ndërmerret një sulm, për në zemër të Europës.

Faqe 1116 – 17.09.1943. Gjendja në Greqi dhe Shqipëri, është e kënaqshme. Pasi kanë dështuar përpjekjet e para, për të krijuar një qeveri në Shqipëri, (krahaso 13.9./6) po bëhen përpjekje në Kosovë, ku janë gjetur vendas të gatshëm, për të krijuar një qeveri kombëtare. Nëse kjo do të ketë sukses, atëhere duhet ngritur një administrate, që të duket nga jashtë si e pavarur.

Faqe 1127 – 21.09.1943. K.S.F.A. kujton se sipas urdhrit të datës 15.09.1943 mund të përdoren për punime ndërtimi vetëm trupa italiane besnike, por vetëm në Greqi dhe jo në Kroaci, Mal të zi dhe Shqipëri, ku duhet të merren për këto punime banorë vendas.

Faqe 1134-1135 – 23.09.1943. Divizioni “Brennero”, që vepron në Shqipëri, ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar luftimet në anën gjermane. Komanda e Lartë e Jug-lindjes, ka urdhëruar dërgimin e tij në zonën Rashka-Mitrovicë, në mënyrë që trupat të mund të kontrollohen dhe ajo pjesë që do të gjykohet e besueshme, do të bashkohet me batalionet këmbësore 999. Shtabi drejtues gjerman, nuk do që trupa pak të besueshme të shkrihen në batalionet 999 dhe parashtron që ato trupa, të përdoren në sigurimin e transportit mbi shina. Trupat që lirohen kështu prej andej, do të bashkohen me batalionet e tjera.

Shtabi i përgjithshëm bullgar, ka paraqitur një raport mbi gjendjen e pakicës bullgare, në kufirin lindor shqiptar. Ky raport është gjykuar nga Komanda Jug-lindore, si i tepruar. Prandaj ka parashtruar, që kërkesa bullgare për pushtimin e kësaj zone, të hidhet poshtë dhe atje të përdoren trupa të milicisë shqiptare. Ky mendim është pranuar më 20.09.1943, nga shtabi drejtues gjerman. Ministria e Jashtme njofton më 21.09.1943, se i dërguari bullgar ka kërkuar të pushtohen prej bullgarëve, zonat kufitare të Shqipërisë të populluara nga bullgarë, në mënyrë që të mbrohen pakicat bullgare nga shqiptarët.

K.S.F.A. njofton atasheun ushtarak gjerman në Sofje [të Bullgarisë], se Komanda e Lartë Jug-lindore. e vlerëson situatën në kufi shumë më pozitivisht. se sa Shtabi i Përgjithshëm bullgar. Prandaj atje do të veprojnë forca vendore milicie, për të ruajtur sigurinë. Pushtimi i asaj zone, tani për tani, nuk është i nevojshëm.

Faqe 1139 – 24.09.1943. Shtabi Qendror i Ushtrisë, ka caktuar pikat e mëposhtme për bisedimet me Komandën Jug-lindore, që do të zhvillohen më 24.09.1943, në kuartierin kryesor të Hitlerit. I. Zhvillimi i luftës: ….. Radha e kundërsulmeve dhe trupat që do të përdoren, pushtimi i ishujve në Egje dhe Adriatik, ……., sigurimi i prapavijës në Shqipëri dhe Mal të Zi….

Faqe 1143 – 25.09.1943. Gjendja në Ballkan: Në Eube, Shqipëri, Serbi dhe Mal të Zi, vazhdojnë veprimet e bandave dhe ka filluar një operacion spastrimesh, nga ana jonë.

Faqe 1144 – 26.09.1943. Komanda e Jug-lindjes lajmëron për sigurimin e zonës Tetovë-Gostivar-Dibër-Strugë-Kiçevë (Shqipëria lindore), zonë të cilën dëshironin ta pushtonin bullgarët.