Në intervistën për televizionin Vizion Plus, kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, theksoi se ekipi i tij në zgjedhjet e ardhshme do të përbëhet nga kandidatë të komunitetit, që njohin dhe jetojnë me problemet e qytetarëve. Ai theksoi rëndësinë e sakrificës personale të qëndrestarëve në tre vitet e fundit, që kanë qëndruar besnikë interesave publike dhe duke lënë mënjanë interest personale.
Basha e tha se çfarëdo që të ndodh Demokratët Euroatlantikë do të jenë në zgjedhje ose me legjitimitetin e kthyer përmes një procesi të drejt ligjor, ose duke përdorur të gjithë hapësirën që ofron kodi zgjedhor.
Përsa i përket ndikimit të izolimit të Sali Berishës dhe Ilir Metës në garën zgjedhore, Basha e sheh këtë si një manovër e të njëjtëve aktorë të tranzicionit që po bëjnë lloj lloj lojërash për të vazhduar, për t’u ripozicionuar për të paktën dhe 4 vitet e ardhshme. Basha gjithashtu tha se ai do të kandidojë në Tiranë.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: A mund të na thoni diçka për ekipin me të cilin ju do të garoni, se programin në fakt ju e keni shpallur.
Lulzim Basha: Së shpejti besoj emrat do të bëhen publik. Mund të ndaj me ju dy veti; njëra është qasja e re që kemi në krahasim me të shkuarën është që kandidatët do të jenë kandidatë të komunitetit, nuk do të katapultohen nga Tirana. Pra, pavarësisht se mund të kenë lidhje me komunitetin por jetojnë në Tiranë, prferencat do të jenë përfaqësues të komunitetit kudo ku jetojnë, në ndonjë lagjet të Tiranës apo në Njësitë Administrative të Tiranës dhe anembanë Shqipërisë. Njerëz pra të cilët njohin komunitetin, jetojnë me komunitetin, jetojnë me problemet e komunitetit sepse janë pjesë e komunitetit. Dhe vetia e dytë është që ne do të dimë të lartësojmë sakrificën peronale të shumë figurave politike që nuk u joshën, nuk u blenë, nuk u shitën, nuk u trysnuan në këto tre vite të vështira për demokratët, por ditën të qëndrojnë me sakrificë personale për interesin publik, për interesin e demokratëve, për interesin e opozitarëve, për interesin e shqiptarëve. Kanë kaluar jo një, por dhjetëra sprova të vështira shpeshherë me kosto të larta personale. Nuk janë joshur, nuk janë blerë, nuk janë shitur, nuk kanë vënë interesat e tyre mbi interesat e qytetarëve. Kjo është një provë që e kanë kaluar me sukeses dhe një veti me të cilën do t’i afrohem së shpejti qytetarëve për t’ju kërkuar përfaqësimin e tyre në pralamentin e ardhshëm qartësisht, jo me premtim por me prova që në atë parlament njësoj si në këto tre vite të mbrojnë pa asnjë llogari personaleinteresin e qytetarëve, interesat e demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve.
Pyetje: Zoti Basha ju ende nuk keni formalizuar partinë. Deri kur mendoni ju që duhet ta prisni vendimin e Gjykatës së Lartë dhe pastaj të ecni me procedurat?
Lulzim Basha: Ne do ta ndjekim këtë proces për aq kohë sa duhet të marrë. E udhës do të ishte mos të minohej demokracia përsëri që vendimi tërrësisht i paligjshëm, i pajustifikueshëm i Gjykatës së Apelit, në kundërshtim me udhëzimin e Gjykatës së Lartë për të mos u futur në thelbin e çështjes, apo për të shtrembëruar procedurën e çështjes të hidhet poshtë dhe të ecim përpara. Por këtë kalendar nuk e kemi ne në dorë sigurisht shpresojmë që kjo të ndodh sa më shpejt. Kalendari tjetër është kalendari elektoral. Çfarëdo që të ndodh Demokratët Euroatlantikë do të jenë në zgjedhje ose me legjitimitetin e kthyer përmes një procesi të drejt ligjor, ose duke përdorur të gjithë hapësirën që ofron kodi zgjedhor duke mundësuar kështu listën tonë të kandidatëve me aleatët tanë, me programin tonë anembanë Shqipërisë.
Pyetje: Zoti Basha ju keni garuar në dy palë zgjedhje dhe si keni marrë. A kanë të drejt njerëzit të jenë skeptik për vendosmërinë tuaj për të hyrë në zgjedhje?
Lulzim Basha: Unë mendoj se publiku si rregull duhet të jetë skeptik ndaj çdo deklarate, ndaj çdo qëndrimi, sepse skepticizmi i shëndosh është karakteristikë e demokracive perëndimore, model të cilin duam ta ndërtojmë Shqipërinë. Por mendoj se në rastin e Demokratëve Euroatlantikë, të cuilët siç e thash, duke nisur që nga bashkëpunëtorët e mi, duke nisur nga vetja ime kemi treguar se dimë të vendosim interesin publik mbi interesin tonë personal, shumë shpejt do të flasim me vepra edhe sa i takon listës të kandidatëve. Ndërkoh që sa i takon programit kemi folur qartë, jemi forca e parë politike që kemi shpalosur një program të detajuar, të mirëpeshuar dhe me zgjidhje për të gjithë problematikat e shkuara dhe hallet dhe problemet e shtuara të qytetarëve shqiptarë si rezultat të qeverisjes 12 vjeçare të Edi Ramës.
Pyetje: Ka një tezë në fakt shumë të artikuluar nga një pjesë e opozitës që me dy kryetarët e partive kryesore të izoluar, zoti Berisha dhe zoti Meta, nuk ka fushë loje të barabartë përballë kryeministrit Edi Rama. Ju besoni që ky izolim të zotit Meta dhe zotit Berisha ndikojnë në garën elektorale?
Lulzim Basha: Ajo që ndikon në zgjedhjet e përgjithshme të opinionit publik është fakti që të njëjtët aktorë të tranzicionit po bëjnë lloj lloj lojërash për të vazhduar, për t’u ripozicionuar për të paktën dhe 4 vitet e ardhshme. Dhe padiskutim që këtu këta bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Është e qartë që zoti Rama dëshiron që në zgjedhjet e ardhshme, siç e thonë qartësisht edhe njerëzit e tij, alternativa të jetë midis tij dhe zotit Berisha. Përpjekja jonë është ta shkatërrojmë këtë kafaz në të cilën duan ta fusin zgjedhjet për shqiptarët këta dinozaur të tranzicionit. Dhe t’ju themi shqiptarëve që zgjedhjet e ardhshme janë zgjedhje për veten e tyre, për fëmijët e tyre, për të ardhmen e tyre. Dhe për këtë arsye duhet të vënë në punë logjikën duke marrë përgjegjësinë. Demokracia është përgjegjësi, përgjegjësinë e votës, të votojnë për veten e tyre, familjen e tyre alternativën dhe ekipin që më së miri i përgjigjet pritshmërive, dëshirave dhe problemeve të tyre. Këto janë zgjedhjet, pjesa tjetër është një shfaqje e shëmtuar e cila duhet të marrë fund. Shqiptarët kanë në dorë me votën e tyre t’i japin fund në zgjedhjet e ardhshme.
Pyetje: Ju vet do garoni në Tiranë?
Lulzim Basha: Besoj se po.