Ballina Dossier Gusht 1939, në bisedimet Stalin-Ribentrop shpërfillet Shqipëria, viktima e parë e agresionit...

Gusht 1939, në bisedimet Stalin-Ribentrop shpërfillet Shqipëria, viktima e parë e agresionit fashist (Bazuar në dokumentat e deklasifikuara të Gjermanisë)

13
0

Nga Mark Brunga

Në prill-gusht të vitit 1939, në Moskë mes BRSS, Britanisë së Madhe dhe Francës u zhvilluan bisedime për arritjen e një pakti të ndihmës reciproke në kushtet e mundësisë së një agresioni gjerman në Evropë. Ky kërcënim ishte shpejtuar pas marrëveshjes së Munihut të vitit 1938, pushtimit të Çekisë dhe Moravisë, Shqipërisë. Qeveria sovjetike propozoi më 18 mars 1939 thirrjen sa më shpejt të një konference të përfaqësuesve të BRSS, Britanisë së Madhe, Francës, Polonisë, Rumanisë dhe Turqisë për diskutimin e masave për parandalimin e agresionit të mëtejshëm. Pasi e konsideroi këtë propozim si “të parakohshëm”, qeveria angleze më 14 prill i propozoi Moskës t’u japë garanci njëanshme shteteve të Evropës Lindore, fqinje me BRSS. Më 17 prill BS paraqiti një propozim të ri, që parashikonte përfundimin për 5-10 vjet të një pakti anglo-franko-sovjetik për ndihmë reciproke dhe të një konvente ushtarake. Por bisedimet hynë një udhë pa krye. Qeveria sovjetike, duke dashur t’u japë negociatave një karakter konkret pune dhe për përshpejtimin e përfundimit të tyre, më 23 korrik 1939 iu drejtua qeverive të Britanisë së Madhe dhe Francës me propozimin, që pa pritur përfundimin e negociatave politike, të filloheshin negociata ushtarake të tre vendeve për të nënshkruar një konventë ushtarake.

Misionet ushtarake

Më 11 gusht në Moskë mbërritën misionet ushtarake të këtyre vendeve. Bisedimet u zhvilluan më 11-17 gusht. Ndërsa misioni ushtarak sovjetik në bisedime përfaqësohej nga ushtarakë të njohur, me fuqi të plota nga qeveria, delegacionet angleze dhe franceze përbëheshin nga persona të dorës së dytë, që nuk kishin dhe fuqi të plota për nënshkrimin e konventës ushtarake. Gjatë bisedimeve pala sovjetike paraqiti një plan konkret veprimesh të përbashkëta të forcave të armatosura të BRSS, Britanisë së Madhe dhe Francës në rast agresioni fashist. Por qeveritë angleze dhe franceze nuk nënshkruan konventën ushtarake me BRSS. Qeveria polake gjithashtu hoqi dorë nga bashkëpunimi me BRSS, duke mos pranuar propozimin për të lejuar kalimin nëpër territorin e saj të trupave sovjetikë në rast konflikti ushtarak me Gjermaninë. Garancitë sovjetike u hodhën poshtë nga qeveritë e Lituanisë, Letonisë, Estonisë dhe Finlandës. Njëkohësisht me qeverinë e Moskës, qeveria angleze zhvillonte bisedime sekrete me Gjermaninë për të arritur një pakt me bazë antisovjetike. Në këtë rrethanë, qeveria sovjetike pranoi propozimin e Gjermanisë për nënshkrimin e një pakti gjerman-sovjetik mos-sulmimi, që u nënshkrua më 23 gusht 1939.

Strategët e kremlinit ngrenë supet

Po botojme dy dokumente që kanë të bëjnë me historinë moderne të Shqipërisë. Në Perëndim, në vitet 1980, u botuan koleksione të rëndësishme nga arkivat gjermane, të cilat bënë bujë. Ndërkaq regjimi i Tiranës ua ndaloi historianëve shqiptarë të konsultoheshin me dokumentet e de-klasifikuara naziste, që ishin hedhur në qarkullim nga britanikët, francezët dhe amerikanët. Dokumentet i takojnë gushtit 1939, 4 muaj pas pushtimit të Shqipërisë nga trupat fashistë italianë. Më 17 gusht, mareshali sovjetik Voroshillov, i ngarkuar me fuqi të plota nga Stalini, u është përgjigjur disa pyetjeve që i kanë bërë misionet franceze dhe britanike lidhur me pozitën gjeostrategjike të Shqipërisë pas pushtimit. Strategët ushtarakë sovjetikë nuk ishin në gjendje të jepnin një opinion të prerë për synimet e mëpasshme të Italisë nga territori shqiptar. Për hir të së vërtetës, duke përjashtuar SHBA dhe BRSS, që protestuan për agresionin fashist ndaj Shqipërisë, si një “parathënie” e Luftës II Botërore, duhet thënë se Londra dhe Parisi as që e vranë mendjen për fatin e një popullit të vogël. Britanisë dhe Francës u interesonte fati i Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë.

Ç’rëndësi ka vendi i vogël malor

Në dokumentin e dytë të 23-24 gushtit, pasqyrohet biseda e Stalinit dhe Molotovit me Ribentropin. Pikërisht, nisur nga pyetja e bërë më 17 gusht nga franko-britanikët për qëllimet e Italisë, Stalini kërkon hollësira nga aleati i Italisë, Gjermania: “A nuk ka Italia aspirata, që dalin përtej caqeve të aneksimit të Shqipërisë, mundësisht – drejt territorit grek? Shqipëria e vogël, malore dhe pak e populluar, nuk paraqet interes të veçantë për Italinë”. Por bashkëbiseduesi gjerman ia kthen se “Shqipëria është e rëndësishme për Italinë për shkaqe strategjike… Musolini ka përshëndetur me ngrohtësi përmirësimin e marrëdhënieve miqësore midis Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik. Lidhur me Paktin e Mos-sulmimit ai shprehu kënaqësinë e tij”. Gjatë bisedës Stalini papritur propozoi një dolli për Fyhrerin: “Unë e di se sa shumë e do kombi gjerman Udhëheqësin e vetë, dhe prandaj unë dëshiroj të pi një gotë për shëndetin e tij”.

Box / Dokumenti

REGJISTRIMI I MBLEDHJES SË MISIONEVE USHTARAKE TË BRSS, BRITANISË SË MADHE DHE FRANCËS MË 17 GUSHT 1939

Mareshali K.E. Voroshillov. Më lejoni të kaloj në diskutimin e pyetjeve që i janë bërë misionit sovjetik nga misionet angleze dhe franceze…Pyetja e parë: ç’mendim ka misioni ushtarak sovjetik për mundësinë e hyrjes së Italisë në luftë: a) në rastin kur Bashkimi Sovjetik do të nënshkruante pakt me Anglinë dhe Francën, b) kur Bashkimi Sovjetik nuk do të nënshkruante paktin me to? Opinioni i misionit sovjetik është ky: Italia nuk mund të rrijë mënjanë në rastin e një agresioni ushtarak në Evropë. Italia ka me Gjermaninë një aleancë ushtarake, që i detyron dy palët të bashkëveprojnë kundër palës së tretë. Përveç kësaj, kreu i Italisë së tanishme, z. Musolini në mënyrë të vazhdueshme dhe mjaft qartë i ka deklaruar gjithë botës se ai dhe ushtria e tij do të jenë në çdo rrethanë me Gjermaninë. Mendohet se kjo është plotësisht e mjaftueshme që të kemi një mendim të përcaktuar për këtë gjë. Fundi i kësaj pyetjeje: nëse mendimi i misionit ushtarak sovjetik është i tillë se Italia, ndoshta, do të hyjë në luftë, atëherë cilat janë veprimet e mundshme të Italisë për kryerjen e operacioneve nga Shqipëria? Misioni ushtarak i Bashkimit Sovjetik, për fat të keq, nuk mundet të konkretizojë opinionin e vetë për këtë pyetje të pjesshme, duke u nisur nga teza se Italia, duke i pasur duart e zgjidhura, mund dhe, me sa duket, do të veprojë nga drejtime të ndryshme, jo vetëm nga ai shqiptar, por edhe drejtpërdrejt mbi kufirin francez, gjithashtu, ka shumë probalitet, dhe nga territori spanjoll. Unë tashmë nuk po flas lidhur me Tunizinë dhe ishujt mesdhetarë. Për rrjedhojë misioni sovjetik e ka të vështirë, dhe ndoshta, nuk është e nevojshme të bëjë konkluzione konkrete për pytejen e pjesshme, që u bë këtu…

Box / Dokumenti

REGJISTRIM I BISEDËS SË MINISTRIT PERANDORAK TË PUNËVE TË JASHTME ME STALININ DHE MOLOTOVIN

Sekret shtetëror/Zyra e Ministrit perandorak të Punëve të Jashtme, më 24 gusht 1939.

Regjistrim i bisedës, së zhvilluar natën e 23 dhe 24 gushtit midis Ministrit perandorak të Punëve të Jashtme Joahim fon Ribentrop  nga njëra anë, dhe zotërinjve Stalin dhe kryetarit të Këshillit të Komisarëve të Popullit Molotov, nga ana tjetër

U diskutuan këto probleme:

  1. Japonia

Ministri perandorak i Punëve të Jashtme deklaroi se miqësia gjermane-japoneze në asnjë sens nuk drejtohet kundër Bashkimit Sovjetik. Për më tepër, ndërkohë, duke pasur marrëdhënie të mira me Japoninë, ne japim një kontribut të vërtetë në çështjen e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve midis Bashkimit Sovjetik dhe Japonisë. Nëse zoti Stalin dhe Qeveria Sovjetike e dëshirojnë këtë gjë, Ministri perandorak i Punëve të Jashtme është i gatshëm të veprojë në këtë drejtim. Ai do të përdorë në mënyrën e duhur ndikimin e tij në qeverinë japoneze dhe do t’i mbajë përfaqësuesit sovjetikë në Berlin në korrent me ngjarjet. Zoti Stalin u përgjigj se qeveria Sovjetike dëshiron me të vërtetë të përmirësojë marrëdhëniet e veta me Japoninë, por ka një cak në durimin e tij lidhur me provokacionet japoneze. Nëse Japonia do luftë, ajo mund ta ketë atë. Bashkimi sovjetik nuk i trembet asaj dhe është gati për të. Në qoftë se Japonia do paqe – akoma më mirë! Zoti Stalin e konsideron të dobishme ndihmën e Gjermanisë në çështjen e përmirësimit të marrëdhënieve sovjeto-japoneze, por ai nuk do që japonezëve t’u krijohet përshtypja se kjo iniciativë vjen nga Bashkimi Sovjetik. Ministri perandorak i Punëve të Jashtme ra dakord me këtë gjë dhe nënvizoi se ndihma e tij do të shprehet vetëm në vazhdimin e bisedave, që ai tashmë ka zhvilluar gjtë muajve me ambasadorin japonez në Berlin për përmirësimin e marrëdhënieve sovjeto-japoneze. Përkatësisht, kurrfarë iniciative të re me palën gjermane nuk do të ketë për këtë problem.

  1. Italia

Zoti Stalin pyeti Ministrin perandorak të Punëve të Jashtme për qëllimet e Italisë. A nuk ka Italia aspirata, që dalin përtej caqeve të aneksimit të Shqipërisë, mundësisht – drejt territorit grek? Shqipëria e vogël, malore dhe pak e populluar, sipas mendimit të tij, nuk paraqet interes të veçantë për Italinë. Ministri perandorak i Punëve të Jashtme u përgjigj se Shqipëria është e rëndësishme për Italinë për shkaqe strategjike. Përveç kësaj, Musolini është njeri i fortë, të cilin nuk e tremb dot. Ai e demonstroi këtë gjatë kohës së konfliktit abisinas, kur Italia i arriti objektivat me forcat e veta kundër koalicionit armik. Madje Gjermania në atë moment ende nuk ishte në gjendje t’i jepte Italisë mbështetje të ndjeshme. Musolini ka përshëndetur me ngrohtësi përmirësimin e marrëdhënieve miqësore midis Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik. Lidhur me Paktin e Mos-sulmimit ai shprehu kënaqësinë e tij.

  1. Turqia

Zoti Stalin pyeti Ministrin perandorak të Punëve të Jashtme se çfarë mendon Gjermania për Turqinë. Ministri perandorak i Punëve të Jashtme tha lidhur me këtë çështje si më poshtë: disa muaj më parë i ka deklaruar qeverisë turke se Gjermania dëshiron të ketë me Turqinë marrëdhënie miqësore.  Ministri perandorak i Punëve të Jashtme ka bërë nga ana e vetë gjithçka që të arrihet ky qëllim. Në përgjigje të kësaj Turqia një nga vendet e para hyri në frontin e rrethimit të drejtuar kundër Gjermanisë dhe madje nuk e quajti të nevojshme të njoftonte për atë Qeverinë Perandorake. Zoti Stalin dhe Molotovi vunë në dukje pas kësaj se Bashkimi Sovjetik ka pasur përvojë analoge për shkak të politikës së lëkundur të turqve. Ministri perandorak i Punëve të Jashtme përmendi më tej se Anglia ka harxhuar pesë milionë sterlina për propagandë antigjermane në Turqi. Zoti Stalin tha se, sipas një informacioni të tij, shumat e harxhuara nga Anglia për korruptimin e politikanëve turq, është shumë më tepër se pesë milionë stërlina.

  1. Anglia

Zoti Stalin dhe Molotovi komentuan me armiqësi mënyrën e sjelljes së misionit ushtarak britanik në Moskë, i cili nuk i ka shprehur qeverisë sovjetike se çfarë kërkon në të vërtetë. Ministri perandorak i Punëve të Jashtme deklaroi lidhur me këtë se Anglia gjithmonë është përpjekur dhe vazhdon të përpiqet të minojë zhvillimin e marrëdhënieve të mira midis Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik. Anglia është e dobët dhe do që të tjerët të mbështesin pretendimet e saj megalomane për sundim botëror. Zoti Stalin u pajtua me këtë gjë me kënaqësi dhe vuri në dukje si më poshtë: ushtria britanike është e dobët; flota britanike nuk e meriton më reputacionin e vet të mëparshëm. Aviacioni anglez, ndoshta mund të jetë i besueshëm, është në rritje, por [Anglisë] i mungojnë pilotët. Në qoftë se, pavarësisht të gjitha këtyre, Anglia ende sundon në botë, kjo ndodh vetëm në saj të budallallëkut të vendeve të tjera, të cilat gjithmonë janë vetëmashtruar. Është për të qeshur, për shembull, që gjithë-gjithë disa qindra britanikë të sundojnë Indinë. Ministri perandorak i Punëve të Jashtme u pajtua me këtë gjë dhe në konfidencë i deklaroi zotit Stalin se këto ditë Anglia sërishmi ka krijuar terrenin, duke zënë në gojë me fajësi vitin 1914. Kjo ishte në mënyrë tipike një manovër angleze e trashë. Ministri perandorak i Punëve të Jashtme i ka propozuar Fyhrerit t’u bëjë të ditur anglezëve se në rast të një konflikti gjermano-polak si përgjigje ndaj çdo akti armiqësor të Britanisë së Madhe do të bombardohet Londra.Zoti Stalin vuri në dukje se si përgatitje terreni, me sa duket, ka qenë letra e Çemberlenit drejtuar Fyhrerit, që ambasadori i Britanisë së Madhe në Gjermani Henderson e dorëzoi në Oberzalcberg më 23 gusht. Stalini më tej shprehu mendimin se Anglia, pavarësisht dobësisë, do ta bëjë luftën me shkathtësi dhe kokëfortësi.

  1. Franca

Zoti Stalin shprehu mendimin se Franca, të paktën, ka një ushtri, që meriton vëmendje. Ministri perandorak i Punëve të Jashtme, nga ana e vetë, u provoi zotërinjve Stalin dhe Molotov inferioritetin numerik të ushtrisë franceze. Në kohën kur Gjermania shton në dispozicion të saj nga 300.000 ushtarë në rekrutimet vjetore, Franca mund të mbledhë çdo vit vetëm nga 150.000 rekrutë. “Vestval-i është pesë herë më i fuqishëm se “Linja Mazhino. Nëse Franca do të përpiqet të bëjë luftë me Gjermaninë, është e destinuar se do të mundet.

  1. Pakti Anti-Komitern

Ministri perandorak i Punëve të Jashtme nënvizoi se Pakti Anti-Komitern drejtohej në përgjithësi jo kundër Bashkimit Sovjetik, por kundër demokracive perëndimore. Ai dinte, dhe mund ta merrte me mend nga toni i shtypit rus, se Bashkimi Sovjetik do të jetë plotësisht i vetëdijshëm për këtë gjë. Zoti Stalin tha se Pakti Anti-Komitern ka trembur kryesisht Siti-n londinez dhe tregtarët e vegjël anglezë. Ministri perandorak i Punëve të Jashtme ishte i një mendjeje dhe theksoi me shaka se zoti Stalin, sigurisht, është trembur nga Pakti Anti-Komitern më pak se Siti londinez dhe tregtarët e vegjël anglezë. Ndërsa se çfarë mendojnë për këtë gjë gjermanët, kjo duket nga një shaka që ka qarkulluar gjatë disa muajve nga berlinezët, të mirënjohur për mendjemprehtësinë e tyre, pikërisht: “Stalini me kohë ka për t’iu bashkuar Paktit Anti-Komitern”.

  1. Qëndrimi i popullit gjerman ndaj Paktit të Mos-sulmimit gjermano-rus. Ministri perandorak i Punëve të Jashtme deklaroi se ai mund të konstatojë se të gjitha shtresat e popullit gjerman, në veçanti njerëzit e thjeshtë, e kanë përshëndetur mjaft ngrohtësisht vendosjen e mirëkuptimit me Bashkimin Sovjetik. Populli instiktivisht ndien se në mënyrë të natyrshme interesat ekzistues të Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik nuk përplasen asgjëkund dhe se zhvillimin e marrëdhënieve të mira më parë e kanë penguar vetëm intrigat e huaja, veçanërisht nga ana e Anglisë. Zoti Stalin u përgjigj se është i gatshëm ta besojë këtë gjë. Gjermanët duan paqe dhe prandaj përshëndesin marrëdhëniet miqësore midis shtetit gjerman dhe Bashkimit Sovjetik. Ministri perandorak i Punëve të Jashtme e ndërpreu atë në këtë vend dhe tha se populli gjerman e do patjetër paqen, por, nga ana tjetër, indinjata ndaj Polonisë është kaq e fortë, se të gjithë pa përjashtim janë gati të luftojnë. Populli gjerman nuk do t’i tolerojë më provokacionet polake.
  2. Dollitë

Gjatë bisedës zoti Stalin papritur propozoi një dolli për Fyhrerin: “Unë e di se sa shumë e do kombi gjerman Udhëheqësin e vetë, dhe prandaj unë dëshiroj të pi një gotë për shëndetin e tij”.Zoti Molotov piu për shëndetin e Ministrit perandorak të Punëve të Jashtme dhe ambasadorit, kontit fon Shulenburg . Zoti Molotov ngriti një shëndet për Stalinin, pasi vuri në dukje se pikërisht Stalini me fjalimin e vetë në mars të këtij viti, të cilin në Gjermani e kuptuan drejt, ndryshoi plotësisht marrëdhëniet politike. Zotërinjtë Molotov dhe Stalin pinë përsëri për Paktin e Mos-sulmimit, për epokën e re në marrëdhëniet gjermano-ruse dhe për kombin gjerman. Ministri perandorak i Punëve të Jashtme, nga ana e vetë, propozoi një dolli për zotin Stalin, për qeverinë sovjetike dhe për zhvillimin e mbarë të marrëdhënieve midis Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik.

  1. Kur po ndaheshin zoti Stalin iu drejtua Ministrit Perandorak të Punëve të Jashtme me këto fjalë: Qeveria sovjetike do të mbajë një qëndrim tepër serioz ndaj Paktit të ri. Ai mund të japë fjalën e nderit se Bashkimi Sovjetik asnjëherë nuk do ta tradhtojë partnerin e vetë. Regjistroi: Henke А. – (ndihmës i sekretarit të shtetit të ministrisë së punëve të jashtme të Gjermanisë). Moskë, më 24 gusht 1939

Kronologji

15.3 1939. Trupat gjermanë pushtojnë Boheminë dhe Moravinë në Çekosllovaki. Në mbrëmjen e kësaj dite Hitleri hyn triumfalisht në Pragë.

17.3.1939. Romë. Ambasadori i Gjermanisë i deklaroi B. Musolinit se Gjermania ishte e gatshme të mbështeste Italinë për pushtimin e Shqipërisë.

25.3.1939.  Tiranë. Ambasadori i Italisë i dorëzoi mbretit Zog një ultimatum me kërkesën që vendi të kalonte nën protektoratin e Italisë.

7.4.1939. Zbarkimi i desantëve detarë italianë (50 mijë veta) në Durrës, Vlorë, Shëngjin, Sarandë. Ushtria shqiptare bëri rezistencë, veçanërisht në portin e Durrësit. Italia fitoi atë që e përshkroi si Hitleri “një kala, e cila do të sundojë në mënyrë të palëkundur Ballkanin”.

8.4.1939. Sulmi i Italisë kundër Shqipërisë u denoncuan nga Departamenti amerikan i Shtetit përmes një deklarate, që kishte “miratimin e shprehur të presidentit Ruzvelt “. SHBA-të e konsideruan pushtim me forcë dhe me dhunë, që përbënte pa dyshim një kërcënim tjetër për paqen në botë.

12.4.1939. Tiranë. Urdhër i komandës për kapitullimin e ushtrisë shqiptare. Një asamble shpalli të ashtuquajturin “bashkimin personal” të Shqipërisë me Italinë.

13.4. 1939. Britania dhe Franca japin garanci për pavarësinë e Rumanisë dhe Greqisë.

12.5.1939. Britania dhe Turqia nënshkruajnë Paktin e Ndihmës Reciproke.

18.8.1939. Nënshkruhet marrëveshja midis BRSS dhe Gjermanisë.

23.8.1939. Në Moskë Molotovi dhe Ribentropi nënshkruan Paktin e Mos-sulmimit. Palët angazhohen të mos kryejnë veprime ushtarake ndaj njëra-tjetrës. Në protokollet sekrete të zbuluara dhe të botuara në Perëndim në vitet 1980 konfirmohet plani i ndarjes së Polonisë dhe liria e veprimit të BRSS në vendet balltike, Finlandë dhe Besarabi.

31.8.1939. Sovjeti Suprem (parlamenti) i BRSS ratifikon paktin gjerman-sovjetik.

01.9.1939. Gjermania sulmon Poloninë dhe anekson Dancigun. Italia shpall neutralitetin e saj për këtë ngjarje. Fillon Lufta II Botërore.

3.9.1939. Britania dhe Franca i shpallin luftë Gjermanisë pasi nuk morën përgjigje prej saj ndaj ultimatumit për ndërprerjen e agresionit kundër Polonisë.

31.10.1939. U hap sesioni i pestë i jashtëzakonshëm i Sovjetit Suprem të BRSS, ku Molotovi foli për politikën e jashtme dhe për paktin  me Gjermaninë. Më 2 nëntor Sovjeti Suprem miratoi dekretligjet për përfshirjen në përbërje të BRSS të territoreve të Bjellorusisë Perëndimore dhe Ukrainës Perëndimore. /Gazeta bulevard