Nga Bedri Tahiri
Luftëtari Ismail Haziri
Drenica, përherë vatër e rezistencës dhe e luftërave çlirimtare. Dhe, strumbullar i gjithë kësaj madhështie qëndron Galica. E djeshmja dhe e sotmja. Që nga luftërat antiturke e deri tek lufta fitimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, trimat dhe veprimtarët e Galicës zunë vende nderi në Altarin e Pavdekësisë. Padyshim, aty do ta këtë vendin dhe do të prehet i qetë edhe Ismail Fetah Haziri (1953-2007).
Fëmijëria
Ismail Haziri u lind më 24 mars 1953 në Galicën e Drenicës heroike. Ishte djali i parë i babë Fetahut e nënë Sofijes. Rridhte nga një familje e një truall që denbabaden e pati zanat pushkën çlirimtare. Galica e tij kishte bërë emër në histori. Azem Galica nderoi historinë tonë dhe i dha vulë përpjekjeve tona për çlirim dhe ribashkim kombëtar. Për të qenë, edhe trungu i tij familjar e kishte traditë trimërinë. I gjyshi, Haziri, ishte vrarë në betejën e Arbërisë së Vogël të Azem Bejtë Galicës, më 15 korrik 1924. As i ati, Fetahu, nuk qe burrë që mund t’ia hante pula kapsollin. Ai gjatë Luftës së Dytë Botërore u dallua nëpër luftëra e beteja të ndryshme. Që kur bandat çetnike u vërsulën mbi trojet shqiptare, gjegjësisht mbi shqiptarët dhe myslimanët e shkretë të Pazarit të Ri, Sanxhakut e Rozhajes, Fetah Haziri u gjend në ato anë, për t’u dalë në ndihmë. Në fakt, ai edhe ishte i mobilizuar në radhët e forcave të ruajtjes së kufirit dhe të rendit për disa vjet rresht, gjatë kohës së gjermanit. Bile, pas një incidenti, kishte qëlluar me mitralozin që ia kishin dhënë gjermanët, mbi një grup çetnikësh, të cilët kishin tentuar të sulmonin centralin ku ky bënte roje, për çka, po mos të intervenonte Xhafer Deva, do të dënohej rëndë nga vetë organet gjermane. Pra, ishte xhandar i Mehmet Gradicës, e paskltaj iu bashkua Brigadës së Shaban Polluzhës dhe mori pjesë gjithandej nëpër beteja, si: në Kollë, në Qyqavicë, në Krasmirofc, në Rezallë, në Abri, në Likofc, në Llaushë, në Kotorr, në Tërnafc etj. Edhe pas përfundimit të luftës, pas rënies së Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës, ai ngeli në male më së gjashtë muaj ditë. Kur u bë amnistia e përgjithshme, lajmërohet në Skënderaj, por u mashtrua keq. Të pabesët e arrestojnë dhe plot tri vjet e gjysmë i vuan në burgun famëkeq të Nishit…Për çudi, as më vonë nuk pa ditë të bardhë dhe gjithmonë ishte halë në sy për pushtetin e kohës zezonë…Në këtë frymë atdhetarie u formua edhe djaloshi i ri, i cili më vonë, edhe vetë do të ecën asaj rruge të lavdishme. Ismaili, që nga bankat shkollore, u përballë me “kujdesin” e shtuar të organeve shtetërore antipopullore. Kështu dora e zgjatur e tyre arriti edhe në Cele të Sllovenisë, ku ai kishte vajtur për të mbaruar shërbimin në ushtrinë jugosllave. Pasi ishte rreshtuar në Policinë Ushtarake, me sugjerimet që u erdhën nga pushtetarët vendorë, ai kthehet në ushtar të thjeshtë dhe përherë do të mbahet nën mbikëqyrjen më të rreptë hetimore. Ama, as ai kurrë nuk do t’u shkojë për qejfi e nuk do gjunjëzohet. Përkundrazi, më shumë do të qëndrojë i mbyllur nëpër burgje se sa në kazermë.
Në grupet ilegale
Gjatë viteve 1991/92, në Kosovë, krahas aktiviteteve të tjera, u formuan edhe celulat e para të grupeve ilegale atdhetare, me qëllim të përshpejtimit të çlirimit të trojeve të robëruara shqiptare, gjegjësisht të Bashkimit Kombëtar. Dhe, që nga fillimi, aty u gjend edhe djaloshi galicas, Ismail Haziri. “Ishim në Mitrovicë me qerre kuajsh, kur baci (Ismaili- vërejtja e autorit) me shokë më ngarkuan disa gjëra të mbuluara dhe më porositën t’i dërgoja deri në Lubovec, në shtëpinë e Enver Halitit. Unë veprova siç më thanë dhe tek më vonë kuptova se sa e rëndësishme, besa edhe e rezikshme, kishte qenë ajo punë,- rrëfen sot i vëllai, Muharremi. Se ai, që herët ishte lidhur me ilegalen dhe me grupet militante, dëshmon arrestimi dhe burgosja e tij më 1995 dhe më 1997, ngjarje që i kam parë me sytë e mi nga afër dhe të cilat, siç u vërtetua më vonë në gjyq kishin të bënin pikërisht me veprimtarinë e tij atdhetare. Ditën që komandanti ynë legjendar, Adem Jashari, dhe kushtrimin: Liri a vdekje!, edhe djemtë galicas dhanë betimin para varrit të Azem Galicës dhe formuan bërthamën e tyre luftarake, e cila do të tregohet e suksesshme gjatë gjithë luftës sonë çlirimtare. Edhe pse paksa i moshuar, kur u paraqit nevoja për armatim, Ismaili u lajmërua vullnetar dhe i priu grupit të galicasve drejt Alpeve Shqiptare. Kështu, më 1 korik 1998, Ismail Haziri, Adem R. Ademi, Emin Sahiti, Bekim Sahiti, Brahim Haziri, Fidaim Ademi dhe Zenel Shabani ia mësynë kufirit të mallkuar shqiptaro-shqiptar. Atje, në Tropojën heroike të Bajram Currit qëndruan plot dy javë dhe, pasi u stërvitën dhe u armatosën mirë e mirë, u nisën këndej. Dhe, në të kthyer, më 17 korrik 1998, tek Rrasa e Zogut, në Grykë të Padeshit, kolona e gjatë prej luftëtarësh vullnetarë ra në pritat serbe. Edhe këtu Ismaili, i fundit u nda nga dëshmori i Galicës, nga Adem Ramadan Ademi, i cili me gjakun e vet të pastër shkriu gurët e kufirit ndarës dhe u bë simbol i Bashkimit tonë Kombëtar. Siç kanë shpjeguar më vonë luftëtarët e Junikut, ky luftëtar i njohur me nofkën PLAKU kishte treguar heroizëm të vërtetë gjatë atij depërtimi kufitar, duke bërë kërdi me mitralozin e tij mbi barbarët serbë.
Nga beteja në betejë
Edhe më vonë, si zëvendëskomandant Togu, në Batalionin III të Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”, Ismail Haziri u tregua i suksesshëm nëpër beteja të ndryshme, deri në çlirimin e vendit. Këtë e dëshmojnë sot bashkëluftëtarët e tij, e dëshmon edhe vetë komandanti, Enver Sylë Haliti.Galica, e gjendur midis dy zonave të rëndësishme e shumë të nxehta luftarake, Zonës Operative të Drenicës dhe Zonës Operative të Shalës, u përballë me ofensiva të shumta serbe, andaj edhe i ra hise të përjetojë sulme dhe beteja të panumërta. Ne do të ndalemi vetëm tek disa prej tyre…Pushkët e luftëtarëve galicas së pari u provuan në dy aksione të suksesshme: në betejën te Mariçanët e Klinës së Skënderajt, kur u vajtën në ndihmë luftëtarëve të Prekazit të Epërm dhe në Vojtesh, duke u ndihmuar luftëtarëve të Lubovecit. Ofensiava e 22, 23 dhe 24 shtatorit të vitit 1998, e njohur me emrin e koduar ushtarak Operacioni “QYQAVICA”, e cila konsiderohet si një ndër më të vështirat për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, qe kobtare edhe për Galicën, edhe për luftëtarët e saj. Ato ditë, në maje të Qyqavicës plakë, tek “Pusat e thive”, barbaria serbe shfreu dufin mbi stërnipat e Azem Galicës. Ditën e premte, të 25 shtatorit 1998, i përcollëm për në atë botë: Shashivar Ademin, Fatmir Ademin, Gani Ademin, Burim Ademin, Bajram Sahitin, Agim Ademin, Hetem Halilin, Bujar Halilin, Bekim Halilin, Nazmi Halilin, Nexhat Halilin, Hajredin Lahun…Edhe më vonë, kur soldateska serbe mendoi se e hoqi qafësh forcën tonë çlirimtare, luftëtarët e Galicës, si gjithë të tjerët, anë e kënd trojeve shqiptare, dolën më të fortë e më të organizuar. Gjatë ofensivës tjetër serbe të fillimvitit 1999, e cila nisi në Artakoll, me synim për të depërtuar në Drenicë, trimat tanë zunë pozicionet që nga shtëpia e Ilaz Kollës e deri në Vojtesh. Dhe, për çdo ditë luftime, kacafytje e beteja. Dhe, kurdoherë në ballë të tyre edhe Ismajl Haziri. Ata, për ditë të tëra u qëndruan sulmeve me tanke e topa të ushtrisë dhe paramilitarëve serbo- çetnikë. Edhe kur ata depërtuan në Galicë dhe dogjën çdo gjë mbi tokë, edhe Pllakën e Azem Galicës e bënë copë e grimë, luftëtarët tanë nuk i lanë të qetë. Tashmë, ata, bashkë me trimat e Ashlanit, udhëhequr nga sypatremburi Bekim Shyti, mbronin Sukën e Galicës dhe për çdo ditë ndërronin plumbat me gjakatarët. Mjafton të përmendet dita e 8 majit 1999, kur një grup prej njëzet e një paramilitarësh serbë morën guxim dhe nga Balinci mësynë drejt istikameve tona. Dhe, kur arrijnë në Qafëmalin midis Lugut të Behramit dhe Sordovit, breshëria e grykëhollave çlirimtare të galicasve ua ndalin hovin. Dy prej tyre, njëri ishte rus, ngelën në vend e të tjerët, të plagosur e të shastisur, i shpëtoi tanku zingjiror… Duke qenë edhe vetë në mesin e luftëtarëve, çdo veprim të tyre luftarak e kam spikatur në ditarin që e mbajta besnikërisht gjatë luftës e që e botova fill pas çlirimit me titull “Agu i lirisë”, andaj kësaj here nuk po e ngarkoj më tepër këtë shkrim.
Ndarje e dhimbshme
Kontributi i Smajl Hazirit vazhdoi edhe në paqe, në sendërtimin e fryteve të luftës, në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Mirëpo, shtatin e tij që nuk e zuri dot plumbi i dushmanit e përkuli sëmundja tinëzare. Më 20 nëntor 2007, në moshën pesëdhjetë e katër vjeçare, iku në atë botë dhe na e la shëndenë. E kemi mjaft të vështirë të pajtohemi me realitetin e hidhur, me ndarjen fizike prej tij, në çastin më vendimtar të historisë sonë, në momentin kur ëndrra e tij dhe e luftëtarëve të lirisë po kurorëzohet me Pavarësinë e Kosovës, gjegjësisht me Bashkimin Kombëtar…Kështu u tha në varrimin e tij në Galicë, ku morën pjesë qindra bashkëvendasë, bashkëluftëtarë, miq e familjarë, në mesin e të cilëve e shumë kolegë të tij, ushtarë e oficerë të TMK-së.