Nga Zef Mazi
Xhon Kenedi pat thënë “Ka gjithmonë ndonjë bir k… i cili nuk e kap mesazhin!“ Ishte koha kur ai dhe këshilltarët e tij rrinin kokë më kokë në kulmin e Krizës së Raketave në Kubë në tetor të vitit 1962, kur SHBA dhe Bashkimi Sovjetik ishin në zgrip të luftës botërore. Zhvillimet historike të atij viti të mbrapshtë kërkojnë analizë të gjatë, çka mund të jetë objekt i një pune në vazhdim. I përmbahem egzigjencës së shkrimit gazetaresk.
* * *
Kenedi kish dhënë urdhër që të ndaleshin misionet e avionëve spiunë U-2 për të evituar çdo provokim që, aksidentalisht, mund të çonte në luftë me armë.
Njëri nga pilotët e Bazës Ajrore të Alaskës nuk e kishte marrë mesazhin. Ishte nisur për të mbledhur mostra të testeve bërthamore sovjetike, por ishte çorientuar dhe ishte futur gabimisht në hapësirën ajrore sovjetike. Sovjetikët kishin nisur menjëherë avionët e tyre luftarakë për ta interceptuar avionin spiun U-2. Ndërkohë, nga baza amerikane ishin nisur avionë për ta shoqëruar kthimin në bazën e tyre të avionit spiun U-2. Për arsye se gjendja e alarmit ishte në nivel të lartë, ata avionë ishin armatosur me bomba me mbushje bërthamore dhe pilotët kishin autoritet të hapnin zjarr.
Vetëm fati e shpëtoi botën! Kërcënimi ishte aq i lartë sa mbijetesa e njerëzimit varej në fije të perit ato ditë, ndër më të errëtat që pati kaluar bota për vetëshkatërrim. Sot, pas 62 vitesh, është e tmerrshme vetëm të mendosh, jo të besosh, sesi mund të hidhej tej gjithçka ishte arritur për çështje dhe kauza që as nuk ekzistojnë sot! Kuba dhe Berlini ishin pikat më kundërshtuese të Luftës të Ftohë. Politikave për ato dy pika përplasjeje pak u interesonte mbijetesa njerëzore!
Dy superfuqitë e asaj kohe jo vetëm ishin në zgrip të shfarosjes globale, por ato prodhuan mijëra mbushje bërthamore, përfshirë dhe që një mbushje e vetme bërthamore kishte shumë herë më tepër forcë shkatërruese se të gjitha bombat e hedhura gjatë Luftës së II Botërore të marra së bashku! Konflikti midis superfuqive nuk ishte realisht krejt “i ftohte“, sepse ai solli si rezultat shpërthimin e dhjetëra luftërave nga të tretë për llogari të tyre. Ato luftëra morën qindra milionë jetë njerësish në gjithë kontinentet.
Sot jetojmë përsëri nën hijen e atyre armëve, ndonëse janë pakësuar në numër, por dislokimi i tyre dhe rreziku që ato bartin është aty. Ajo që përjetohet sot mund të thuhet pa hezitim se është pasojë e asaj lufte, e konflikteve krejtësisht të panevojëshme që rrjedhin nga zhvillimet dhe rezultatet e asaj lufte.
Pika kthesë e Luftës të Ftohtë, që shpëtoi botën nga humnera bërthamore në vitin 1962-1963, nuk erdhi vetiu. Ai ishte një akt madhor trimërie, strategjie, largpamësie e dy udhëheqësve burra shteti – John Kenedi dhe Nikita Krushov. Ata dy burra u ngritën në lartësitë e duhura dhe thanë “Boll më!” Pesha e krizave nuk mund të mbahej më gjatë mbi supe! Aspak nuk mund të mbahej mbi kokën e njerëzimit fantazma e humnerës të zezë bërthamore.
Njerëzimi shpëtoi nga rreziku i aksidenteve, keqkakulimeve, rrahjet e gjoksit fitimtar edhe nga ndonjë mendim i “sofistikuar strategjik” i dikujt që pothuajse i dha fund çdo gjëje! Kenedi dhe Krushovi, në periudhën tetor 1962 – shtator 1963, shpëtuan botën duke lënë një trashëgimi të madhe, një model dhe frymëzim për të gjithë ata që do vinin pas tyre.
Kenedi ishte i vendosur të gjente rrugën e paqes që ditën e parë të administratës së tij. Kenedi dhe Krushovi, megjithë lemzat, kollitjet, gabimet, gati katastrofal, komunikuan intensivisht, me letra dhe me të dërguar të besuar, e gjetën gjuhën dhe rrugën e tërheqjes nga buza e greminës ku ndodhej bota drejt zgjidhjes paqësore të Luftës së Ftohtë. Trashëgimia që lanë, me fjalë dhe me vepra, është e përmasave historike.
Ato ngjarje historike kanë ndodhur 62 vite më parë. Tundohem kur mendoj sesi nuk është mësuar ndoshta asgjë prej tyre! Sepse jemi po aq afër kësaj tragjedie sa ka qenë bota asokohe! Kenedi pati bërë një deklarim madhor për paqe – “Strategji për Paqe“, fjalimi i hapjes në Universitetin Amerikan në qershor 1963. Ai është ndoshta fjalimi më i famshëm i Kenedit! Kur e lexon nuk mund mos të të bëjë thellësisht përshtypje përmbajtja, thellësia, përzgjedhja e fjalëve, vizioni largpamës; sot më shumë se kurrë, ai tingëllon aq aktual për sfidat globale sa’ç tingëllonte 62 vjet më parë!
Ai fjalim është kombinimi i përsosur i fjalëve, qëmtuar mjeshtërisht dhe menduar thellë, çka bën diferencë të madhe. Ai ishte fjalimi më i dashur për Ted Sorensen, ish këshilltari, shkruesi i fjalimeve të Kenedit, bashkëpunëtori më i ngushtë i tij, me një talent, etikë, eksperiencë dhe modesti të mrekullueshme!
Politika e Kenedit në kërkim intensiv të paqes është arritja më e madhe e presidencës të tij dhe një nga aktet më të mëdha të udhëheqjes botërore të kohëve moderne. Por, a ishte vallë vetëm ai fjalim që i dha fund Luftës të Ftohtë? A ishte vetëm ai fjalim që ndryshoi historinë? Mos vallë paqja ishte vepër vetëm e një njeriu?
Vetë Kenedi pat deklaruar se për paqe nuk ka një çelës të thjeshtë dhe të vetëm, se „paqja e vërtetë duhet të jetë produkt i shumë kombeve, duhet të jetë shuma e shumë veprimeve. Paqja duhet të jetë dinamike, jo statike, që ndryshon për të përballuar sfidat e çdo brezi të ri, sepse paqja është proces, është një mënyrë për të zgjidhur problemet“.
Ai fjalim është i vlefshëm sot sepse jo vetëm tregon se çfarë u bë, por është i vlefshëm edhe për çka na mëson rreth procesit sesi bëhet paqe dhe si bëhen “reformat shoqërore në përgjithesi”. Kenedi pat nënvizuar se thelbi i njerëzimit është se “ne të gjithë banojmë në këtë planet të vogël. Ne të gjithë marrim frymë nga i njejti ajër”. Ky ajër është ai që po kërcënohet sot! Në kohën e Kenedit ajri kërcënohej nga shpërthimi bërthamor dhe pasojat e radioaktivitetit të tij në ajër. Ka mbi 30 muaj që drejtuesit më të lartë të vendeve bërthamore kundërshtare nuk bisedojnë. Armët nuk sjellin paqe. Bisedimet politike po!
Bota ka veshë dhe sy, ka mjete dhe burime informacioni të ndryshme alternative, të shumëllojshme, të vazhdueshme, për të mësuar në kohë reale (ose brenda pak minutash) dhe për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra.
Idetë që artikulohen në Perëndimin Kolektiv mbi “fiitore strategjike” janë ëndërra me sy hapur, humbatje në imagjinatën e hegjemonisë së shkuar. Fuqitë bërthamore nuk mund të munden strategjikisht! As të dobësohen nga një luftë, si në Ukrainë, me të tretë, ose dhe me pjesëmarrje të kufizuar direkte, luftë që ishte totalisht e panevojshme, e pakuptimtë, pa interes, krejtësisht e evitueshme.
Duhet të dihet se ka vetëm dy alternativa për fuqitë bërthamore:
1) ose të humbasin dhe ta pranojnë poshtërimin (që nuk do ndodhë) 2) ose të përdorin arsenalet bërthamore që kanë (që mund të përdoren në rast ekstrem)!
Çdo vendim dhe veprim sot, që çon në përshkallëzim të frikshëm të situatës nuk ka bazë për justifikim. Vendimi më i fundit është i tillë, është i pamenduar mirë, i pakalkuluar, i papërgjegjshëm, i gabuar, i pabesueshëm se do ndodhte, kur ishte deklaruar se nuk do ndodhë! Asnjëherë, në asnjë rast Rusia nuk ka sulmuar një vend apo territor të NATO-s, asnjëherë që nga Lufta e II Botërore territori rus nuk është sulmuar përvec kësaj here me raketat amerikane dhe angleze. Ky vendim ka ndryshuar krejtësisht ekuacionin dhe nuk dihet sesi e ku do ndalë, edhe pse disa raketa (dihet cilët i operojnë) nuk mund të ndryshojnë rrjedhën dhe rezultatin e kësaj lufte!
Kur ishte mundësia reale për paqe në prill të vitit 2022, me një marrëveshje dypalëshe të sigluar në çdo faqe, asaj iu dha shkelmi, që të vazhdonin luftimet! Tani bisedimet për ndalim luftimi dhe paqe do jenë më të vështrira, kushtet do i vendosë Rusia, do jenë më të rënda.
Rreziku i një lufte të madhe bërthamore sot është rritur skajshëm, frikshëm. Popujt dhe vendet e botës nuk duan Armagedon. “Lufta bërthamore nuk ka fitues, ajo nuk duhet bërë kurrë”, ka thënë Ronald Regani.