Ballina Aktualitet Apeli i la të pandryshuar masën, Berisha e Malltezi tjetër rekurs në...

Apeli i la të pandryshuar masën, Berisha e Malltezi tjetër rekurs në Gjykatën e Lartë

0
7

Gjykata e Lartë ka regjistruar një tjetër kërkesë të kreut të opozitës Sali Berisha e dhëndërrit të tij Jamarbër Malltezi lidhur me kundërshtimin e masave të sigurisë.

Regjistrimi i rekursit është bërë të enjten e 21 nëntorit dhe gjyqtar relator do të jetë Sokol Binaj, por ndërkohë ende nuk ka një vendim për datën dhe orën e seancës.

Berisha kundërshton masën e arrestit në shtëpi caktuar nga Gjykata e Posaçme më 30 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa kërkesa në Gjykatën e Lartë ka të bëjë me vendimin e Apelit të Posaçëm të datës 18 qershor, që la të pandryshuar masën.

Kërkesa për revokimin e masës është bërë shoqëruar kërkesës për informacionin dy mujor të organit të Prokurorisë së Posaçme.

Ky rekurs vjen në kohën kur Gjykata Kushtetuese e konsideroi si antikushtetuese masën e ndalimit të daljes jashtë vendit për Berishën, por jo atë të detyrimit për tu paraqitur.

Ndërkohë që Kushtetuesja sqaroi se lidhur me masën e arrestit të shtëpisë, do të shprehet në një moment të dytë.

Të hënën e 25 nëntorit, GJKKO do të shqyrtojë në seancë paraprake kërkesën e SPAK për kalimin për gjykim ose jo të dosjes “Partizani”.