Prokurorja e Tiranës, Ornela Rrumbullaku u shkarkua më 4 shtator nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasi u konkludua se kishte mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë.
Pamundësia financiare u konstatua në investimet e kryera nga bashkëshorti për investimet e kryera në disa shoqëri, për të cilat subjekti pretendoi se ishin realizuar me të ardhurat e tij para fillimit të bashkëjetjesës.
Mosdeklarimi kursimeve cash nga ato të ardhura u konsiderua prej KPK si shkaku kryesor për mospërfshirjen e tyre në analizën financiare.
Për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin nuk u gjetën probleme.
Ornela Rrumbullaku përfundoi studimet e Magjistraturës në vitin 2006 dhe pas një periudhe stazhi në Prokurorinë e Tiranës, u emërua në Prokurorinë e Rrethit Kavajë.
Në vitin 2019, Rrumbullaku u komandua si këshilltare pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Më vonë ajo u emërua në Prokurorinë e Tiranës ku ushtroi detyrën deri në momentin e shkarkimit.
Mungesat e burimeve financiare
Bashkëshorti ka deklaruar se zotëron 33% të aksioneve në një shoqëri të regjistruar në shtator të vitit 2014, me burim të ardhurat e tij, para bashkëjetesës. Po ashtu, ka shënuar se shoqëria është me status “pezulluar” dhe nuk ka kryer asnjëherë aktivitet tregtar. Vlera e shoqërisë është deklaruar në shumë 10 milionë lekë.
KPK i ka kërkuar subjektit shpjegime lidhur me vlerën e kapitalit të shlyer nga bashkëshorti prej 3.3 milionë lekësh.
Prokurorja Rrumbullaku ka sqaruar se nga sa e ka informuar bashkëshorti, burimet e krijimit janë të ardhurat e tij në vite, si avokat dhe konsulent ligjor për individë dhe shoqëri të ndryshme, si dhe nga të ardhurat e përbashkëta të familjes së tij bujqësore.
Subjekti ka saktësuar se me bashkëjetuesin ka nënshkruar kontratë për përcaktimin e regjimit pasuror martesor në maj të vitit 2017 dhe më pas kanë lidhur martesë.
Rrumbullaku ka theksuar se çdo pasuri që ai ka krijuar para martese është e tij dhe lidhet vetëm me marrëdhëniet që ai ka me familjen e tij para martese dhe se ajo nuk ka të drejta ose detyrime.
Në vijim, ka shtuar se dhe aksionet e shoqërive që janë deklaruar, janë pasuri të krijuara me të ardhura para martese dhe me burim të ardhurat e tij personale dhe familjes së tij.
Komisioni konstaton se kjo kontratë e përcaktimit të regjimit pasuror martesor është nënshkruar pak kohë para se të lidhej martesa ligjore e tyre, por gati tri vite pas krijimit të pasurisë dhe ndryshimeve të tjera në shoqëri.
KPK ka analizuar secilën të ardhur të deklaruar si burim krijimi të vlerës së aksioneve të bashkëshortit në këtë shoqëri.
Në përfundim të hetimit paraprak, Komisioni ka konstatuar se nuk është provuar burimi i ligjshëm i një shume prej 10 mijë euro, e transferuar në llogarinë e bashkëshortit të subjektit në vitin 2010, me përshkrimin “likujdim detyrimi”. Gjithashtu, nuk është arritur të provohet shlyerjen e detyrimeve për këtë shumë të përfituar.
Tjetër gjetje e Komisionit është dhe fakti se prokurorja Rrumbullaku dhe bashkëjetuesi i saj nuk kanë deklaruar kursime cash në vitin 2012 dhe për rrjedhojë shuma 10 mijë euro nuk mund të jetë përdorur në 2013-ën prej tij.
Si burim, subjekti ka deklaruar dhe të ardhurat e fituara nga avokatia gjatë vitit 2011 në shumën 600 mijë lekë, por KPK ka vlerësuar se ky deklarim nuk është provuar me dokumentacion dhe për këtë arsye nuk është konsideruar si burim i ligjshëm.
Gjithashtu, në lidhje me deklarimin për të ardhurat e përbashkëta të bashkëjetuesit nga familja e tij bujqësore, Komisioni konstaton se nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të ardhurat nga ky aktivitet dhe nuk rezultuan prova të dokumentuara nga institucionet për gjenerimin e tyre nga familja bujqësore. Edhe këto të ardhura nuk janë përfshirë në analizën financiare.
Pas kalimit të barrës së provës, subjekti ka pretenduar se bashkëjetuesit i ka lindur detyrimi për deklarim pasurie në vitin 2014, bazuar në ndryshimet ligjore të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa nëpunësve publikë”.
Lidhur me vlerën 10 mijë euro si parapagim, Rrumbullaku ka deklaruar se një shumë e tillë nuk përfshihet në pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve, por në pasiv të bilancit. Po ashtu, ka shtuar se detyrimet tatimore për paradhënien paguhen në momentin kur pritet fatura përfundimtare.
Ajo nënvizon, se në momentin e realizimit të këtyre të ardhurave bashkëshorti ka pasur të regjistruar dy subjekte tatimpaguese, për të cilat ka paguar detyrimet tatimore si biznes i vogël, nën 8 milionë lekë dhe si rrjedhojë ato përmbushin kushtet e të ardhurave të ligjshme, e si të tilla duhet të përfshihen në analizën financiare.
Për mospagimin e tatimeve subjekti ka shpjeguar se ka pasur mosmarrëveshje dhe në një rast të tillë, tatimet do të paguhen në fund të marrjes së vendimit të formës së prerë nga Gjykata e Apelit, ku çështja është në pritje për gjykim.
Për të ardhurat bashkëshortit nga familja bujqësore, subjekti ka kërkuar që shpenzimet jetike të bashkëshortit deri në vitin 2014 duhet të reduktohen në masën 44%, ashtu siç është konsoliduar praktika e trupave të rivlerësimit në këtë drejtim.
Rrumbullaku ka dhënë shpjegime dhe për të ardhurat e tjera të bashkëshortit përpara bashkëjetesës, duke pretenduar se ai ka realizuar të ardhura.
Komisioni çmon se shpjegimet e Rrumbullakut në lidhje me momentin e fillimit të deklarimit të bashkëjetuesit pranë ILDKPKI-së nuk janë bindëse dhe nuk janë të mbështetura në ligjin e kohës.
Sipas KPK, bashkëshortit të subjektit, në cilësinë e bashkëjetuesit, i ka lindur detyrimi për të deklaruar nga momenti i ndryshimeve ligjore të vitit 2012.
Për shumën e marrë si paradhënie shpjegimet janë gjetur bindëse dhe të mbështetura në prova dhe janë përfshirë në analizën financiare.
Për një tjetër shumë prej 10 mijë euro të transferuar në llogarinë e bashkëjetuesit të subjektit, KPK vlerëson se u provua se ky shtetas ka pasur të ardhura të ligjshme të mjaftueshme për të dhënë vlerën e mësipërme.
Për arsye se kjo shumë është deklaruar vetëm gjatë procesit të rivlerësimit dhe se qëllimi i transferimit është shpërblim për punën e kryer nga bashkëjetuesi, vlerë për të cilën nuk u arrit të provohej shlyerja e detyrimeve tatimore, KPK nuk e ka konsideruar si burim për blerjen e aksioneve.
Gjithashtu, Komisioni vlerësoi se nuk mund të përfshihen në analizën financiare të ardhura me burim familjen bujqësore, pasi subjekti dhe bashkëjetuesi nuk kanë deklaruar shuma të ardhurash të përfituara prej aktivitetit bujqësor gjatë deklarimeve periodike dhe as në deklaratën veting.
Nisur nga fakti se bashkëshorti ka banuar dhe punuar në mënyrë të vazhdueshme në qytetin e Tiranës, është çmuar të mos aplikohen shpenzime jetike të reduktuara.
Megjithëse shpjegimet e Rrumbullakut për të ardhurat e bashkëshortit nga aktiviteti i tij në vitin 2009 janë gjetur bindëse, për arsye se ai nuk ka deklaruar kursime cash në fund të vitit 2012, ato nuk janë konsideruar si burim për derdhjen e kapitalit në shoqëri në vitin 2014.
Në përfundim, nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi për blerjen e kuotave në këtë shoqëri në vitin 2014. “…Pasi personi i lidhur nuk ka deklaruar gjendje kursimesh cash në fund të vitit 2013, të cilat mund të ishin krijuar nga të ardhurat e tij para fillimit të bashkëjetesës”, argumenton Komisioni.
KPK i ka kaluar subjektit barrë prove për një bilanc negativ në masën 20 milionë lekë lidhur me aksionet në një shoqëri tjetër.
Rrumbullaku u ka qëndruar deklarimeve të saj fillestare lidhur me këtrë pasuri, se nuk është paguar pjesa e kapitalit nga ana e bashkëshortit dhe se shoqëria në fjalë nuk ka kryer asnjëherë aktivitet tregtar për mungesë të bazës ligjore për licencim.
Trupi gjykues i ka çmuar bindëse dhe të mbështetura në prova shpjegimet e subjektit duke arritur në konkluzionin se nuk rezultuan pagesa për kapitalin nga ana bashkëshortit të subjektit.
Për rrjedhojë, në analizën financiare nuk është përfshirë shlyerja e pjesës së kalitalit nga ana e bashkëjetuesit, si shpenzim, duke u fshirë dhe bilanci negativ.
Njëlloj është vlerësuar dhe për aksionet në një tjetrër shoqëri, për të cilën subjekti ka deklaruar se nuk është paguar kapitali nga ana e bashkëshortit.
Nga analiza financiare e përgjithshme paraprake e kryer për periudhën 2006-2016, është konkluduar fillimisht një bilanc negativ në vlerën totale prej 53.8 milionë lekësh, i krijuar kryesisht kryesisht prej investimeve të kryera prej bashkëjetuesit të saj në vitet 2013 – 2015.
Pas kalimit të barrës së provës, janë reflektuar në analizë shpjegimet dhe provat e subjektit që kanë sjellë reduktim të balancës negative, e cila ka mbetur në shumën 5.5 milionë. Kjo pamundësi është vlerësuar e mjaftueshme për shkarkimin nga detyra të prokurores Ornela Rrumbullaku.
Komisioni evidenton në vendim se një nga arsyet kryesore që ka penalizuar subjektin, është mosdeklarimi të gjendjeve të kursimeve cash në fund të vitit 2012, që mund të ishin krijuar prej bashkëshortit nga të ardhurat e tij para fillimit të bashkëjetesës, që më vonë të mund të kishin shërbyer për blerjen e aksioneve prej tij.