Ballina Dossier Ditarët e oficerit të lartë gjerman: Nga Shkodra u larguam më 30...

Ditarët e oficerit të lartë gjerman: Nga Shkodra u larguam më 30 nëntor

6
0

Ditarët e luftës të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (Kriegstagebuch des Oberkommandos der Wehrmacht, KTB OKW), në vitet 1940-1945, u mbajtën nga Zyra e Mbrojtjes Kombëtare pranë Shtabit të Operacioneve të Forcave Ushtarake gjermane (Abteilung Landesverteidigung im Wehrmachtführungsstabamt). Këto ditarë lufte, përshkruajnë strategjitë, betejat, lëvizjet e trupave, linjat e fronteve, qëllimet, vendimet operacionale dhe planet e luftës dhe vlerësimet e situatave luftarake, prej udhëheqjes më të lartë të forcave ushtarake gjermane. Sekretari i Ditarëve të Luftës në Komandën Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane, ishte Helmuth Greiner deri më Mars 1943 dhe më pas Percy Ernst Schramm. Në vitet 1961-1965 ditarët e luftës u përpiluan nga historianët dhe u botuan nga shtëpia botuese Bernard & Graefe Verlag für Wehrëesen, Frankfurt am Main. Historiani kryesor ishte Percy Ernst Schramm dhe ndihmësit e tij historianë përkatësisht sipas vëllimeve ishin si më poshtë:

 Një rrezik tjetër i rëndësishëm, siç theksonte komanda juglindore, ishin përgatitjet për një ofensive komuniste në drejtim të Serbisë jugore ose në zonën e Kosovës me qendër rëndese në rajonin Berani-Bjelopolje, gjë që u vërtetua nga masat e marra nga komunistët në zonën e Serbisë juglindore.

Faqe 675-676. Komanda e Lartë Juglindore përsëriti kërkesën [më 17.07.1944] për ta dërguar Divizionin I-rë Malor në Mal të Zi, duke theksuar ndikimin psikologjik të tij, në një betejë për në Sofie. Për Greqinë perëndimore, ajo kërkoi daljen nga rezerva në Thesali, të Divizionit IV-të SS të Policisë së Motorizuar, i cili bashkë më njësitë e tjera të Grup-armatës ‘E’, mund të përdoreshin kundër forcave edhe komuniste edhe të Zervës, ose të paktën të përdoreshin në rast të një zbarkimi të aleatëve, në rajonin e Janinës.

Faqe 677. …. c) EDES dhe ELAS në Greqinë veri-perëndimore: Përdorimi i Divizionit IV-të SS të Policisë së Motorizuar në bregun perëndimor të Greqisë, filloi më 27.07.1944 (Libri i Situatës 28.07.1944). Ndërkohë një situatë e re u krijua, siç paraqitet në një njoftim të Komandës së Lartë Jug-lindore. Forcat e Zervës ndërprenë sulmet, kështu që duket e mundshme me i rifilluar bisedimet me to. Komanda e Lartë Jug-lindore, kërkon të ndiqet ky qëndrim, i cili ka lidhje me situatën në Greqi, veçanërisht në Athinë, ku qarqet nacionaliste janë gati të bëjnë marrëveshje me fuqinë pushtuese [gjermane] dhe nuk mendohet e pamundur për Zervën, të pranojë kërkesat gjermane (largimin nga bregu dhe porti i Pargës, luftën kundër forcave komuniste, etj.). Nga ana tjetër, situata është përkeqësuar në Epirin jugor nga veprimi i shtatë Brigadave komuniste. Synimi i këtij grupi ishte, ndoshta pushtimi i rripit bregdetar; Prevezë-Mesolongji.

Prandaj Komanda e Lartë Jug-lindore, hartoi në marrëveshje me Grup-Armatën ‘E’ operacionin “Kreuzotter”, me anë të cilit Divizioni IV-të SS i Policisë së Motorizuar dhe njësi të Divizionit 104 Këmbësor, sulmojnë në drejtimin jugor nga Janina mbi Artë; në të njëjtën kohë, sulmohen forcat ELAS në Beoti dhe në jug të Pindit. Përshtypja që do lenë sukseset gjermane në këto beteja, ndoshta do të ndikojë që Zerva të pranojë kërkesat gjermane; përndryshe, pas përfundimit të operacionit “Kreuzotter”, forcat e liruara, do të sulmojnë rajonin e mbajtur prej tij.

Faqe 680-681. …. d) Ndikimet e kthesës (Gusht-Shtator 1944): ….. Kur komandanti i Komandës së Lartë Jug-lindore, i dërguari Herman Neubacher, Ministri i Jashtëm [Joachim von Ribbentrop], kryekomandanti i SS [Heinrich Himmler], etj., u mblodhën më 22.08.1944, në shtabin e Hitlerit, një udhëzim i ri për zhvillimin e operacioneve në drejtimin jug-lindor, ishte përgatitur (22.08.1944). Ai nuk u firmos, sepse ditën tjetër, një situatë krejtësisht e re, ndodhi në Rumani [forcat sovjetike çajnë frontin në Rumani, Rumania kaloi në anën sovjetike – shën. red.].

Kështu edhe lëkundjet e Turqisë dhe ndryshimi i qëndrimit në Bullgari [Bullgaria u shpall asnjanëse më 26.08.1944 dhe kërkoi largimin e trupave gjermane – shën. red.], sollën ndryshimin në rajonin jug-lindor. Pozita e mëparshme gjermane në këtë rajon, nuk mund të ruhej më: më 26.08.1944 Komanda e Lartë Jug-lindore, mori urdhrin e përgatitjeve për tërheqje të tërë trupave dhe pajisjeve në jug të linjës; Korfuz-Janinë-Kalabaka-Olimp, kështu braktisja e Detit Egje dhe Greqisë, filloi.

Faqe 681. …. e) Rasti i tretë i Titos në Serbi (Korrik-Gusht 1944): ….. Operacioni “Draufgänger“ i Divizionit SS Malor “Skanderbeg”, në kufirin malazezo-shqiptar (Berane), tërhoqi trupa të shumta armike në luftim, por nuk mundi të ndalonte ofensivën e Korparmatave I-rë dhe II-të komuniste, në drejtim të Serbisë.

Faqe 682. Grumbullimi i Divizionit I-rë Malor u vonua, sepse mbartja e tij nuk ishte planifikuar. Më 03.08.1944, hekurudha afër Mitrovicës u ndërpre, ndërsa pjesët e Divizionit që arrinin, u detyruan të futeshin në luftime përreth rajonit të Pejës. (Libri i Situatës 04.08.1944).

Faqe 685. Në Divizionin SS Malor “Skanderbeg”, u vunë re në fillim të Shtatorit, raste të përsëritura të dezertimit dhe shpërbërjes, kështu që u urdhërua shpërndarja e tij.

Faqe 690. (Këtu shkruhet për tërheqjen e trupave gjermane nga Ballkani, tërheqje e cila filloi në Tetor 1944 – shën. përk.) …. Pak më ngadalë, u krye tërheqja nga zonat bregdetare të Malit të Zi dhe Shqipërisë, gjë e cila lidhej ngushtë me tërheqjen e Grup-Armatës ‘E’ (Durrës, 12.01.1945, Cetinje, 17.01.1945, Kotorr, 21.01.1945, etj.).

Faqe 699. Deri në javën e parë të Tetorit 1944, qëllimi i komandës gjermane, ishte që me Grup-Armatën ‘E’ (e cila mori më 03.10.1944, urdhrin për t’u tërhequr nga Greqia, Shqipëria jugore dhe Maqedonia jugore), e ndodhur në “Linjën blu”; Shkodër-Shkup-Këlcyrë [në Greqinë veriore – shën. red.] dhe me Grup-Armatën “Serbia”, e ndodhur në linjën; Negotin-Danub (që nga 01.10.1944) dhe atë; Vlasotince-Bela Palanka-Zajeçar-D. Milanovac (që nga 05.10.1944), të mbahej zona kroato-malazeze-shqiptaro veriore dhe serbe. Por shumë shpejt u pa se pjesa më e madhe e Serbisë, ishte humbur. Me 10.10.1944, u dha urdhri për tërheqjen përtej [lumit të] Moravës.

Faqe 701. Në javën e parë të nëntorit, u qartësua plotësisht se cilat ishin qëllimet e udhëheqjes sovjetike: Armatat sovjetike kishin filluar ofensivën në Hungari, kurse detyra e bullgarëve dhe e njësive të Titos, ishte shkatërrimi i pozicioneve gjermane në zonën kroato-malazeze-shqiptaro-veriore dhe në atë mënyrë, të futej nën kontrollin sovjetik, pjesa perëndimore e gadishullit ballkanik, pak a shumë sipër linjës Shkodër-Velesh [në Maqedoni – shën. red.], në përputhje me ndarjen e zonave në Moskë.

Faqe 704. Lëvizja komuniste shqiptare, që ndoshta me sa duket pat filluar me nismën vendase, gjatë verës [1944] u bë pjesë e qëndrueshme e organizatës së Titos, si “Shtab Qendror për Shqipërinë”. Krijohet përshtypja se për ca kohë, ka ekzistuar edhe plani për ta futur Shqipërinë në federatën jugosllave (Libri i Situatës 25.07.1944).

Faqe 706. Në pritje të një ofensive të përgjithshme dhe mjaft kërcënuese të aleatëve, shtimi i veprimeve të kryengritësve në rajonet e Europës Jug-lindore, akoma nën zotërimin gjerman dhe dështimi i krijimit të qeverive në Mal të Zi dhe Shqipëri, ri shtruan pyetjen: nëse të paktën organizatat vullnetare serbe dhe lëvizjet politike prapa tyre, duke marrë më shumë ndihmë në armatime dhe furnizime, a do mund të bëheshin një forcë ndihmëse edhe luftarake për ushtrinë gjermane edhe për të krijuar një zonë sigurie për të gjithë?!

Faqe 707. I dërguari i posaçëm për zonën jug-lindore, Hermann Neubacher, u ndodh në Prill 1944, për ca kohë në shtabin qendror të udhëheqjes, për të diskutuar çështje të kohës. Ndër të tjera: ….. d) Dhënien e 120 kamionëve, të cilët siç është përmendur më herët, ishin kërkuar më parë për të mënjanuar problemet e furnizimit të popullsisë në Shqipëri dhe Mal të Zi, ku kërcënonte uria. Kjo kish rëndësi sepse, shtimi i veprimtarisë së bandave, kishte lidhje edhe me mungesën e ushqimeve. Me ato masa i dërguari i posaçëm, shpresonte të organizonte forcat kombëtare shqiptare, me qëllim që të arrinin një numër prej rreth 20.000 vetash.

Për atë i nevojiteshin automatikë për 10-15.000 vetë dhe futja e njësive të vogla gjermane me granatahedhës, në forcat kombëtare shqiptare. Veç kësaj, i dërguari i posaçëm, Hermann Neubacher, duhej të diskutonte në shtabin qendror të udhëheqjes gjermane, edhe çështjen e financimit të ushtrisë gjermane në Greqi dhe Shqipëri, pasi falimentimi i plotë i monedhave vendase, dukej i pashmangshëm.

Faqe 708. …… Në të njëjtën kohë, Janar 1944, organet qeveritare të sapongritura në Shqipëri, u shpërndanë. Pjesëtarët e besueshëm të batalioneve gjuajtës që u shpërndanë, u rigrupuan në Divizionin SS shqiptar, “Skanderbeg”.

Faqe 720. Komanda Jug-lindore duke vënë në dukje kërcënimin ndaj hekurudhës në Maqedoni, gjendjen e rëndë të transportit dhe mungesën e qymyrit për shkak të sabotazhit, kërkoi në mënyrë të përsëritur një vendim, në lidhje me Greqinë, derisa më 03.10.1944, mori urdhrin për t’u tërhequr nga Greqia, Shqipëria e jugut dhe Maqedonia e jugut. …… Më 16.10.1944, u tërhoqën nga [qytetet greke] Teba dhe Itea, njëkohësisht filloi tërheqja edhe nga ishulli Lemnos. Më 21.10.1944, prapavija gjermane ndodhej në linjën; Larisë-Qafë e Metsovonit; më 23.10.1944, u krijua një linjë bllokuese në të dy anët e Korçës. Dy ditë më parë, u tërhoqën nga Volosi, porti i fundit i rëndësishëm në jug të Selanikut. Më 25.10.1944, fronti kalonte në liqenet e Shqipërisë jugore.

Faqe 721. Në Shqipëri vazhdonte të mbahej linja; Durrës-Elbasan. Në natën nga data 1, në 2 nëntor 1944, prapavija e Grup-Armatës ‘E’, kalon kufirin greko-maqedonas, pa ndonjë trysni armike të rëndësishme. Dalja nga Greqia, kishte përfunduar.

Faqe 723. Me rënien e qytetit të Njishit, Grup-Armata ‘E’, humbi lidhjen hekurudhore. Por ofensiva ruse në Serbinë jugore dhe e bullgarëve në jug dhe jug-perëndim të Nishit, po kërcënonte edhe rrugën e fundit të rëndësishme të marshimit nga Shkupi, nëpër Mitrovicë, Kraljevo, Uzice, për të arritur në Sarajevë. Kalimi nëpër malësinë e Shqipërisë lindore dhe në lindje të Malit të Zi, do të ishte fundi i një tërheqje të bashkuar, për Grup-Armatën ‘E’.

Faqe 724. … Në të njëjtën kohë bullgarët, lëshuan një ofensivë në shkallë të gjerë kundër Shkupit dhe kështu rreziku i copëtimit për Grup-Armatën ‘E’ u rrit.….. Divizioni 11 Trupave Ajrore, u tërhoq në veri dhe lindje të Prishtinës, ku krijoi një front të harkuar.….. Betejat më 02.11.1944 dhe përparimi i tre Divizioneve bullgare dhe një brigade tankiste në veri të Podujevës, shkaktuan çarjen e frontit në Qafën e Merdarës dhe kërcënimin e nyjës rrugore në Prishtinë. ….Një tërheqje e planifikuar nga Maqedonia, u hartua. Më 06.11.1944, Strumica u lirua; më 07.11.1944, praparoja e Korparmatës XX-të, ishte në Shkup. Më 11.11.1944, u braktis Veleshi dhe në natën e datave 13/14.11.1944, u lirua Shkupi. Në Prishtinë, po zhvillohen beteja të ashpra me bullgarët.

Faqe 725. Në tërheqjen e Grup-Armatës ‘E’, tërheqja e Korparmatës XXI-të (Divizionet 181, 297 Këmbësore, Brigadat e Fortesave, etj.) nga Shqipëria, zë një vend të veçantë. Tërheqja ishte planifikuar fillimisht, të kalonte nga Nikshiçi [në Mal të Zi] dhe Trebinja [në Bosnjen jugore], për të arritur në Mostar, gjë që u bë e pamundur, mbasi armiku zuri daljen në Adriatik të lumit Narenta. Kështuqë trupave iu pre rruga e tërheqjes dhe do iu duhej të provonin të çanin nëpër një malësi në drejtimin veri-lindor të zotëruar nga forcat e Titos.

Mbas largimit nga Tirana, më 17.11.1944, u mblodh një njësi ushtarake në Podgoricë, për të sulmuar Nikshiçin, sulm i cili dështoi. Më 22.11.1944, krye-komandanti i trupave të jug-lindjes, shkoi vetë me avion në Shqipëri, për të vlerësuar mundësinë e një çarje të frontit, për këtë njësi ushtarake. U vendos që njësia të kthehej nga Podgorica në Prijepolje, nëpërmjet Kolashinit dhe Bjelopoljes dhe atje të bashkohej me trupat që tërhiqeshin nga Maqedonia.

Më 29.11.1944, u larguan nga Shkodra prapavijat e kësaj trupe, por u mbajtën edhe për ca kohë pozicionet më në veri. Divizioni 181 Këmbësor, ishte larguar nga Kotorri, më 21.11.1944. Marshimi vazhdonte i shoqëruar me luftime të ashpra me forcat e Titos dhe vështirësohej edhe më shumë nga reshjet e dëborës dhe një përmbytje të madhe, që ndodhi më 11.12.1944, prej së cilës u prishën të gjitha urat e rëndësishme.

Faqe 821. …..Trupat gjermane largohen më 12.10.1944 nga Vlona, nga Selaniku më 31.10.1944. Prapavijat kalojnë kufirin greko-maqedonas, më 1-2.11.1944. Por në Shqipëri u krijua një front i ri, në linjën Durrës–Elbasan.

Faqe 822. Për të mbrojtur luginën e lumit Ibër [në Kosovën veriore – shën. red.], prej bullgarëve që po afroheshin nga jugu ,nëpër malësinë e Kopanikut, Grup-Armata ‘E’ grumbulloi forca kombëtare shqiptare, të cilat nën udhëheqjen gjermane, bëjnë një luftë shembullore.

….. Nga tetori në mes të nëntorit 1944, armiku përparon me humbje të jashtëzakonshme në njerëz, kundrejt tërheqjes tonë, duke u mbrojtur. Një situatë e veçantë u krijua më 02.11.1944 dhe në ditët më pas, kur tre Divizione armike dhe një Brigadë tankiste, sulmojnë në veri të Podujevës dhe çajnë në Qafën e Mërdarës. Nyja e rëndësishme rrugore e Prishtinës u rrezikua mjaft. Megjithatë, duke përdorur rezervat e fundit, u bë e mundur brenda mbrëmjes të së njëjtës ditë, për ta ndalur përparimin dhe sulmet e tjera të armikut.

Faqe 822-823. Vendimet e Komandës së Lartë Jug-lindore, për tërheqjen e Grup-Armatës ‘E’, janë në kohën kur Armata II-të Tankiste, po sulmon në Drin dhe Srem. Praparoja u tërhoq nga Maqedonia e jugut; Veleshi u braktis më 11.11.1944, Shkupi në natën e datave 13/14.11.1944, bullgarët ri sulmojnë furishëm, në veri të Prishtinës, më 20.11.1944.

Faqe 823.….. Tërheqja e trupave gjermane për në veri, u vonua me të paktën 10 ditë, për shkak të veprimeve të shumta banditeske në zonën e Tiranës. Prandaj trupat gjermane, u larguan më 17.11.1944, prej Tiranës. Më 20.11.1944, mblidhet në Podgoricë një trupë e cila, është mjaft e fuqishme, që mund të guxojë të sulmojë Nikshiçin. Por ky sulm dështon dhe tregon se edhe duke sjellë pjesë të tjera të Korparmatës XXI-të, do të jetë shumë e vështirë, për të çarë frontin aty.

Faqe 824. Çarja e frontit prej Korparmatës XXI-të, duket shumë e vështirë. Mbas një sulmi të fuqishëm, merret ura në Bioçe [veri-lindje, sipër Podgoricës] më 28.11.1944, e cila edhe duhet riparuar në kushte shumë të vështira, nën goditjen e avionëve armiq, në mënyrë që të mundësohet largimi i shumicës së trupave prej Shqipërisë. Largimi nga Shkodra, mundësohet vetëm më 30.11.1944. Më tej duhet luftuar për çdo kilometër, jo vetëm kundër armikut të pabesë, por edhe kundër fuqive natyrore.

Më 12.12.1944, ndodh një përmbytje e madhe e cila shkatërron gjithë urat e sapo rindërtuara dhe vonon kështu proçesin e tërheqjes. Anglezët të cilët bashkëpunonin me bandat, e shfrytëzojnë këtë rast për ndjekjen e trupave përgjatë rrugës së tërheqjes, duke mundur t’u shkaktojnë dëme të ndjeshme sidomos në makina, kolonave të marshimit, pasi ato ishin në pritje dhe në terren të hapur.

Lufta e armikut për të penguar shfrytëzimin e pasurive minerale dhe lëndëve të tjera të para!

Faqe 936. …… 5. Një metal tjetër i nevojitur, ishte kromi. Kërkesat në rritje për të, mundën të plotësoheshin gjithnjë e më mirë, pasi ushtria gjermane pushtoi Ballkanin. Sepse në atë mënyrë, u krijua mundësia e shfrytëzimit të minierave në Greqi, Bullgari, Serbi dhe mbas kapitullimit të Italisë, edhe në Shqipëri.

Librat e Situatës (01.01.1945 – 20.04.1945)

Faqe 1013 – 14.01.1945. Gjendja e armikut në Kroaci: Njësitë shqiptare, mbetën mbrapa. Kundërshtari po përpiqet të dërgojë njësi serbe në drejtim të veri-lindjes, në zonën në jug të Syrmies, duke anashkaluar Sllavoninë [në Kroaci].

Faqe 1184 – 19.03.1945. Politikë: Një i dërguar anglez ka arritur në Shqipëri dhe anglezët i kanë kërkuar Titos, të tërheqë trupat e tij.

Shënime të Gjeneralit Alfred Jodl në burgun e Nurembergut, në lidhje me ndikimin e Hitlerit, në mënyrën e zhvillimit të luftës

Faqe 1719. ……Tanket angleze i shtynë trupat italiane të gjeneral Rodolfo Grazianit, deri në kufijtë e Cyrenaices [rajoni lindor i Libisë] dhe në vend që Italia të arrinte një fitore të shpejtë në Greqi, po rrezikonte dhe humbjen e Shqipërisë. Në atë situatë në Romë, ndjenja e humbjes doli mbi krenarinë dhe thirrjet për ndihmë, arritën deri në Berlin. Në atë situatë Hitleri vendosi: Në kushtet e luftës moderne ajrore, lufta duhej mbajtur sa më larg kufijve të Gjermanisë. Me Greqinë, ai nuk donte përplasje, prandaj dhe nuk pranoi të ndihmonte Italinë, në Shqipëri. Memorie.al